Si do pastrohet politika/ Propozimi i PD, vetingu shkarkon ata që kanë fshehur pasuritë

Sep 8, 2018 | 14:51
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Partia Demokratike ka depozituar dje në Parlament ndryshimet kushtetuese, me anë të të cilave kërkohet t’i nënshtrohen procesit të vetingut të gjithë politikanët, duke filluar nga Kryeministri, ministrat, deputetët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese, të cilët janë emëruar nga Parlamenti.

basha1

Drafti i ndryshimeve kushtetuese është firmosur edhe nga deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky ndryshim i librit themeltar të shtetit mund të miratohet nga Parlamenti me 94 vota minimalisht, pra, mund të miratohet vetëm me konsensus të gjerë. Nisma e ndryshimeve kushtetuese ka fuqi prapavepruese dhe saktëson se politikanëve u ndërpritet mandati, edhe pse janë emëruar para hyrjes në fuqi të këtij ndryshimi kushtetues.

VETINGU

Por si do të kryhet ky proces? Vetingu i politikanëve pritet të kalojë në dy faza. Të gjithë krerët e lartë do t’i nënshtrohen fillimisht procesit të pastërtisë së figurës. Sipas draftit të depozituar në Kuvend, politikanët do të plotësojnë një formular vetëdeklarimi, në të cilin do të rrëfejnë nëse kanë pasur apo jo kontakte me persona të botës së krimit.

“Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohet në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohet procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës”. Në rast se këta krerë të lartë do të zbulohen se kanë pasur kontakte me individë të botës së krimit, për ta do të aplikohet ndërprerja e mandatit.

“Nëse subjekti i përmendur në pikën 1 ka kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thekson propozimi ligjor. Ndërkohë që ndëshkime do të ketë dhe për personat që tentojnë të mos dorëzojnë në kohë formularin e vetëdeklarimit apo japin të dhëna të pasakta.

Ndërkohë që Kryeministri, ministrat dhe deputetët do të hetohen dhe për pasuritë e tyre, në rast se nuk arrijnë t’i justifikojnë ato, ndaj tyre do të merren masa dhe do t’i ndërpritet mandati apo do të shkarkohen nga detyra.

“Kur subjekti i përmendur në pikën 1, nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra”, thekson propozimi i PD.

PROJEKTLIGJI I PLOTË

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura