Pas 1 shekull lundrimi mbi Bunë, inaugurohet ura e re

May 25, 2011 | 9:50
SHPËRNDAJE
Ura e re e Bunës

Pas gati një shekulli, Buna do të ketë panoramën e mëparshme të lundrimit.Mbi këtë lumë, pas gati 100 vitesh, u ndërtua një urë e re, e cila u inaugurua dje nga kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetë dhe drejtues lokalë të Shkodrës, kryetari i komunës së Ulqinit si dhe ministri i Popujve Pakicë në Malin e Zi. Tashmë, krahas asaj ekzistuese që gëzon statusin e monumentit të kulturës dhe që daton vitin 1914, mbi Bunë u ndërtua ura e re. Kostoja e saj i kalon 7 milion dollarët, falë financimit nga qeveria shqiptare dhe Banka Islamike e Zhvillimit. Ura e re mbi lumin Buna u ndërtua rreth 300 m më poshtë asaj ekzistueses. Përmbytjet e stërzgjatura të vitit të kaluar dhe niveli i lartë e ujit në lumë e shtynë me një vit afatin e përfundimit të saj. Ura e Bunës ka një rëndësi të madhe, pasi nëpërmjet saj kryhet lidhja tokësore më e shkurtër me Malin e Zi. Njëkohësisht, nëpërmjet saj bëhet lidhja e dy lagjeve turistike të Shirokës dhe të Zogajve me qytetin e Shkodrës. Sipas specialistëve, ura ka një gjatësi rreth 275 metra dhe në pjesën fundore të saj ka një segment prej 75 m, e cila është e hapur për të bërë të mundur lëvizjen e mjeteve të lundrimit. Segmenti lëvizës vihet në punë me anë të një mekanizmi, i cili rrotullohet rreth një boshti pingul në ujë me 90 gradë. Ka qenë iniciativa e ish-deputetit të PD në Shkodër, të ndjerit Ferid  Hoti, i cili që në vitet ’95 hodhi idenë e lumit Buna të lundrueshëm dhe ndërtimin e një ure të hapur. Segmenti i lëvizshëm i urës është vendosur në pjesën fundore në drejtim të Shkodër-Muriqan, pasi aty është edhe pjesa më e thellë e lumit. Duke njohur traditën e hershme të lundrimit në lumin Buna dhe zhvillimin e turizmit lumor dhe liqenor, një nga kushtet paraprake të drejtuesve vendorë të Shkodrës për hartuesit e  projektit ka qenë që ura të jetë e hapur. Duke falënderuar  zgjedhësit shkodranë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë PD-së, si dhe të gjithë votuesit që mbështeten koalicionin e djathtë në votimet e 8 majit, kryeministri Berisha premtoi se investime të tilla që synojnë zhvillimin jo vetëm të Shkodrës, por të të gjithë vendit, do të jenë të shumta. Banorët e Shkodrës dhe të vendit fqinjë të Malit të Zi kanë përdorur për shekuj me radhë urën e vjetër mbi lumin Buna.

Te dhena teknike

Ura e re e Bunës është e gjatë 275.5 metra, ndërsa platforma lëvizëse është 75 metra. Gjerësia e urës është 13.5 m, ku përfshihen dhe dy trotuare anësore me gjerësi 2 metra secila. Lartësia e saj nga lumi është 6 metra, duke siguruar kalimin e mjeteve lundruese nën këmbët e saj. Hapja dhe mbyllja e urës, që lejon kalimin e mjeteve lundruese, përbëhet nga dy sisteme elektromekanik me kohëzgjatje deri në
8 minuta dhe një manual me kohëzgjatje 15 minuta.

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura