Prof. Shaban Demiraj, dijetari ynë i madh

SHPËRNDAJE

SHEZAI RROKAJ*

         Sot ndahet fizikisht nga jeta njëra nga figurat më të mëdha të Vlorës, të Shqipërisë e mbarë trojeve shqiptare, dijetari e profesori ynë i dashur, Shaban Demiraj. Në emër të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku ai ka qenë për vite me radhë profesor dhe përgjegjës i Departamentit të gjuhës shqipe, gjejmë rastin t’i përulemi e ta nderojmë me plot mirënjohje për ndihmesën që ka dhënë në përgatitjen e dhjetëra studiuesve, mijëra mësuesve dhe specialistëve, me një dashuri të veçantë për gjuhën tonë të bukur shqipe.

Në personalitetin e akademikut Shaban Demiraj gjejmë të harmonizuar profesorin fjalurtë me këshillat e tij të kujdesshme, studiuesin e palodhur e të apasionuar, që ka dhënë ndihmesë në disa fusha studimore të shqipes, krijuesin e hartuesin e dhjetëra monografive, librave e qindra artikujve, por, mbi të gjitha, njeriun plot shpirtmadh. Në vitin 1985, kur kthehesha nga Franca pas mbarimit të studimeve për Gjuhësi të Përgjithshme, nga Katedra e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së m’u ngarkua të jepja një cikël leksionesh për gjenerativizmin amerikan me studentët pasuniversitarë. E përgatita materialin dhe fillova t’i jepja leksionet në këtë kurs njëvjeçar pasuniversitar. Por dikush shkoi e raportoi diku. Problem i madh në dekanat! Gjenerativizmi paskësh kaluar si ajo reja e shiut pa hedhur asnjë pikë mbi truallin shqiptar dhe se prekja e temave të tilla mund të më përgatiste një fat jo të mirë, të njëjtë me atë të atyre që vuanin në minierat e Spaçit. I shqetësuar shumë nga kjo situatë takoj te shkallët e Fakultetit profesorin dhe i them: “Profesor, fjala juaj në dekanat ka shumë rëndësi për të ardhmen time, duke i treguar kështu historinë”. Më tha: “Ta dish, mor djalë, sa më kanë qëlluar mua, por e vetmja mënyrë për t’u mbyllur gojën këtyre dashakeqëve është puna. Unë këtë rrugë kam zgjedhur. Bëj edhe ti kështu, po më dëgjove”. Profesorit ndoshta nuk i kujtohen këto fjalë, po për mua ato shërbyen jo vetëm për të më qetësuar, por edhe për të më inkurajuar që, në rrugën e profesorit, të jap si shumë të tjerë kontributin tim.
Faleminderit, profesor gojëmbël!
Veprimtaria shkencore e prof. Demirajt është e shumëllojshme. Kontributi i tij në fushën e gjuhësisë historike, kryesisht të morfologjisë, lidhur me burimin e gjuhës shqipe, të lidhjeve të saj me gjuhët e tjera fqinje, është një ndihmesë e vyer për të dëshmuar autoktonimin e shqiptarëve. Nëpërmjet këtyre studimeve dokumentohet ngjitja shkallë-shkallë deri në zbulimin e fazave më të hershme të gjuhës shqipe, duke dhënë një kontribut të veçantë për etnogjenezën e shqiptarëve. Studimet e tij historike janë të gërshetuara me studimet filologjike tek autorët e vjetër, te rilindësit e deri në ditët tona.
Në studimet e tij shohim, në mënyrë të qartë, se në marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera zbatohet parimi i filologjisë së krahasuar, ku pikënisja është shqipja për të shkuar te gjuhët e tjera dhe jo kundrimi i shqipes nga këndvështrimi i gjuhëve të tjera. Ashtu si edhe te Çabeji ynë i madh, kjo mënyrë e të parit të dukurive gjuhësore do të nxirrte më në pah vetë studimin e shqipes, por do të ishte edhe një mbrojtje e mirë ndaj asaj filologjie të bërë nga albanologë, ku shqipja shihej nën dritën e gjuhëve fqinje. Një kontribut të vyer, prof. Demiraj jep për studimin e marrëdhënieve të shqipes me pellazgjishten, me greqishten, me latinishten, me sllavishten, për çështje që lidhen me Epirin dhe me mesakët, të cilat e vendosin shqipen në shtratin e saj ilir. Në fushën e Dialektologjisë, prof. Demiraj ka dhënë një kontribut të madh për sa i përket dialektologjisë historike, dialekteve aktuale të shqipes, marrëdhënieve mes tyre, të folmeve arbëreshe e, posaçërisht, edhe për vendlindjen ka bërë disa hulumtime rreth gjuhës së fshatrave të bregut në dritën e arritjeve gjuhësore.

Duam të veçojmë gjithashtu qëndrimin e tij të palëkundur rreth çështjes mjaft të debatuar aktualisht, lidhur me qëndrimin ndaj standardit të shqipes. Prof. Demiraj është shprehur qartë me argumente teorike e praktike mbi domosdoshmërinë e standardit, i cili hodhi themelet e drejtshkrimit, si një gjuhë e njësuar qysh në 1908 dhe u kristalizua më tej me Kongresin e Drejtshkrimit. Pohimi i tij se në qendër të standardit mund të kishte qenë edhe gegërishtja, ashtu siç është toskërishtja, është një pohim i mbështetur mbi një bazë të qëndrueshme teorike mbi formimin e gjuhëve të njësuara. Në erërat që fryjnë për bashkimin e shqiptarëve, për hapjen e kufijve e lëvizjen e lirë, lidhjen e institucioneve, qarkullimin pa pengesë të ideve, traditave, kulturës e mallrave e, bashkë me to, edhe për fjalët e strukturat e gjuhës, na e përforcojnë gjithnjë e më tepër mendimin e profesor Demirajt mbi domosdoshmërinë e një standardi të mbarë shqipes si shprehje e njësimit dhe unitetit të kombit. Vepra e profesor Demirajt është pankronike; ajo do të vijojë të formojë me dije brezat ardhshëm si dhe do të jetë një hapësirë e madhe referimi për këdo që merret me çështje të albanologjisë. Duke dashur t’i shprehim institucionalisht dhembjen familjes së profesorit, bashkohem me të gjithë kolegët në mendimin se personaliteteve të çmuara atdheu përjetë u mbetet mirënjohës.

(* Dekani i Fakultetit të Histori- Filologjisë, Universiteti i Tiranës)

Te lidhura

 

1 KOMENT

Comments are closed.