Lista e PS, emrat e rinj të deputetëve në qarqe. Veliaj në Gjirokastër, Fino në Korçë, Duka në Durrës

May 2, 2013 | 9:03
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste ka gati listat e deputetëve për disa nga qarqet kryesore të vendit. Qarku i Tiranës duket se do të jetë i fundit që të përmbyllet, për shkak të kandidatëve të shumtë, por dhe problematikës që kjo listë përmban, pasi gara do të jetë e ashpër për të garantuar një diferencë mes dy koalicioneve. Vetëm pas mbledhjes së Kryesisë do të dimë përfundimisht nëse Edi Rama do të kandidojë në qarkun e Vlorës, për të cilën mundësitë janë të shumta, apo në Tiranë. Por burime pranë PS nuk e mohojnë edhe mundësinë e moskandidimit të tij në këto zgjedhje. Kjo dhe duke u nisur nga një deklaratë e tij e bërë pak kohë më parë, kur ka thënë se “unë në Parlament do të jem si Kryeministër”. Lista e Vlorës, pas Ramës, vijon me deputetët aktualë Leskaj, Malaj, Toçi, Deda e Xhuvani. Pritet që pjesë e listës së Vlorës të bëhet dhe ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, ndërsa duket se jashtë kësaj liste do të mbetet deputeti Arben Isaraj, i cili është dhe anëtar Kryesie. Edhe qarku i Gjirokastrës është tashmë i konfirmuar. Lista kryesohet nga sekretari socialist për sipërmarrjen, Arben Ahmetaj dhe vijon me ish-ministrin e Financave, Anastas Angjeli, sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj dhe nga biznesmeni Vladimir Kosta. Veliaj, i cili u angazhua për pak kohë në qarkun e Korçës, duket se nuk u mirëprit në këtë qark. Përfundimisht ai është vendosur në qarkun e Gjirokastrës, nga i cili Arta Dade është transferuar në listat e Tiranës, madje në Njësinë Nr. 5 të saj. Ndërsa nga Tepelena ka lëvizur dhe profesor Ethem Ruka, i cili kishte kohë që punonte në këtë rreth. Tashmë dihen të plotë emrat e kandidatëve socialistë që do të kandidojnë në qarkun e Shkodrës, i cili kryesohet nga deputeti aktual Tom Doshi e që vijon me profesoreshën Mimoza Hafizi, Paulin Sterkajn, kreun e PS së këtij qyteti, Namik Kopliku. Po ashtu edhe qarku i Elbasanit nuk solli surpriza, përveç emrit të Musa Ulqinit, që do të kandidojë në zonën e Cërrikut e Belshit. Jashtë liste në këtë qark mbeten Shega Ligori, Agim Leka dhe Skënder Hasa, ndërsa Ilir Bejtja mbetet ende në diskutim për vendin e tetë në listë. Qarku u Beratit është po ashtu i zyrtarizuar tashmë. Lista kryesohet nga Eduard Shalsi, i cili është dërguar në këtë qark vetëm pak ditë më parë, i ndjekur nga deputeti aktual Fidel Ylli, Ermonela Felaj e më pas mjeku Eduard Bejko dhe drejtori i Ujësjellësit të Bashkisë, Stavri Ceca. Jashtë liste duket se mbetet deputeti Marko Bello, ndërsa kryesuesi i Beratit në vitin 2009, nënkryetari i Grupit Parlamentar Erjon Braçe, mund të jetë pjesë e listës së Tiranës, ose ta refuzojë përfundimisht kandidimin. Lista e kandidatëve të Korçës duket se ka më shumë vendalinj se sa të ardhur në zonën e sigurt. Lista kryesohet nga Pandeli Majko dhe vijon me kryetaren e gruas, Olta Xhaçka, por ka në përbërje të saj dhe deputetin e qarkut të Fierit, Bashkim Fino. Në përbërje të kësaj liste janë dy kryetarë të PS, ai i Korçës, Ilir Pendavinji dhe ai i Pogradecit, Ilir Xhangolli. Më e paqartë duket lista e Durrësit dhe e Fierit, dy qarqe që përcaktojnë dhe fituesin e zgjedhjeve. Lista e Fierit mbetet e paplotësuar, kryesohet nga Gramoz Ruçi, por në përbërje të saj është dhe deputetja Eglantina Gjermeni, e cila në vitin 2009 u zgjodh në Njësinë Nr. 5 në Tiranë, ishte e deleguar në qarkun e Durrësit, e angazhuar për rrethin e Krujës dhe kandidohet në qarkun e Fierit. Nga qarku i Fierit duket se nuk do kandidojnë Albert Caci, Arben Çuko, por dhe Anduel Xhindi.

Lista e kandidatëve të PS
Kukës
Vexhi Muçmata
Vladimir Elezi

Dibër
Shkëlqim Cani
Qemal Minxhozi
Ulsi Manja

Lezhë
Mimi Kodheli
Armando Prenga
Ndrec Deda
Arben Ndoka
Gjok Jaku

Shkodër
Tom Doshi
Mimoza Hafizi
Paulin Sterkaj
Namik Kopliku
Gentian Bali

Berat
Eduard Shalsi
Fidel Ylli
Ermonela Felaj
Eduard Bejko
Stavri Ceca

Fier
Gramoz Ruçi
Eglantina Gjermeni
Ilirian Celibashi
Armando Subashi
Ervin Koçi

Durrës
Blendi Klosi
Ilir Beqja
Klodiana Spahiu
Agron Duka
Edison Konomi

Korçë
Pandeli Majko
Olta Xhaçka
Bashkim Fino
Ilir Pendavinji
Ylli Ziçishti
Ilir Xhangolli
Irena Kallço

Elbasan
Ben Blushi
Evis Kushi
Damian Gjiknuri
Taulant Balla
Alfred Peza
Musa Ulqini
Arben Kamami
Luljeta Arapi
Ilir Bejtja

Vlorë
Edi Rama
Valentina Leskaj
Arben Malaj
Fatmir Toçi
Luiza Xhuvani
Thedhori Sollaku
Eltar Deda
Edmond Leka
Etiona Hoxhaj

Gjirokastër
Arben Ahmetaj
Anastas Angjeli
Erion Veliaj
Vladimir Kosta

Malaj: Cilësia e qeverisjes, nga cilësia e listave
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, ka kërkuar nga lidershipi i PS që të zbatohen disa parime në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, cilësia e qeverisjes së socialistëve nesër në pushtet do të varet nga cilësia e listave të deputetëve. “Çdo kërkesë e çdo anëtari dhe mbështetësi të PS, qoftë anëtar i thjeshtë, qoftë anëtar i Kryesisë për kriteret e përzgjedhjes së ekipit, për parimet e përzgjedhjes së tyre, për respektimin e meritokracisë, për respektimin e një procesi demokratik nga qendrat e votimit deri te vendimi përfundimtar, nuk është një element i një qejfmbetje, por një element i një përgjegjësie maksimale, pasi nga mënyra si do zbatohen këto parime dhe nga cilësia e ekipit konkurrues në zgjedhje, do të varet edhe përmasa e fitores, por edhe cilësia e qeverisjes së vendit”, deklaroi Malaj për Oranews. Duke u ndalur në paktin PS-LSI, Malaj tha se sfida e koalicionit të ri është: “Sfida e cilësisë së fitores së zgjedhjeve dhe sfida e cilësisë së qeverisjes së vendit”.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura