Një debat i ashpër është zhvilluar sot në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ku ky i fundit i kërkoi Ramës dorëheqjen.
Shehaj e akuzoi kryeministrin për korrupsion, duke deklaruar se sipas tij qytetarët kërkojnë largimin e tij nga pushteti, pasi prej 19 ditësh protestojnë para zyrës së tij.
“Të doli boja keq! Të doli boja! U pasurove në kurriz të qytetarëve! Vodhe popullin më të varfër në Europë! S’ke argument tjetër! Je qesharak dhe banal… I ke parë shqiptarët? I ke parë sa të vendosur janë? Ore, të duan në burg! E kishe menduar ndonjëherë që mund të përfundoje para drejtësisë”, tha Shehaj, ndërsa i kërkoi Ramës të dalë në zgjedhje.
Nga ana tjetër, Rama iu përgjigj akuzave duke thënë se do të vijojë të jetë në detyrë. “Do jem deri në 2027 këtu!”, tha kryeministri.
Më tej, Shehaj vijoi replikën duke e akuzuar Ramën se nuk mund të shkëputet nga përgjegjësitë për ish-zyrtarë socialistë të akuzuar për korrupsion e vepra të tjera penalë, duke renditur Belinda Ballukun, Erjon Veliajn, Arben Ahmetajn dhe Ilir Beqajn.
“Ti nuk dije gjë për Belindën? Ti nuk dije gjë për Veliajn? Ti nuk dije gjë për Ahmetajn? Ti nuk dije gjë për Beqajn? Ti nuk di asgjë! Ti s’di asgjë! Ti je viktimë! U i shkreti ti. Po të paskemi rënë në qafë!”, tha ai.
DEBATI
Shehaj: Të doli boja keq! Të doli boja keq! Të doli boja! U pasurove në kurriz të qytetarëve! Vodhe popullin më të varfër në Europë! S’ke argument tjetër! Je qesharak! Je banal dhe qesharak! Lëre Partinë Socialiste, fol për ça ke vjedhur! Lëre Partinë Socialiste, fol për Belindën dhe hajde në zgjedhje! Pse s’del në zgjedhje? Pse ke frikë? Pse ke frikë? Pse ke frikë? Pse ke frikë nga zgjedhjet? Në gjithë botën kërkojnë dorëheqjen tënde! I ke parë shqiptarët? I ke parë sa të vendosur janë? Ore të duan në burg! Të duan në burg! E Kishe menduar ndonjëherë që mund të përfundoje në burg? E mendoje ndonjëherë që do të të nxirrnin para drejtësisë? E kishe menduar ndonjëherë? Jo! Se po ta kishe menduar s’do kishe bërë atë që bëre!
Rama: Do jem deri në 2027 këtu!
Shehaj: S’do vesh ti? Je i paprekshëm ti? Po për çfarë ke vjedhur? Pse Belinda i ka vjedhur ato para vetëm? Ti s’e dije? Dëgjo, Dëgjo! Ti s’dije gjë për Belindën?
Rama: Ca kam vjedhur unë?!
Shehaj: Ti nuk dije gjë për Belindën? Ti nuk dije gjë për Veliajn? Ti nuk dije gjë për Ahmetajn? Ti nuk dije gjë për Beqajn? Ti nuk di asgjë! Ti s’di asgjë! Ti je viktimë! U i shkreti ti. Po të paskemi rënë në qafë!
Do ikësh si çdo autokrat banal që ka parë ky vend! Është rrethuar parlamenti! Nuk do dalësh dot! Pse s’jep dorëheqje? Pse s’jep dorëheqje? Me dhjetëra mijëra duan dorëheqjen tëndë! Të duan në burg!
Do ikësh siç ka ikur çdo autokrat! Do përfundosh në burg! Do ikësh edhe i urryer madje! Do përfundosh në burg! Do përfundosh në burg! Do japësh llogari ta dish! Do i japësh llogari qytetarëve ta dish! Do japësh llogari bashkë me këta këtu, ja të gjithë! Shi si e katandise Parlamentin shiko!
© Panorama.al











