Zbardhet vendimi prej 90 faqesh i Gjykatës për Arben Frrokun, prokuroria: S’ka firmat e 5 gjyqtarëve

Apr 9, 2015 | 9:03
SHPËRNDAJE

Gjykata për Krimet e Rënda njoftoi dje se zbardhi vendimin e plotë që i dha pafajësinë biznesmenit, Arben Frroku, në lidhje me vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Burime pranë kësaj gjykate konfirmuan se vendimi i zbardhur është depozituar në kryesekretarin e Gjykatës pas mesditës.  
 

Prokuroria nga ana tjetër tha se vendimi është i pa firmosur nga gjyqtarët dhe ka mbërritur në zyrat e organit të akuzës në mbyllje të orarit zyrtar rreth orës 16.00. Por, sipas burimeve të Gjykatës, vendimi, si dhe një kopje e CD-së të regjistrimit audio të seancës së shpalljes së vendimit përfundimtar, i është vënë në dispozicion organit të akuzës.  

Edhe pse vendimi u lexua i arsyetuar që ditën e shpalljes së tij, më 3 prill, gjatë kësaj kohe ai i është nënshtruar një redaktimi më të hollësishëm dhe përgatitjes së ekstremiteteve të tij. Në faqen zyrtare në internet të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në çështjen penale nr.1 që i përket të pandehurit Arben Frroku, nuk është publikuar diapozitivi i vendimit.  Në këtë faqe paraqitet vetëm fakti që dosja është e përfunduar dhe data e përfundimit. Kolonat ku duhet të shënohet pretendimi i prokurorit, pretendimi i avokatëve dhe dispozitivi i vendimit, janë të paplotësuara.

PROKURORIA  
Rreth orës 13.00 të ditës së djeshme, nga Gjykata e Krimeve të Rënda u njoftua zbardhja e vendimit të pafajësisë së Arben Frrokut dhe dorëzimi i dokumentit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Por për disa orë me radhë, Prokuroria tha se vendimi në fjalë nuk kishte mbërritur në zyrat e saj.

Rreth orës 16.00 mësohet se në sekretarinë e organit të akuzës është dërguar materiali i vendimit të dhënë nga Gjykata më 3 prill, për shpalljen e pafajshëm të Arben Frrokut, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.  Nga verifikimi i materialit në fjalë, Prokuroria tha se është konstatuar se dokumenti ishte i pa firmosur nga anëtarët e trupit gjykues në fillim dhe në fund të tij.

 “Dokumenti i mbërritur rreth orës 16.00 ishte një vendim i printuar pa firmat e anëtarëve të trupit gjykues që sipas ligjit, duhet të nënshkruajnë vendimin që kanë dhënë”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, ndodhur në këto kushte, dokumenti është marrë në dorëzim nga sekretaria e Prokurorisë, por nuk është marrë dhe nuk do të merret në konsideratë.  

“Nuk mund të merret në konsideratë një dokument i pa firmosur pasi nuk dihet çfarë përbën një material i tillë, nëse është vendimi përfundimtar i Gjykatës apo jo”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, zv.drejtuesi i Krimeve të Rënda ka firmosur dje një kërkesë tjetër drejtuar Gjykatës në lidhje me zbardhjen e vendimit dhe dërgimin e një kopje të tij me firmat e pesë anëtarëve të trupit gjykues.  

Thuhet se vendimi është një dokument në 90 faqe dhe pesë anëtarët e trupit gjykues mendohet se kanë pasur të njëjtin qëndrim për pafajësinë e Arben Frrokut, në lidhje me vrasjen e Dritan Lamajt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura