MISTERI/ “Lëngu i çuditshëm që u gjet në banjën e Shehut, pas vetëvrasjes!”- Pse nisën divergjencat mes Enverit dhe Mehmetit! Rrëfimi i shoferit: Vetëm tre persona e dinë të vërtetën

Jan 10, 2022 | 22:16
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha Biografia e rralle!Gazeta Panorama.al sjell sot për lexuesit një rrëfim të panjohur për jetën sekrete të diktatorit shqiptar nga lindja në vdekje, i shkruar duke përballur faktet e dëshmitë e kohës. “Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ishudhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber, gazetar, publicist, diplomat dhe specialist për çështjet e Europës Qendrore e Lindore, në veçanti për Shqipërinë.

Autori është gjithashtu gazetari i parë francez që ka vizituar vendin tonë në vitin 1981, por në vepër nuk përfshin përshtypjet e tij personale. Ai merret vetëm me zbërthimin e karakterit të “sulltanit të kuq”, Enver Hoxha, duke iu referuar tregimeve të vjetra të bashkëkohësve të diktatorit, dokumentacioneve, letërkëmbimeve, medias, librave etj., të cilat i shtjellon me anë të bibliografisë, veçmas, në fund të librit.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Në numrin e tretë historia ndoqi rrjedhën me jetën e dyfishtë të tij. Para revolucionarëve që bëri miq në Francë e Belgjikë, Enver Hoxha betohej si komunist “deri në vdekje”, ndërsa për mbijetesë si student i dështuar dhe pa diplomë u jepte mësim diplomatëve në legatën e mbretërisë shqiptare, derisa arriti edhe vetë të punësohej aty. Por jo për shumë kohë. Ai u kap me dhjetëra broshura për komunizmin, duke u pushuar nga puna si kancelar.  Në numrin e katërt u shtjellua kthimi i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe përballja e tij sërishmi me gjendjen e vështirë ekonomike. Ai nisi punë si kamerier dhe, ndërkohë që tentonte të bëhej mësues në Lice, Hoxha përdorte rrobat e profesor Brégeault dhe nëpër restorante linte faturat pa paguar në emrin e tij.

Bëhet fjalë për vitin 1936, kur ai u dallua si orator shumë i mirë dhe gjithnjë e më shumë kërkohej që të mbante fjalimet nëpër varrimet e patriotëve. Më pas, historia e jetës së Hoxhës zhvendoset te infiltrimi i tij në grupet komuniste të Shqipërisë, njohjen me Nexhmije Xhunglinin, atë që në prani të katër dëshmitarëve u bë gruaja e ardhshme e tij në gusht të vitit 1944. Sot rrëfimi zhvendoset 3 muaj më vonë nga kjo martesë…

*****

Në fillim të vitit 1947, Edvard Kardelj, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos dhe drejtuesi i diplomacisë jugosllave, pritet nga Stalini. Shefi i Kremlinit tregohet i interesuar për Shqipërinë. “Por, çfarë përbuzjeje për këtë vend të vogël”, tregon një dëshmitar i takimit. “Çfarë njerëz ish të prapambetur dhe primitivë janë shqiptarët!, – thotë Stalini – janë besnikë si qeni, por kjo është karakteristikë e primitivëve. Tek ne, çuvaçët janë besnikë si qentë. Carët e Rusisë i merrnin për truproja”.
***
Gjatë këtij takimi, Stalini i thotë nëse Kardelj e njihte Enverin dhe nëse mund t’i zinin besë. Përgjigja e diplomatit jugosllav: “Në opinionin tonë është një njeri i mirë dhe i ndershëm, edhe pse ka karakteristikat e një borgjezi të vogël. Është popullor për shkak të sjelljes së tij gjatë luftës. Por nuk ka formim marksist-leninist. Njeriu që mund të jetë dora jonë është Koçi Xoxe, i cili vjen nga klasa punëtore”. Edhe zëvendësi i Stalinit, Molotov, ndan të njëjtin mendim me diplomatin dhe shton se “drejtuesi shqiptar është një njeri i mësuar, që lë përshtypje të mirë, edhe pse tek ai ndihet një lloj influence perëndimore”. Ndërkohë, në të njëjtin vit e Enverit në Moskë. Më në fund Stalini pranon që të takohet me Hoxhën. Më 16 korrik 1947, shqiptarët priten në zyrën e Stalinit në Kremlin, një sallë e madhe me një tavolinë të rrumbullakët, ku qëndron “babai i popujve”. Në fund të këtij takimi, Bashkimi Sovjetik i akordoi Shqipërisë një kredi që do të shërbente për zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë.

Më 23 mars 1949, Stalini pret sërish Hoxhën, i shoqëruar nga Spiro Koleka dhe Mihal Prifti. Hoxha flet për situatën në Shqipëri, nis të flasë për tradhtarët, duke nisur nga Koçi Xoxe. Sipas tij, të gjitha spastrimet i kishte drejtuar Mehmet Shehu, i cili ishte një drejtues i lavdishëm dhe që e kishte bërë detyrën e tij, duke pasur edhe mbështetjen e partisë. Gjatë kësaj bisede, flitet edhe për çështjen greke. Ai kritikon pikëpamjet e gabuara të Niko Zahariadhisit dhe të komunistëve të tjerë lidhur me rolin e Partisë. Pas takimit, Hoxha dhe Stalini darkuan së bashku në “një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore”. Molotovi ngre gotën dhe e shtyn Hoxhën të pijë. “Përse pini kaq pak. Ju dje pitë më shumë”.

“Ah, dje ishte ndryshe”, – iu përgjigj Enveri duke qeshur. Në atë moment, Molotovi kthehet nga Stalini dhe i thotë: “Dje ishim për darkë me shokun Enver. Dhe Enveri mësoi se do të bëhej baba me një djalë. Për të festuar këtë, pimë pak më shumë”. “Urimet e mia më të mira, iu përgjigj Stalini. Le të pimë për shëndetin e djalit dhe gruas suaj”. Enveri i premtoi se do ta mbante gjatë mend këtë moment. E ndërsa në Moskë festohej, në Tiranë vazhdonin spastrimet e komunistëve, duke nisur nga Koçi Xoxe.

***
Por, me nisjen e verës edhe situata ekonomike u rëndua. Sipas “Foreign Office”, udhëtimi i tretë që Enveri bëri në Moskë qe një tentativë e dëshpëruar për të marrë ndihmë të shpejtë nga Moska. Gjithnjë sipas të njëjtit burim, “rënia e qeverisë shqiptare dukej se do të sillte një situatë plot rreziqe në rajon”. Edhe në një tjetër vizitë që Hoxha bën në Moskë, gjithnjë i shoqëruar nga Mehmet Shehu, më 9 janar 1950, ata do të takohen me drejtuesit grekë. Përgjatë shumë orësh ata patën diskutuar për strategji dhe taktika, derisa Stalini mori rolin e arbitrit, duke i bindur palët që të bashkëpunonin në vend që të ziheshin. Ndërsa në Shqipëri vazhdonte lufta e brendshme dhe spastrimet. Por, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu kishin divergjenca për mënyrën se si duhet të bëheshin spastrimet.

Sipas legatës franceze, “Hoxha praktikon një politikë të përcaktuar nga Moska në prill 1951, por e kundërshtuar nga Shehu. Hoxha dhe gruaja e tij vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa Mehmeti me të shoqen mbeten ende në hije”. Më pas, dy figurat qendrore të shtetit vendosin të bëjnë një turne në Jug të vendit. Por gjatë këtij turneu kishte shumë probleme, sipas diplomatëve. Sipas Departamentit të Shtetit, Hoxha ishte shumë i kërcënuar dhe sovjetikët ishin gati ta zëvendësonin me Shehun. Sipas informacioneve të Ambasadës franceze në Romë, Hoxha e kishte humbur një pjesë të madhe të autoritetit dhe mbahej në këmbë nga fraksioni stalinist ortodoks i Mehmet Shehut.

***

Strategu i rezistencës, çliruesi i Tiranës, xhelati i opozitarëve, numri dy i regjimit, u zhduk nga skena politike në rrethana të mistershme. Enveri hoqi qafe një njeri që i ishte bërë i padurueshëm dhe me të cilin nuk ndante të njëjtin mendim për Kosovën dhe Perëndimin. Por, për Hoxhën që ishte i sëmurë rëndë nga diabeti, eliminimi i Shehut nuk ishte i mjaftueshëm. Ai duhet të tregojë që Shehu as që ka ekzistuar dhe për këtë zhduken të gjitha fjalimet e tij. Nga muzetë hiqen portretet, ndërsa Brigada e Parë Sulmuese nuk ekziston më.  Në qeverinë tashmë të drejtuar nga Adil Çarçani nuk ka ndonjë besnik të Shehut, ndërsa posti i ministrit të Brendshëm mbahet nga Hekuran Isai, mik i Hoxhës. Dhe ngjarjet zhvendosen në zyrën e Hoxhës.

Ramiz Alia, përfituesi i situatës së krijuar, shkon takon Enverin në zyrë. Alisë nuk i kujtohet saktësisht, por Hoxha e informoi për praninë e një dokumenti që komprometonte Shehun. Këto dokumente ishin ruajtur në kasafortën e Hysni Kapos, një nga të afërmit e Hoxhës. Kur Hoxha ia tregoi këtë dokument Alisë, ky i fundit mbeti i shtangur. Bëhej fjalë për formularë të shërbimeve sekrete, të përpiluara në anglisht. Sipas Alisë, dokumentet nuk linin asnjë dyshim. Mehmet Shehu punonte për shërbimet sekrete. Ai mund të ishte rekrutuar në vitin 1939 në kampet e përqendrimit francez, ku ai ishte burgosur pas përfundimit të luftës së Spanjës. Pastaj janë oficerët britanikë të Ndërlidhjes, të parashutuar në Shqipëri gjatë luftës, të cilëve Shehu u kishte dhënë direktiva. Më pas, Shehu dyshohet të kishte lidhje me sovjetikët dhe më në fund kishte bashkëpunuar me shërbimet jugosllave. Ramizi pohon se këto dokumente i ishin dërguar në vitin 1964 Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, nga një person që ishte prezantuar si një patriot marksist-leninist i Kosovës. Një gjë e tillë i ishte komunikuar Hysni Kapos dhe ky i fundit informoi Hoxhën. Në fillim, sipas Alisë, Enveri është i bindur se bëhej fjalë për një provokim dhe dyshon se në këtë çështje ishte e përfshirë KGB-ja.

***
Disa ditë pas përfundimit të punimeve të Kongresit VIII, anëtarët e Byrosë Politike u mblodhën te shoku Enver. Ishin mbledhur për të folur për planin e punës. Si gjithnjë, Mehmet Shehu ndërhyn shpesh. Ai e ka një përgjigje për çdo çështje të aktualitetit. Dhe si gjithmonë e dëgjonin me vëmendje. Aktiviteti i tij si shef i qeverisë përshkruhet në çdo numër gazete dhe më 17 dhjetor ai pret një delegacion rumun.Ndërkohë, 24 orë më pas, shpërtheu një rrufe në qiell të pastër. Në krye të edicionit të lajmeve të orës 19:00, “Radio Tirana” bënte me dije se: “Mehmet Shehu, kryeministër, anëtar i Byrosë Politike, vrau veten pas një depresioni nervor”. Një lajm i tillë nuk ngjalli asnjë koment, vdekja nuk u pasua nga asnjë ditë zie dhe data e varrimit nuk u mësua. Burimet zyrtare, të pyetura nga diplomatët e huaj apo përfaqësuesit e Shqipërisë jashtë atdheut, linin të kuptohej se “duke vrarë veten, Shehu kishte kryer një krim ndaj Partisë”. Ndërkohë, shumë fjalë nisën të qarkullonin lidhur me rrethanat e vdekjes. Thuhet se bashkëpunëtori më i ngushtë i shokut Enver ishte viktima e fundit e spastrimit, në të cilin kishte kontribuuar edhe ai vetë.
***
Më pas, lidhur me këtë ngjarje do të jepeshin shumë variante. Varianti i parë u dha nga Ramiz Alia, në vitin 1992. Ky i fundit pohon se më 17 dhjetor Mehmet Shehu iu kishte prezantuar anëtarëve të Byrosë Politike autokritikën e tij me shkrim. Aty ai shkruante për karakterin e tij të keq, por fliste dhe për problemet familjare; lidhja e djalit të tij me një vajzë që vinte nga një familje reaksionare, gjë që solli dhe mosaprovimin e shokëve. Sipas Alisë, pak para përfundimit të mbledhjes, Hoxha i ishte drejtuar Shehut duke i kërkuar atij të mendohej, para se të fliste të nesërmen përballë anëtarëve të Byrosë Politike. Por, gjithnjë sipas Alisë, të nesërmen ndihmësi i Shehut i kishte telefonuar për ta informuar për vetëvrasjen e Mehmetit.

Më pas, ai kishte shkuar për t’i dhënë lajmin shokut Enver, teksa ishte duke ngrënë mëngjesin. Ky i fundit ishte shprehur i habitur. Ashtu si dhe anëtarët e tjerë të Byrosë, Hoxhës i dukej e mjaftueshme që t’i drejtoheshin Mehmetit me një “paralajmërim të thjeshtë” për sjelljet e tij dhe lidhjet e djalit të tij. Mes versioneve të tjera, pak a shumë të besueshme, është edhe ai i Jonuz Lutos, ish-shoferit të Mehmet Shehut. (Luto ishte shofer oficer në shërbim të grupit të shërbimit me Mehmet Shehun, qysh nga viti 1972. U përjashtua nga Partia pas vetëvrasjes së Shehut dhe u dënua me burg).

Ai pohon se trupi i shefit të tij, i gjetur në shtrat, nuk kishte shenjë plumbi dhe se ai nuk e kishte pistoletën në dorë. Madje ai pohon praninë e një lëngu të çuditshëm që ndodhej në dyshemenë e banjës. Për çudi, asnjëherë nuk u kërkua që të bëhej analiza e këtij lëngu, apo të bëhej autopsia e trupit. Pranë shtratit, Luto thotë se ka parë një gotë, tek e cila nuk kishte ndonjë gjë jo normale: Shehu kishte probleme zemre dhe duhet të pinte ilaçe. Mos ndoshta e kishin detyruar të gëlltiste ndonjë helm? Jonuz Luto shton se të vërtetën e dinë të paktën 3 persona.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:

“Janë besnikë si qeni!”- Zbulohet biografia e rrallë për ish-diktatorin! Prapaskenat e darkës private të Enver Hoxhës me Stalinin dhe Molotovin! Si u eliminua Koçi Xoxe, njeriu kyç i…(Pjesa 8)

Jeta sekrete e Enver Hoxhës/ Zbulohet puna si kamerier dhe orator në varrime! Përdorte rrobat e profesorit…(Pjesa 7)

Zbulohen sekretet e jetës së diktatorit/ Dekonspirimi i Enver Hoxhës, ja pse u shkarkua si diplomat! Si e kapi Atasheu i Parisit me “presh në duar”! (Pjesa 6)

Zbulohet jeta e dyfishtë e Enver Hoxhës në Francë! Nga pseudonimi “Lulo Malësori”, te betimi si komunist dhe puna në shërbim të Mbretit Zog (Pjesa 5)

Zbulohen sekretet e jetës private të diktatorit/ Enver Hoxha kishte rivalitet për vajzat me Nedin Kokonën! Në lice i vardisej Sabiha Kasimatit, por…! (Pjesa 4)

“Iu dogj bursa”-Enver Hoxha pa diplomë dhe pa punë, si mbijetoi me para borxh në Francë! Zbardhet jeta sekrete e ish-diktatorit (Pjesa 3)

Zbulohet biografia e rrallë për jetën sekrete të ish-diktatorit! Kush ishte Luiza, e dashura franceze që lidhi Enver Hoxhën me komunistët: I pëlqenin dhe… (PJESA 2)

Zbulohen sekretet e jetës së Enver Hoxhës në Francë! Si ia anuluan bursën për Histori-Gjeografi dhe protesta ditë-natë para Ministrisë së Arsimit! Vizita e parë te e motra në Itali dhe miqësia e ngushtë me djalin e avokatit  (Pjesa 1)

© Panorama.al

Te lidhura