Vështrim në dy kohë…

Dec 13, 2024 | 7:53
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Çmim të parë për skenarin ramizian “Antidemokracia”-”Katovica”! (Botuar më 5 dhjetor 1991 në gazetën “Republika”)

Një juri speciale e përbërë nga personalitete të njohur të publicistikës, letërsisë dhe kritikës së realizmit socialist, komunistë të sprovuar e të përjetshëm, vendosi unanimisht t’i japë Presidentit tonë “të nderuar”, Ramiz Alia çmimin e parë për skenarin e filmit serial “Antidemokracia”, njohur edhe me emërtimin “Katovica”… Skenari është voluminoz, por për të plotësuar kureshtjen e lexuesve, do të japim vetëm disa pika të platformës së tij.

– Të pranohet pluralizmi, pasi të jenë gjetur “kuajt e Trojës”, domethënë “të Bllokut dhe Sigurimit tonë”, për t’i futur në gjirin e PD-së, PR-së, PSD-së, organizatave, sindikatave, si dhe forcave të tjera opozitare, me synimin për të mbjellë dhe korr përçarjen e tyre të vazhdueshme…! Njerëzit tanë të futur në PD e partitë e tjera opozitare të ngjiten në tribuna e të mbajnë fjalime “bombë” kundër komunizmit, duke mos lënë gjë pa thënë kundër Enver Hoxhës së vdekur, por edhe kundër meje si dhe epokës sonë…!

– Zëra misteriozë (sampistësh, sigurimsash civilë, të padjegur akoma) t’i ndërsejnë demonstruesit drejt monumentit të Enver Hoxhës, për ta rrëzuar, lehtësuar apo bërë gati një natë më parë nga njerëz tanë… Ky akt të shfrytëzohet ashtu si Raishtagu nga Hitleri.

– Në zgjedhjet e 31 marsit t’i premtohen popullit, sidomos fshatarëve, që e hanë më lehtë sapunin për djathë dhe prasin për kallam sheqeri ose floriri, duke u dhënë bagëti e rrecka të dielën dhe rrëmbyer të hënën, pasi t’i kenë hedhur votat në kutira për PPSH-në.

– Pas fitores, terror masiv, veçanërisht në qytetet ku demokracia është më e pushtetshme dhe më e mbështetshme, si Tirana, Shkodra, Kavaja…

– Të detyrohen apo gënjehen partitë kryesore të opozitës të marrin disa poste në Qeverinë e Stabilitetit apo të koalicionit, për t’i shërbyer PSSH-së, si ombrellë apo si parzmore në mbrojtje nga goditjet e pakënaqësisë dhe revoltës së popullit… Qeveritarët e tyre… të jenë në çdo çast të kontrolluar dhe të mbeten të izoluar. Çdo ide dhe punë e tyre të deformohet dhe sabotohet, pa arritur të zbresë poshtë. Të përdoren të gjitha mjetet, mënyrat dhe potencialet për t’i joshur dhe diskretituar me shpërblime, rrugë jashtë shtetit dhe privilegje.

– Rinovimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit të realizohet duke përdorur të njëjtët kuadro dhe specialistë, duke u ndërruar zyrat dhe telefonat ose duke i nxjerrë nga dyert dhe duke i futur nga dritaret.

– Drejtimi i RTSH-së të mbetet monopol i fortë i partisë sonë, sepse e kemi një nga armët tona më të fuqishme…

– Të përjashtohen nga PSSH-ja bllokmenët që kanë abuzuar, me përjashtimin tim (Ramiz Alia)! Disa prej tyre edhe mund të arrestohen, sa për t’u hedhur hi ndër sy shqiptarëve dhe botës, por të trajtohen demokratikisht dhe jo siç i kemi trajtuar ne “armiqtë e pushtetit popullor”.

– Për të diskretituar partitë e opozitës të rrënohet edhe më shumë ekonomia, duke mbjellë kudo tmerr, panik dhe pasiguri, nëpërmjet vjedhjes së magazinave me mallra tona apo nga ndihmat e botës, në mënyrë që dyqanet të mbeten gjithnjë bosh dhe radhët të gjata, torturuese fizikisht dhe psikologjikisht…

-Të nxiten dhe lehtësohen eksode masive në porte dhe kufi, në mënyrë që të thyejnë qafën të gjithë demokratët dhe pasuesit e tyre dhe Shqipërinë ta gëzojmë të qetë ne komunisto-socialistët, trashëgimtarët dhe mbështetësit tanë të përjetshëm…

– Zgjedhjet të bëhen sa më formale, në mënyrë që populli të zhgënjehet dhe ftohet plotësisht nga partitë e opozitës, të humbë fare besimin ndaj tyre dhe ndaj demokracisë në përgjithësi! Kjo periudhë të shërbejë për të marrë dhe konsoliduar plotësisht e përjetësisht pushtetin ekonomik, që do të na japë mundësi për hakmarrje dhe për të rimarrë pushtetin politik, në qoftë se, largqoftë e humbim formalisht për një periudhë të shkurtër.

– Të krijohen sa më shumë parti të reja, me sa më shumë njerëz tanë në drejtimin e tyre, në mënyrë që secila prej tyre të rrëmbejë forca nga partitë e para opozitare dhe të mos krijohen mundësi për unitet të vërtetë politik e kombëtar mes tyre! Të bëhet gjithçka për përçarjen dhe dobësimin e PD-së, duke futur në gjirin e saj sa më shumë njerëz tanë, që, siç thotë populli, “ta marrin kalanë nga brenda”… Kështu, duke i zhgënjyer nga PD, do të kemi shkak e gojë t’u themi shumicës së popullit: “E provuat edhe PD-në, dhe demokracinë e saj? Ja, kjo është demokracia që meritoni! Prandaj, mbyllini sqepat dhe gëzoni “demokracinë e re” që ju sigurojmë ne!”. Kjo ishte sinteza e skenarit “largpamës” të Ramiz Alisë për filmin me shumë seri “Antidemokracia” ose ndryshe me emrin e diskutueshëm “Katovica”. Nuk është sipas tekstit origjinal apo në një kopje, por marrë me mend e përfytyruar nga unë duke u mbështetur në zhvillimet, veprimet, deklarimet, rrjedhojat… brenda e jashtë PD-së.

33 VJET MË VONË… PAK REFLEKTIM E KTHESË…

Sinqerisht, kur e rilexova pas 33 vitesh këtë shkrim nuk ndjeva kënaqësi që kam pasur “largpamësinë” për të parashikuar rreth 33 vjet më parë shumëçka ka ndodhur në këtë gjase demokraci dhe gjase kapitalizëm, të zbatuar te ne. Ndjeva më shumë keqardhje për shumicën e shqiptarëve, përfshirë edhe veten si dhe përbuzje dhe urrejtje për “arkitektin projektues” dhe “grupin e arkitektëve zbatues” të këtij skenari çnjerëzor dhe antishqiptar. Ata që janë sot rreth 50-vjeçarë e lart, masivisht, duhet t’i njohin shumë mirë. Atëherë, unë nuk mund t’i identifikoja me emra dhe mbiemra të gjithë në këtë shkrim, edhe sepse ishte shumë herët, edhe sepse nuk u ishin çjerrë maskat plotësisht, edhe sepse disa ishin në majë të piramidave politike dhe qeverisëse… dhe unë, thjesht një gazetar e vartës i tyre, pa asnjë mbrojtje nga falangat e tyre të njohura e ilegale…

Megjithatë, me nëntekstin, i kam bërë lehtësisht të identifikueshëm, së pari nga Berisha, që u njihte dosjet dhe pseudonimet shumicës së këtyre misionarëve e pastaj nga çdo demokrat i thjeshtë e i vërtetë. Edhe një sqarim: për ato që kanë sajuar Ramiz Alia dhe “kukullat’ e tij të kohës sa qe gjallë e të mëvonshëm, deri të sotshëm, që u angazhuan për zbatimin e këtij skenari nuk mund dhe nuk duhen penalizuar të gjithë demokratët e vërtetë, që e deshën dhe e duan PD-në me zemër, ideal, ndershmëri, sakrifica, jo pak edhe me jetë. PD-ja nuk ishte dhe nuk është e “demokratëve të Ramiz Alisë”, Fatos Nanos, Edi Ramës dhe e mercenarëve të tyre, por e djemve dhe vajzave të Kavajës, Shkodrës, Tiranës, të gjithë Shqipërisë, që e urrenin dhe urrejnë Ramiz Alinë dhe palo socializmin e tij, po aq sa Enver Hoxhën dhe nuk do të futeshin në zyrën e tij edhe sikur ai t’ua shtronte rrugën me flori… Pikërisht nga kjo “ushtri” demokratësh të sinqertë, idealistë, kontribuues dhe sakrifikues me zemra e vepra, pa vënë “Mur kinez” mes brezave në gjirin e saj, pa i fut të gjithë në një thes për “gabimet”, punët e mbrapshta, gjëmat dhe “mëkatet e paramenduara” të çetës së ramizianëve, sorosianëve, pseudonimsave, të “kuajve dhe pelave të Trojës, Bllokut, Sorosit, UDB-së, Asfalisë…” ngjitur deri në krye saj, PD-ja ishte dhe mbetet një alternativë e fortë për demokraci e kapitalizëm të vërtetë dhe për mirëqenie reale, si në shumicën e vendeve të BE-së e të përtej Atlantikut, Kanada, SHBA… deri në ato të Lindjes së Largët…

Gjithsesi, iu drejtuesit e copave të PD-së, gjykoni vetë, me qetësi dhe pjekuri, për këtë shkrim e kritikat nga poshtë, nga masa e demokratëve si dhe për këshillat, rezolutat, mbështetjet dashamirëse që ju vijnë nga brenda e nga jashtë vendit, për të mos lejuar më shumë në gjirin e opozitës kacafytje “gladiatorësh apo skllevërish”, më shumë të investuar nga Tirana, Beogradi, Moska, Xhorxh Soros…, nga kolltuko-kryetarmania dhe deputetmania se sa të natyrshme e të justifikueshme. Copëtimi i PD-së në 2,3,4,5… pjesë do të ishte gjëmë afatgjatë për vendin dhe kombin dhe do t’i lumturonte shpirtrat monstruozë të Enverit dhe Ramizit në ferr si dhe Edi Ramën me shoqe e shokë, me çetat apo bandat e tyre politike, oligarkike, investitor-strategjike, kanabiziste, xibrakaiste, kullaiste, ndragetaiste…! Është dita apo ora që të mendoni e përpiqeni shumë më tepër e më mirë vetëm për PD-në e sotme e të nesërme, si alternativa jo ideale, por më e mirë e mundshme në realitetin dhe mentalitetin tonë, për Shqipërinë dhe shqiptarët, për vetveten, për fëmijët tuaj dhe tanë të sotëm e të nesërm!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura