Raporti për problemet me pronat në Tiranë i dërgohet Kryeministrit, Artan Lame: Lloj-lloj banditë e ndërhyrës do vijojnë të kërkojnë ‘aman të fus këtë e të heq atë’, por…

Jun 18, 2022 | 10:31
SHPËRNDAJE

Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka prezantuar këtë të shtunë raportin me regjistrat pronësorë në Tiranë, duke evidentuar problematikat e rënda që ka pasur ndër vite.

Nga 2342 regjistra pronash, sipas Lames vetëm rreth 250 janë pa dëmtime.

Të tjerat janë grisur apo zëvendësuar, veprime këto që kanë çuar jo pak persona para dyerve të gjykatës për të gjetur të drejtën për pronat e tyre, që shpesh dilnin të regjistruara dhe në emra të personave të tjerë.

Ky raporti tha Lame do dërgohet në Kryeministri dhe në Ministrinë e Drejtësisë për të shmangur “shantazhet dhe presionet që gjobaxhinjtë do vijojnë të bëjnë”.

“Pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë e ndryshime të pakontrolluara.

Arkivi i pronave është me sistem kamerash e sistem alarmi, me punonjës që kanë përgjegjësi e firmë, ka persona përgjegjës për cdo hyrje dalje.

Raporti i Tiranës do i përcillet Kryeministrisë e Ministrisë së Drejtësisë për dy arsye. Cdo strukturë kontrolluese që të vijojë hetimet mbi bazën e këtij raporti…si për raportin e Durrësit ka hetime, janë thirrur punonjës.

E dyta për të shmangur presionet e lloj lloj tipave e banditëve, ndërhyrësve, që do vijojnë të kërkojnë aman të fus këtë e të heq atë, kur ky raport është i depozituar dhe në institucione të tjera që të prekësh regjistrat duhet të fusësh njerëz dhe institucione të tjera, gjë që më duket e pamundur”, tha Lame.

Problemet

Artan Lame: Nga regjistrat 515 faqe mungojnë, janë grisur e as i kanë zëvendësuar.

I mbetet hetimeve për të zbuluar çfarë ka luajtur në këto qindra faqe që nuk ekzistojnë. Me qindra faqe të dyshuara si të zëvendësuara. Them të dyshuara se duket që faqja ndryshon, ngjyra apo formati i faqes, por dhe kjo kërkon hetim për të kuptuar çfarë ka qenë në faqen origjinale.

Janë gjetur faqe të dubluara, pra e njëjta pronë ekziston në dy faqe. Kjo bëhej me qëllim që e njëjta pasuri i trajtohej dhe një qytetari e një tjetri, në fakt ishte një pasuri e vetme e më pas përfundonin në dyert e gjykatave për të vendosur e kujt ishte.

180 faqe të grisura, nuk ekziston faqja në regjistër por duken.

Fenomen që në Tiranë ishte shumë më i madh se në Durrës. Janë 13 mijë faqe bosh brenda në regjistër. E kuptueshme që do të thotë janë lënë faqe bosh se regjistri nuk është plotësuar. Qëllimi ka qenë për ti plotësuar me ato ATP e Rrugës së Kavajës, pra janë mijëra faqe pronash shtetërore që kanë përtuar fare ti plotësojnë.

Dihet që është pronë shtetërore pra është e paplotësuar, është punë e paguar një herë që duhet ribërë nga Kadastra. Ka dhe ndërrime fletësh sa janë bërë me aq art sa nuk kuptohen menjëherë.

Zonat me probleme

Artan Lame: Regjistrat e dëmtuar më shumë kanë të bëjnë me pasuritë në zonat në zhvillim si Farka, Kashari, Yzberisht, Mëzez, Baldushk, Ndroq, Pezë Helmes, dhe Peza.

Në zonën e Kamëz-Vorë, do veçoja qytetin Kamëz dhe qytetin Vorë, Paskuqan, Valias, Bathore, Laknas, Babrru dhe Domja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura