15 Qershor, 2022

“Është shumë e rëndë”/ Nga ndikimi i Aleksandër Lalos në jetën e saj te humbja e zërit, rrëfimi me lot në sy i Vikena Kamenicës


Sporanoja Vikena Kamenica është rikthyer në Shqipëri pas turit që zhvilloi në Francë.

Ajo dha edhe një intervistë gjatë ditës së sotme, ku u ndal fillimisht tek talent-show “Gjeniu i Vogël”, ku ajo është anëtare e jurisë. Duke qenë një kompeticion ku konkurrentë janë fëmijët, Vikena Kamenica tha se prindërit ndikojnë shumë tek ta, ndërkohë që vetë fëmijët nuk e vuajnë garën por e kuptojnë këshillën që iu jepet. Ajo shtoi se përpiqet që të jetë e drejtë me to, ndërsa i krahason me vajzën e saj.

“Tërë fëmijët kanë të njëjtën moshë me vajzën time dhe sa herë që thonë moshën them Krista”- tha ajo në intervistën e saj për “Abc News.”

Gjatë intervistës Vikena Kamenica, e cila prej vitesh është pjesë e botës së artit, u pyet edhe nëse e ka imagjinuar ndonjëherë veten pa zë.

“Është ëndrra më e keqe që mund të ketë çdo artist. Në fakt nuk ma kanë bërë asnjëherë këtë pyetje… thjesht u preka…Është shumë e rëndë, t’i thuash një artisti këtë gjë është si të priten duart, këmbët” tha Vikena.

Më tej ajo ndaloi specifikisht tek rasti i këngëtares Aurela Gaçe, e cila pak kohë më parë lajmëroi se është përballur me një problem shëndëtesor që do ta mbajë për disa kohë larg skenës.

“Ishte aq e çuditshme ajo euforia, ndërkohë që ajo është një gjë aq normale. Ne që kordën e punojnë më tepër se një njeri normal, normalisht që kostoja bëhet edhe më e madhe. Çdo gjë do të shlodhet… ajo gjëja që i ndodhi Aurelës ndodh me gjithë këngëtarët në botë dhe Shqipëri”– shprehu ajo.

Ajo u ndaj gjithashtu tek kënga “Grurë dhe Këngë”, duke kujtuar kompozitorin e njohur Aleksandër Lalo. E prekur ajo tregoi se atë këngë në spektakël e ka kënduar me lot në sy dhe gjithashtu tregon lidhjen që familja e saj ka pasur me të madhin Lalo, dhe se si ai ndikoi në formimin e personalitetin e saj artistik.

“Unë aty jam duke kënduar duke qarë sepse ka qenë nata inmemorium që iu bë Aleksandër Lalos që la emisionin në mes, që ku i ra në emisionin e vetëm që ai ishte live dhe quheshe “C’est la vie” dhe ai ndërroi jetë dhe ai ishte një nga njerëzit që thoshte “kjo është jeta”. Aleksandër Lalo është ai që më ka futur mua në muzikën e lehtë, në moshën 14-15 vjeç.

Im atë donte që unë të mësohesh me skenën, Aleksandër Lalo ka qenë në klasë me mamanë time, shumë shok me babain tim. Ai më filloi me ato reminishencat e tij të bukura jazz në muzikën e tij. Më futi në muzikën e lehtë ashtu siç duhej. Në formimin tim si personalitet artistik unë kisha pjesë edhe Aleksandër Lalon”- tha Vikena Kamenica.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al