Nga Sarajeva në Durrës, shtegtimi i refugjatëve boshnjakë për të shpëtuar kokën! Historia e “Hercegovinës” së vogël në Shijak, si u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre

Oct 10, 2023 | 15:12
SHPËRNDAJE

SAMI GUZINA/ Jeton në periferi të Durrësit një komunitet boshnjakësh, të vendosur aty pas eksodit biblik të fillimshekullit të kaluar. Tregtarët e zanatçinjtë qëndruan në qytet, kurse të dashuruarit pas tokës e gjësë së gjallë u shtynë më thellë, deri në Shijak e në kodrat në veri të tij.

bosnje refugjate boshnjake2

Aty midis dy kodrave të buta si dy kurrize buajsh që “pinë ujë” në Erzen, në krahun perëndimor të tyre. Nga veriu rruga automobilistike (sot autostrada e hekurudha), e më tej fushë e pafund. Po cila është historia e tyre, si mbërritën aty, ishte zgjedhje e tyre, apo një aksident i rastit, çfarë traditash mbartin dhe lidhjet me vendin e të parëve, aq të dëshiruar në kohën e komunizmit, por jo pa probleme dhe në kohët e sotme…

BOSNJA E HERCEGOVINA, ATY KU NIS HISTORIA DRAMATIKE 00d41dd5-852e-4c08-a6fc-53ee4bc5a5a5

“Bosnja e Hercegovina janë një! Vetëm se Bosnja malet i ka të mbuluara me pyje e Hercegovina, jo”, thotë shkrimtari boshnjak, Nedžat Ibri?imovi?. Dokumentet e historisë për herë të parë e përmendin Bosnje-Hercegovinën, ( B e H – autori) në shekullin e IX-të. Ajo u formalizua me kryqin e Papës në vitin 1461, në Jajcë.

Sllavët e jugut erdhën në Ballkan që në shekullin VI, pastaj me dyndje të tjera dhe në shekullin VII e deri në shekullin IX. Popullsia boshnjake e vendosur në trojet ku është dhe sot, vinte nga viset bullgare të bogumilëve. Këto fise u vendosën në trevat e ilirëve të Batos. (Fisi i Desidiatëve dhe Breukëve).

Mbase ky popull sot ka trashëguar dhe pak gjak ilirësh, të cilët kishin mbetur të pakët aty nga luftërat e shumta antiromake gjatë shekullit VIII – IX.

Shteti boshnjak arriti majat nën sundimin e mbretit Tvrtka (1377).

BeH shtriheshin në mes të dy qytetërimeve dhe tregjeve të kohës: qytetit – shtet të Raguzës ( Dubrovniku sot ), që lidhej direkt me Venecian e Papatin e Romës, dhe Kostandinopojës. Otomanët turq pasi pushtuan Kostandinopojën (1453) u dyndën drejt Ballkanit dhe Evropës. BeH e nënshtruan në vitin 1483. Gjatë këtyre viteve ( shek. XV ) BeH u myslimanizua në masën 90 për qind.

Sarajevo u themelua në vitin 1507 (vjen nga turqishtja: saraj-oborr mbretëror).

(Sot, Sarajevo ka mbi 500 mijë banorë, kurse e gjithë BeH ka 4.6 milion banorë, dhe një sipërfaqe prej 52.197 km2.)

BeH qëndruan nën sundimin otoman deri në vitin 1878, kur Kongresi i Berlinit vendosi aneksimin e tyre, Austro – Hungarisë.

Menjëherë pas këtij vendimi, BeH përjetuan një dramë kolektive.

Tokat e saj deri atëherë nën sundimin e Portës, e nën komandën e vezirëve, tani do t’i përkisnin austro – hungarezëve. Kështu shkruhej në letra. Realiteti në terren u bë krejt tjetër. Dekreti i Sulltanit, që hiqte dorë nga BeH, i mbërriti Vezirit në Sarajevë. Por, urdhri i këtij të fundit për tërheqje, ose mbërrinte me vonesë nëpër krahina të largëta, ose kajmekamët, për herë të parë e vunë në diskutim.

Formacionet e ushtrisë austriake nuk pritën marrjen e sundimit konform konventave ndërkombëtare të kohës, por filluan sulmet në dhjetëra drejtime.

Serbët, etnikisht, duke përfituar nga situata, filluan sulmet në zona e fshatra të pa mbrojtura, duke vrarë, plaçkitur, e dëbuar myslimanët vendas nga trojet e tyre.

Kakofonisë së beretave, uniformave, xhubletave, tirqeve, u shtohen dhe grupime e çeta kryengritësish vendas, të cilët, të tradhtuar nga të gjithë anët, thjesht kërkonin të mbronin lagjet dhe shtëpitë e tyre nga plaçkitësit.

Të gjithë luftonin kundër të gjithëve…Ata që sot ishin aleatë, të nesërmen i gjeje kundërshtarë, paradite luftohej e pasdite kafenetë ishin plot, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Të nesërmen fillonte çdo gjë nga e para. Gjithë këtë situatë si në një film pa zë, e sjell për lexuesin nobelisti Ivo Andri?, tek romani historik “Ura mbi Drin”.

(Na Drinu quprija, Sarajevo-1991). Pra, mes gjithë kësaj katrahure, familjeve vendase u mbeteshin dy rrugë; të mbylleshin brenda avllive me shtatë çelësa e të prisnin fatin, ose të iknin nga sytë këmbët sa më larg këtij realiteti, të cilin askush nuk dinte t’ua shpjegonte apo t’u jepte garanci.

Në këtë situatë absurde, një pjesë e mirë zgjodhën variantin e dytë; të iknin, të iknin…kudo qoftë, vetëm të iknin. Të parët zgjodhën Turqinë. Fundja, me të bashkëjetuan përmbi katër shekuj. E nuk ishin të pakët. Me mijëra e mijëra. (Sot në Turqi numërohen mbi një milion boshnjakë.)U nisën….Drejt Turqisë me të cilën bashkëjetuan thuajse katër shekuj. I lidhte jo vetëm feja, por dhe kultura e arsimimi. Dhe sa më larg “shvabëve” austro-hungarezë e domosdo armikut të përjetshëm, serbit. Austro-Hungaria e mbajti mbretërimin e saj në BeH për 40 vjet, deri në vitin 1918.

Me 3 nëntor 1918, BeH bëhet shtet i pavarur. Këshilli i Popullit vendosi që BeH t’i grupohet bashkësisë së shteteve të sllavëve të jugut, duke formuar monarkinë e Jugosllavisë. Mbreti i parë i Jugosllavisë ishte Petër i Parë. Ky mbretërim e më pas socializmi i përbashkët me në krye Titon, si drejtues e fitues i luftës antinaziste, e mbajtën BeH brenda Jugosllavisë deri në fillim të viteve ’90, të shekullit XX.

Me 1 prill 1992, me referendum popullor BeH u shpall për të dytën herë shtet i pavarur.

bosnje refugjate boshnjake

 

BOSHNJAKËT E SHQIPËRISË

Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, (1878), ikja e boshnjakëve e hercegovinasve nga trojet e tyre, ishte masive, kryesisht apo thuajse drejt Turqisë, drejt atij vendi që i kishte turqizuar me gjithçka prej shekujsh.

Një ndalesë e gjatë e anijes në Durrës (defekt apo karantinë, ç’rëndësi ka) i bëri të zbrisnin në tokë, në këtë Turqi a Hercegovinë të dytë, me tokë e klimë të butë, njerëz dashamirës, e fundja shumë më afër vendlindjes se shkretëtirat e Anadollit (andej u syrgjynosën mijëra e sot jetojnë mbi një milion boshnjakë). Erzeni nuk ishte Neretva, por tokat ishin shumë të mira e vendasit i joshën për të mos lëvizur më.

Tregtarët e zanatçinjtë qëndruan në Durrës, më pas edhe në Tiranë, kurse të dashuruarit pas tokës e gjësë së gjallë u shtynë më thellë, deri në Shijak e në kodrat në veri të tij. Dhe u integruan me mënyrën e tyre me komunitetin e vendasve.

Marrëdhëniet fillestare me ta ishin të kufizuara. Jo vetëm nga gjuha. Hallet i zgjidhnin mes “vedit”. Përmbi njëqind vjet boshnjakët shqiptarë ishin një komunitet i veçuar, i braktisur, i panjohur nga të gjithë. Jo vetëm nga Tirana zyrtare, e çdo regjimi qoftë, por edhe nga shteti amë. Aq sa në takimet e para të pasluftës të BeH,(1992- 1995) me shtetarët e gazetarët nga Sarajeva, kur u thoshim se në Shqipëri jetonin thuajse 10.000 boshnjakë, ngrinin supet e tundnin kokat me habi. Pastaj kërkonin ta shihnin, ta preknin këtë realitet. Fshati BORAKE, por edhe Koxhasi e Shijaku u bënë vende pelegrinazhi për presidentë, ministra, gazetarë e kronistë.

Kur njiheshin me historinë mbi një shekullore, gjuhën e pastër e të ruajtur për katër, pesë apo gjashtë breza, kontributin në Shqipëri, ndjeheshin krenarë për këtë “HERCEGOVINË” të vogël, duke na quajtur “ambasadorë” të Hercegovinës së madhe .

Çuditërisht, kur njiheshin zyrtarisht të gjitha pakicat kombëtare në Shqipëri, boshnjakët nuk njiheshin. Ata ishin zbulim i pas vitit 1995 në sajë të shoqatës “Zambak”. Ata i njihnin vetëm shijakasit vendas, madje edhe ata, si “muhaxhirë” (të ardhur, të shpërngulur nga diku).

“Të ardhur, të urtë, të emancipuar, punëtorë, trima e qejflinj dasmash”.

Të tillë ishin boshnjakët për 50 vjet( 1948 – 1990 ). Jugosllavë, titistë, për politikën e telave me gjemba. (Asnjë familje a fis nuk mbajti mbiemrin e vet origjinal). Për t’i gjunjëzuar, u hoqën dhe nënshtetësinë.

Boshnjakët duhet të ishin, thjesht shqiptarë e nën zë… jugosllavë. Të ishe jugosllav pas vitit 1948 të shekullit të kaluar, ishte njëlloj sikur të kishe damkën në ballë. Boshnjakët kryesisht janë në Shijak e në dy fshatrat afër (Borake e Koxhas), por i gjen në Durrës, Tiranë, Shkodër, Kavajë, në Libofshë të Fierit (të ardhur nga Sanxhaku i Hercegovinës pas Luftës së Parë Botërore). Boshnjakët sot e kësaj dite u mbetën mirënjohës shijakasve vendas.

E mirënjohura Edith Durham në rrugëkalimin e saj nëpër Ballkan(1912) thekson: “…Shijaku thuajse ishte tërësisht i banuar nga shqiptarë-myslimanë, të ikur nga Bosnja në kohën e pushtimit austriak…”( Brenga e Ballkanit, faqe 92, botimi Tiranë).

Boshnjakët me vendasit dhanë e morën mbi 140 vjet, me një mirëkuptim shembullor.

Atdheut të dytë, Shqipërisë, i dhanë djersë e gjak, punë dhe emrin e mirë.

Është bukur të kesh dy atdhe.

Të parët e mi, brezat që erdhën më pas, deri te fëmijët tanë, mbijetuan me gjithçka që sollën stërgjyshërit nga trevat e Hercegovinës, gjuhën e fenë, traditat dhe historinë, përrallat e gjyshërve e këngët në dasma e gëzime.

Pa harruar dashurinë për lulet, trëndafila, zambakë, karafila etj.

TRADITAT DHE ZAKONET E BOSHNJAKËVE TË SHQIPËRISË

Mbahen mend se dasmat bëheshin thuajse si në Hercegovinë. Gratë dhe vajzat e fisit (por dhe djemtë) mblidheshin një javë përpara (kryesisht pas darkave,) kërcenin valle të kënduara boshnjake. Për fëmijët ishte hare e paparë e u ngatërroheshin nëpër këmbë.

Dhe dasmat (valle, këngë, ushqimi, marrja e nuses…) bëheshin sipas traditës së sjellë nga shteti amë. Edhe lojërat e fëmijëve dhe të rinjve ishin të tilla, sepse ne nuk dilnim nga fshati e nuk kishim nga t’i “importonim”. Traditë tjetër shumë domethënëse ishte kontributi i fshatit për njëritjetrin apo për më të varfrit e familjet që kishin pak krahë pune (mobina). Mblidheshin 5-6 apo dhe 10-12 djem e burra dhe punonin vullnetarisht te njeri apo tjetri. I zoti i shtëpisë u përgjigjej vetëm me dreka apo darka (ata që i kishin mundësitë). Pas darkave mblidheshim të tjerë burra nga fisi apo fshati për muhabete gazmore. Njëri nga ata ishte i urti e i dituri Ali Kapedani, i cili në oda burrash lexonte gazmore a këngë kreshnikësh nga libri “Pjesnarica” në gjuhë boshnjake. Ishte një harmoni e shkëlqyer brenda të dy fshatrave. Si djemtë e vajzat e boshnjakëve, paçka se shumica jetonin në fshat ishin të emancipuar, në veshje, marrëdhënie e komunikim. Që prej një shekulli, shumica e tyre martoheshin me dashuri e dasmat i bënin “tym”. Qejfli si ata. Kënga e vallja boshnjake tundte dheun.

Nuk shihje një grua jo me ferexhe, por as me të zeza, paçka se ishin myslimanë. Madje, në fshatrat shqiptarë për rreth, këto dukuri ishin të zakonshme. Respekti ndaj femrës brenda komunitetit boshnjak ishte e mbetet i dukshëm e i natyrshëm.

A NDJEHESHIN TË HUAJ NË SHQIPËRI

Në fillimet e ardhjes, besojmë po! Si çdo njeri në dhe të huaj. Madje, edhe e kishin mendjen për t’u rinisur në Turqi. Kjo ishte arsyeja që mjaft familje fillimisht u strehuan me qira apo ndërtuan shtëpi provizore në Rrashbull e Jubë. Madje, Shaban Guzina ( stërgjyshi im )me të vëllanë, Saliun mbasi qëndruan 5-6 vjet në Borake u shpërngulën në Rrashbull që të ishin sa më afër portit në pritje të anijes së parë për në Anadoll. Por, me vdekjen në moshë të re të vëllait, i cili la gruan e dy vajza të mitura e lindjes së djalit të dytë, (Shaqiri) Shabani u rikthye përfundimisht në Borake në vitin 1901.

Kështu pra, me lindjet e vdekjet e para të gjithë të zbarkuarit në Shqipëri vendosën të qëndronin këtu. Tregtarët e zanatçinjtë mbetën në Durrës apo u zhvendosën në Tiranë më pas. Tokat fillimisht i morën në përdorim nga beu që i zotëronte ato dy kodra me shkurrishte e shelgje buzë Erzenit. Më pas i blenë me flori, i regjistruan në kadastrën turke të nënprefekturës së Shijakut. Sigurisht, secili sipas mundësive e nevojave. Në vite e dekada i shumuan bagëtitë e të ardhurat, tokat e dyqanet. Shumica e dyqaneve e zanatçive në qytetin e Shijakut zotëroheshin nga boshnjakët.

Nga libri i simpoziumit kushtuar ardhjes e integrimit të boshnjakëve në Shqipëri, organizuar nga Shoqata “Zambak” në 1.3.1999, ku referoi studimin e tij dhe piktori i merituar e historiani shijakas, Agim Faja, kam shkëputur këtë pasazh referuar kësaj teme: …Ndër kafenetë me emër në Shijak ishin kafja e famshme e Sulë Dukaliqit (Duka). Ose mulliri i vetëm i Abdulla Gashit, furra e Ramiz Baçit apo Muç Muhaxhirit në lagjen e krutanëve. Këpucarët si Arif Malltezi e Arif Sfinjari, kasapët Hamza Malltezi, Ali e Halil Muhaxhiri e Mustafa Hallapi, gjellëtorja e Meshan Aksahiut, rrobaqepësia e Haxhi Sukajt, dyqanet ushqimore të Sali Ramës, Muhamet Dizdarit, Abdulla Malltezit, Sulë Sfinjarit e Sulë Baçit apo dyqani i armëve i Ibrahim Gashit e më pas pastiçeria e mjeshtrit Refik Kadra. Të gjithë këta ishin muhaxhirë, boshnjakë.

Tregtari me emër Muharrem Golovi? (Gollaj) zotëronte dy dyqane, në Shijak e Durrës që në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Pra, kaq biznese të larmishme Shijaku vështirë që i ka dhe sot, siç i ka pasur në vazhdimësi gjatë shekullit të 20-të.

Kësisoj, zgjerimi i familjeve, pronave e dyqaneve vit pas viti solli një bashkëjetesë të re me vendasit. Diku mungesa e gjuhës, diku vetëpërmbajtja, zakonet e tradita e bashkëjetesës në komunitet, ky integrim erdhi natyrshëm e hap pas hapi.

Boshnjakët (muhaxhirët) prezantoheshin para vendasve si njerëz të qetë, të besës, disi të ndrojtur, punëtorë si askush e po të tillë si trima në çdo përpjekje e betejë ku ata u bashkoheshin vendasve për mbrojtjen e trojeve të atdheut të tyre të dytë. Duhej të kalonin vite e dhjetëvjeçarë që ata të ndiheshin “zot shtëpie”.

Dhe ndikuan jo vetëm vitet, por dhe mjaft ngjarje politike e sociale që sollën dhe domosdoshmërinë e intensifikimin e marrëdhënieve me vendasit.

LIDHJET ME TOKËN E TË PARËVE, BOSNJË-HERCEgOIVINËN

Këto lidhje deri më 1948 kanë qenë të lira, paçka të rralla e individuale nëpërmjet vizitave tek të afërtit apo martesave sporadike. Pastaj erdhi “shtetrrethimi” nga i cili s’mund të kalonte asnjë zog për të dërguar apo për të sjellë qoftë dhe një letër.

Edhe vdekjet e të afërmve të mjaft familjarëve këtu e andej merreshin vesh mbas viteve… “Dyndja” e parë e muhaxhirëve drejt vendlindjes së të parëve u bë në vitin ’90, pas shembjes së murit të Berlinit. Por, pa u shmallur mirë, një javë pas referendumit e shpalljes së B-H, republikë e pavarur (1 mars 1992) filloi ajo luftë e çmendur që habiti botën në fund të shekullit të 20-të e në mes të Evropës.

Në nëntor të 1995 me Konferencën e Dejtonit u arrit armëpushimi e u rihapën kufijtë drejt B-H, tashmë të shkatërruar. Gjatë kësaj lufte mjaft familje në Borake e jo vetëm, kanë strehuar e mbajtur me dhjetëra familje apo persona boshnjakë të ikur nga tmerret e luftës apo të përzënë nga trojet e tyre prej militaristëve serbë e kroatë. Gjithsesi rifilluan lidhjet. Një muaj para Dejtonit ( 28 tetor ) intelektualët dhe dashamirësit e çështjes themeluan dhe shoqatën “Zambak”, e cila u bë menjëherë urë lidhëse mes dy “atdheve” tanë. Dhjetëra zyrtarë, gazetarë, kronistë nga Sarajevo e Mostari vërshuan drejt Shqipërisë e domosdo drejt Borakës për të parë këtë tokë mbushur me bunkerë….

Fillimisht, kishte vështirësi. Mungesa e ambasadave reciproke, e mjeteve, pagesat e larta doganore në kufirin e tyre, (të komanduar nga serbët, sot e kësaj dite), por dhe largësia e shtetit amë (jemi i vetmi komunitet në Shqipëri, i cili duhet të kaptojë shtatë male për të arritur në kufijtë e atdheut të parë). Tashmë, tërë ato “barrikada” janë zhdukur.

Me dhjetëra agjenci udhëtimi operojnë drejt Sarajevës e Mostarit, me një kartë identiteti kalon e për 3-4 orë je në Mostar. Dhe për ata, Shqipëria tashmë është bërë vend turistik e pushimesh në plazhe. Shoqata “Zambak” nëpërmjet ambasadorit të B-H këtu e më pas zyrtar i lartë në Sarajevë, z. Muharrem Zejnullahu, vendosi lidhje reciproke mes komunitetit boshnjak në Shqipëri e autoriteteve boshnjake në Sarajevë e Mostar. Po kështu, vizitat e autoriteteve të larta të shtetit boshnjak në Tiranë e në trevat tona u treguam atyre se ne ishim ambasadorët më të mirë shekullorë në Shqipëri.

 

auto_lufta1581343656

INTEGRIMI, SFIDA DHE REALITETE

Integrimi i boshnjakëve në jetën shoqërore, kulturore e ekonomike është bërë natyrshëm. Raportet e mirëkuptimit dhe të tolerancës, të cilat u vendosën që në fillim me banorët vendas do të luanin rol kryesor për marrëdhëniet shumë të mira mes tyre, të cilat vazhdojnë dhe sot…

Trajtimi ishte i njëllojtë për bursat në shkollat e mesme profesionale apo ato të larta, për vende pune apo dhe më lart. Asnjë aplikuesi boshnjak nuk i është mohuar asnjë kërkesë thjesht nga origjina. Gjithnjë në vlerësimin si çdo shqiptar e jo pakicë kombëtare. Integrimi ka qenë thuajse i plotë në vite. Natyrisht, partia-shtet dinte gjithçka. Origjinën dhe aktivitetin e kujtdo. Natyrisht, ndiqte ecurinë e kujtdo. Mbase më me vëmendje se shqiptarët vendas. Dhe kudo bënë emër të mirë. Ja vlen këtu të përmendim Hasan Ibrulin, i cili në vitin 1939, shtëpinë e vet e vë në dispozicion për të hapur shkollën e parë shqipe për fëmijët boshnjakë.

Të parët mbeten në histori: Qazim Zyriqi, Ali Gashi, Ramiz Shika, Lim Gashi, Sherife Hallapi, Abdulla Kapitani, Rabije Kllari (Sabli), Sadete Shehu, Ismail Sfinjari etj. Këtyre u paraprinë Ali Kapetani, Halil Duka etj., që kishin vazhduar shkollën në qytetin e Shijakut. Sot fëmijët, djem e vajza i gjen në çdo fakultet të universiteteve të Tiranës a në çdo vend të botës….

LUFTËTARËT BOSHNJAKË

Boshnjakët kanë luftuar krah bashkëvendësve që nga lufta për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët (1913) kundër haxhiqamilëve 1914-1915, në Luftën e Parë Botërore, në luftën e Vlorës (1920) iu bashkuan fanolistëve (1924) e domosdo në luftën antifashiste (1941-1944). Pa harruar ngritjen e flamurit në Vlorë ku dhe një grup luftëtarësh boshnjakë e shoqëruan Ismal Qemalin nga Durrësi në Vlorë.

Në tërë këto luftëra ata jo vetëm janë dalluar për trimëri deri në “kokëkrisje”, por historia numëron mbi 13 luftëtarë dëshmorë boshnjakë. Deri te “Dëshmori i Kombit”, Ali Shika, i rënë në luftën kundër krimit në vitin 1997. Luftëtarë atdhetarë boshnjakë iu rreshtuan çetës së Shijakut e brigadave partizane kundër nazifashistëve. Emra të tillë si Ibrahim Sfinjari, Osman Kllari, Shaqir Guzina, Rifat Gashi, Ibrahim Shahi, Ahmet Miça, Shefqet Kadra, Adem Tabaku, Qamil Gashi, Hysni Shaqiri, Sulejman Gollaj e domosdo luftëtarët e rënë në fushat e betejës për lirinë e Shqipërisë dhanë një shembull vetëmohimi e patriotizmi se si duhet mbrojtur vendi ku jeton. Ashtu si dhe 120 dëshmorët shqiptarë që dhanë jetën për mbrojtjen e Bosnje-Hercegovinës gjatë okupimit serb (1992 – 1995).

Nga komuniteti boshnjak numërohen mbi 360 kuadro me arsim të lartë, të përfunduar në Shqipëri e jashtë vendit. Në çdo fushë e sektor ata kanë lënë gjurmë si specialistë e drejtues të shkëlqyer. E jo vetëm në ekonomi e jetën shoqërore, por dhe në kulturë, art e sportin shqiptar. Të gjithë këta kanë nderuar jo vetëm komunitetin boshnjak, por dhe gjithë Shqipërinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura