Plani për vrasjen e Doshit, policia kontrollon banesën e bizneset e Bamit, s‘gjen prova

Mar 6, 2015 | 11:15
SHPËRNDAJE

Forcat e Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në banesën e Durim Bamit në Nikël të Krujës dhe në lokalet e basteve sportive që ai administron në Fushë– Krujë. Kontrollet janë kryer nga disa oficerë të Policisë së Tiranës, të mbështetur edhe nga efektivë të njësisë “Shqiponja”.

Makina e Durim Bamit pas vendosjes së tritolit

“Panorama” shkruan se verifikimet për gjetjen e provave që mund ta lidhnin 36-vjeçarin Bami me deklaratat e deputetit Tom Doshi, sikur ishte paguar për ekzekutimin e tij dhe të deputetit Mhill Fufi, kanë zgjatur me orë të tëra. Por në fund, burimet thanë se as në shtëpi, as në bizneset e tij, nuk janë gjetur prova apo elemente të tjera që mund ta implikonin atë në vrasjen e supozuar me pagesë. Të njëjtat burime thanë se nuk kanë gjetur objekte të jashtëligjshme, armë, municion, apo ndonjë objekt të dyshimtë që ai të mund të konsiderohej vrasës me pagesë, ashtu siç është deklaruar nga deputeti Doshi.

Të vetmet prova që janë gjetur në shtëpinë e tij dhe në një prej bizneseve në Fushë–Krujë, janë disa dokumente, shkresa të ndryshme, kryesisht deklarata të përpiluara me dorë, që e bëjnë Durim Bamin të dyshuar për një tjetër vepër penale dhe jo për vrasje. Burimet thanë se nisur nga shkresat e gjetura, rezulton që Bami t’u ketë dhënë para me fajde personave të ndryshëm, nga Kruja, Durrësi dhe Tirana, në shuma të ndryshme dhe me interesa të lartë. Edhe kjo akuzë mbetet për t’u provuar, pasi sipas Policisë letrat e gjetura janë të përpiluara me shkrim dore, nuk kanë vulë dhe as firmë.

Megjithatë, në këto dokumente ka emra të disa personave, që mendohet të kenë marrë para hua nga Bami, që pritet të merren në pyetje nga Policia. Burimet thanë se është gjetur edhe një celular, i cili ka qenë i fikur dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për t’u ekzaminuar nga grupi hetimor. Telefoni do të verifikohet për të parë thirrjet hyrëse e dalëse dhe mesazhet që mund të ketë të ruajtura.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura