Raporti për Shqipërinë/ Qeveria amerikane më 1954: Janë zhdukur 16 mijë shqiptarë, mes tyre ka ministra e deputetë

Aug 30, 2017 | 13:40
SHPËRNDAJE

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit i ka kërkuar ambasadës amerikane dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri raportet që mund të jenë përgatitur mbi kampet e punës së detyruar në vendin tonë gjatë diktaturës komuniste. Ditën e djeshme, stafi i ambasadës së SHBA-së ka dërguar një raport special që në vitin 1954 SHBA hartonte për situatën në Shqipëri.

komunizmi1

Raporti mban numrin 13 dhe datën 30 dhjetor 1954. Duket të ketë qenë i gjatë, megjithatë për tri faqet e vëna në dispozicion, Autoriteti thotë se “Ambasada na dërgoi këtë raport të përgatitur nga qeveria e USA në vitin 1954, ku përfshihet edhe puna e detyruar dhe gjendja nëpër kampe. Kërkimi i tyre vazhdon”.

Në dokumentin që po boton sot “Gazeta Shqiptare” fotografohet situata në kampe, në luftën e klasave, dënimin e shqiptarëve, jetën si skllevër, varfëria, burgjet, dënimet e kundërshtarëve dhe një informacion mbi politikën e jashtme të Shqipërisë.

PJESË TË RAPORTIT

Pjesa e raportit nis me një informacion mbi besimin dhe klerin. “Marrëdhëniet e Vatikanit me kishat kalojnë vetëm përmes qeverisë. Kisha katolike në Shqipëri i nënshtrohet ligjit kanonik vetëm nëse dispozitat e tij nuk bien në kundërshtim me ligjet e Republikës së Popullit Shqiptar, rendit publik dhe zakoneve të mira”, thotë raporti amerikan. Vihet në dukje se priftërinjtë po trajnohen në seminare “të krijuara e të administruara” me aprovimin e qeverisë.

“Agresioni kundër kishave nuk do të ishte ligjëruar nëse komunistët nuk do të kishin eliminuar anëtarët më të spikatur të klerit. Të tria besimet kanë pasur viktimat e tyre, por më shumë kanë qenë katolikë. Në mënyrë që t’i mbajnë kishat nën kontroll, qeveria komuniste e Shqipërisë ka vënë në krye të tyre klerikë, të cilët janë të gatshëm të jenë vegla e saj. Disa prej tyre janë komunistë”, thotë raporti special i qeverisë amerikane.

PUNA E DETYRUAR

Puna e detyruar ka qenë gjerësisht e përhapur që kur regjimi komunist mori kontrollit në vitin 1944 shkruan raporti. “Ka një numër ligjesh e rregulloresh që janë vënë në zbatim, që ligjërojnë punën e detyruar, ndërsa Kodi i ri Penal Shqiptar, i bazuar në Kodin Penal Sovjetik, përmban dispozita të përpunuara për “punën korrektuese” (një eufemizëm për punën e detyruar) dhe dërgimin e qytetarëve në kampet e përqendrimit e punës. Edhe fëmijët që kanë arritur moshën 12-vjeçare janë të përshtatshëm të dënohen në kampet e punës “korrektuese” për krime kundra shtetit”

raport SHBA

Relacioni thotë se qëllimi i kampeve të përqendrimit ishte internimi i familjeve të të burgosurve politikë dhe deportimi i familjeve të ish- klasave të pasura në mënyrë që në shtëpitë e tyre të vendoseshin anëtarë të regjimit të ri dhe komunistë të tjerë. “Njerëz nga veriu, si rregull internohen në jug, veçanërisht në kampet e Tepelenës, Fierit, Beratit; njerëz nga jugu internohen në Burrel, Kamzë, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në veri. Nuk ka asnjë dallim në Shqipëri mes personave të dënuar me punë të rëndë nga gjykata dhe atyre që thjesht janë qarkulluar dhe u janë vënë prangat. Mes tyre, gjen ministra e deputetë të kohës së para, gjatë dhe pasluftës, si edhe zyrtarë të lartë të qeverisë apo edhe njerëz që kanë kundërshtuar ose që dyshohet se kanë kundërshtuar regjimin komunist”, thuhet në raportin amerikan për Shqipërinë më 1954.

Një përshkrim autentik i një kampi pune në Shqipëri është dhënë nga Reshad Agaj, që sipas dokumentit, ka qenë llogaritar i burgosur dhe i dërguar në këto kampe derisa u arratis në Greqi në vitin 1952.

Raporti citon Agajn të ketë thënë se kampi i Vloçishtit në Korçë kishte katër baraka me 300 të dënuar, baraka ku futej shiu dhe era, ku të dënuarit flinin në dysheme e secili prej tyre kishte jo më shumë se 50 cm hapësirë.

raport SHBA 2

“Të dënuarve u jepeshin 600 gramë bukë e bardhë e papjekur…U jepej dhe qumësht me sheqer, ndërsa në drekë e darkë supë, që kishte vetëm ujë të zier, me makarona, patate ose fasule. Për shkak të kequshqyerjes, të burgosurit ishin gjithnjë të uritur”.

 

Lajmin e plote e lexoni duke klikuar linkun

http://www.gsh.al/2017/08/30/raporti-per-shqiperine-qeveria-amerikane-me-1954-jane-zhdukur-16-mije-shqiptare-ja-abuzimet-ka-ministra-e-deputete/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura