“Marrëzitë e Zoi Themelit në Dibër, është bërë si Koçi Xoxe”

| 13:19
SHPËRNDAJE
 

ENVER HOXHA, HYSNI KAPO DHE LIDERE TE TJERE KOMUNIST NE PRITJE TE NJE DELEGACIONI TE HUAJ
DITARI I KAPOS/”Na gënjeu të gjithëve, e rrëzoi nga fiku Enveri”

“Lajmet që vijnë nga Kina janë tronditëse, aty Garda e Kuqe po zëvendëson Partinë, gjithçka duket mbrapsht”

Hysni Kapo: Fshatit i duhen ekipe me njerëzit e artit dhe kulturës
“Ramizi porosit të çojmë shkrimtarët në fshat”

Kur bëheshin dy dekada nga goditja e Koçi Xoxes, zbulohej në Peshkopi një tjetër model i tij, po aq i rrezikshëm sa ish- ministri i Brendshëm që kishte vënë Sigurimin mbi Partinë…
Zoi Themeli, një nga ish-funksionarët e lartë të Sigurimit të Shtetit, që së fundi kryente detyrën e sekretarit të Parë të Partisë të rrethit të Dibrës, kryqëzohej në vjeshtën e vitit 1966 për ato që ish-miku dhe eprori i tij, Koçi Xoxe, kishte shkuar para skuadrës së pushkatimit në fundin e viteve ’40. Ditari i Hysni Kapos që i referohet ngjarjes, përmban epilogun e saj me çastet finale të debateve të Themelit në zyrën e Enverit, në mesin e shtatorit të vitit 1966. Gjenerali zullumqar që kishte sfiduar një fushatë të tërë me ekipe kontrolli, mbledhje, ballafaqime e analiza të drejtuara nga KQ, vinte përballë “Njëshi-t” të Partisë, jo thjesht për të matur forcat. Strategjia e ndjekur me njerëzit e këtij të fundit, duke i hedhur degë më degë, nuk do t’i funksiononte më tej. Hoxha që ishte regjur me prerje kokash të rivalëve politikë dhe elementëve antiparti, nuk do ta kishte të vështirë, siç shkruan Kapo në ditar, të rrëzonte nga fiku përbindëshin e Peshkopisë. Po çfarë kishte ndodhur me ish-gjeneralin, që ishte bërë problem serioz për kupolën e Partisë? Zoi Themelit i ishte besuar detyra e sekretarit të Parë të Dibrës, kur kishte “shkëlqyer” për 20 vite me radhë në postin e drejtorit të Zbulimit Politik dhe zëvendësministrit të Brendshëm. Ai do të rishkëlqente në funksionin e ri me praktikat konspirative në drejtimin e Partisë, duke u mbështetur jo tek të zgjedhurit politikë, por te kontingjentet e Sigurimit, të cilët i mendonte asete të pazëvendësueshme të punës së Partisë. Në një letër dërguar organizatave bazë, Themeli orientonte shmangien nga veprimtarët e organeve të Partisë dhe mbështetjen e punës drejtuese te elementë negativë e me vese, të cilët prej kohësh   kontribuonin fshehtas për Policinë Sekrete. Kjo “risi” e gjeneralit famëkeq kishte ngjallur revoltën e armatës së komunistëve, të cilët e kishin përcjellë shqetësimin tek udhëheqja e Partisë. Kjo e fundit kishte nisur ekipin e parë të kryesuar nga Piro Kondi, drejtor i Drejtorisë së Propagandës në KQ, i cili nga verifikimi në terren nuk konstatoi ndonjë shkelje serioze. As në letrën e Themelit për organet dhe organizatat e Partisë, për të dërguarin e Enverit, nuk kishte frymë antiparti. Të tilla vlerësime sollën në Tiranë dhe dy dërgatat e tjera. Sidoqoftë, Enveri nuk u mjaftua me kaq. Kërkoi t’i sillnin në zyrë protokollet e mbledhjeve të organizatave të Peshkopisë ku ishte diskutuar letra e Themelit dhe filloi t’i studiojë me kujdes. Ajo që u kishte shpëtuar ekipeve të njëpasnjëshme, nuk mund t’i shpëtonte syrit të udhëheqësit. Betejën së pari e nisi me të dërguarit e tij. Piro Kondi nga ky moment nuk do të ishte më anëtar i Plenumit të Partisë dhe do largohej nga aparati i KQ. Po kështu dhe Leka Shkurti, ndihmësi i tij. Pastaj do vinte radha e Themelit, betejën me të cilin do ta zhvillonte në zyrën e vet në selinë e KQ. Me kaq u jep fund Kapo shënimeve për gjeneralin e ndëshkuar në ditarin personal. Ajo çfarë ndodhi me të pas kësaj, është bërë publike në propagandën e kohës ku Themeli trajtohej si një element antiparti. Pjesa tjetër e kujtimeve të Kapos që botojmë sot fokusohet në përjetimet nga lajmet për Gardën e Kuqe në Kinë, e cila sipas tij po zëvendësonte Partinë e Mao Ce Dunit dhe mbresat nga Kongresi V i Partisë, ku “Enveri, si asnjëherë, ka folur për tetë orë pandërprerë”.

Ditari i vitit 1966-1967
…vijon nga numrat e kaluar

14 korrik 1966
Sot telegramet që më dërguan nga Ministra e Jashtme ishin shumë interesante, sidomos ato që bënin fjalë mbi kontradiktat në gjirin e udhëheqjes tradhtare jugosllave dhe me shkarkimin e Rankoviçit. Duket qartë se Tito dhe banda e tij po përpiqen t’i hanë kokën njëri-tjetrit. Shovinizmi, nacionalizmi, lufta për pozitë, kontradiktat e theksuara midis nacionaliteteve, gara që secili t’i shërbejë me zell padronëve të cilëve u janë shitur për të marrë fuqi në dorë, duket se ka marrë proporcione aq të mëdha, sa që këta tradhtarë janë vënë në luftë t’i hanë kokën njëri- tjetrit. Ja rezultati i tradhtisë! Ky është fillimi i shpërthimit. Në të ardhmen, me siguri, situata do të acarohet më shumë.
Erdhi profesor Fejziu dhe Gjata. Më vizituan. Gjendja është e kënaqshme. Fola me ta, i pyeta për shokët. U gëzova kur Fejziu më njoftoi për kontrollin mjekësor të shokut Enver dhe gjendjen e tij shëndetësore.

15 korrik 1966
Sot i gjithë populli mori dijeni për thirrjen e Kongresit V të Partisë. Porsa e mora gazetën këtu në Vlorë ku pushoj, më pushtoi një ndjenjë gëzimi për Partinë, e cila nxori popullin dhe vendin nga errësira shekullore dhe po e çon me hapa të shpejtë përpara. Kur mendoj punën e madhe që na del përpara për përgatitjen e Kongresit, nuk mund të rri i qetë, në djall të vejë edhe ky pushim shëndetësor i imponuar nga mjekët skupulozë. Pres me padurim 15 gushtin të filloj punën

27 korrik 1966
Me shokun Enver sot shkëmbyem mendime mbi perspektivën e zhvillimit të bujqësisë…

26 gusht 1966
Qëndrova në shtëpi. Lexova shtypin e ditës. Me sa lajmërojnë telegramet që vijnë nga Pekini dhe ato të ATSH-së, në Kinë zhvillohet një gjendje kaotike. Atje lufta për pozita midis udhëheqësve të lartë po bëhet më e qartë dhe më e theksuar. Duket se po largohen nga udhëheqja e Partisë dhe e shtetit kuadro të lartë me karakter revolucionar. Korrenti i Çu En Lait po fiton pozita. Veprimet e Gardës së Kuqe që po i jepet aq shumë bujë nga udhëheqja dhe shtypi kinez, tregojnë se nuk është Partia që drejton. Gjithçka po degjeneron. Gardës së Kuqe i kanë dhënë të gjitha fuqitë, gjithë kompetencat për veprim. Ajo bën ligjin, rendin. Veprimet që bëhen tregojnë se nuk janë spontane, por të nxitura nga udhëheqësit kundër partnerëve të tyre.

13 shtator 1966

Zoi Themeli
Në takimin me Zoi Themelin nga ora 13:00-15:00, mësova mbi gjendjen serioze të krijuar në organizatën e Peshkopisë. Nuk më pëlqen aspak qëndrimi i Zoit, ai është në rrugë të gabuar. Letra që ka lëshuar Byroja e rrethit për organizatat (me firmën e Zoit dhe me përmbajtje thellësisht antiparti) dhe protokollet prej 100 faqesh të mbledhjeve të organizatave bazë, ku kundërshtohet fryma joparimore e letrës, të cilat i lexova deri natën vonë, më revoltuan. Më duket se Zoi ia ka hipur kalit mbrapsht. Nuk fjeta gjatë gjithë natës…

14 shtator 1966
Çështja që më preokuponte, që e shqetësoi shokun Enver, ishte informacioni që i dhashë mbi situatën e krijuar në Peshkopi. Atje Zoi Themeli që kryen detyrën e sekretarit të Parë ka krijuar një kaos të madh. Vendosëm të takohemi në KQ ne, tre sekretarët me Zoi Themelin. Dëgjuam me vëmendje Zoin dhe Hajriun (Hoxhën). Qëndrimi i Zoit është revoltues. Megjithëse është shumë i varfër nga mendja, i duket se di shumë, qesh me ironi dhe mospërfillje, kur Hajriu dhe shokët kundërshtojnë ndonjë mendim të tij. Ai është bërë si Koçi Xoxe në Peshkopi, por mundohet të justifikohet para shokëve me djallëzi. Taktika nuk i shkoi deri në fund. Zoi ra nga fiku kur ndërhyri shoku Enver. Në sipërfaqe u duk se e kuptoi gabimin, por në të vërtetë mendjemëdhenjtë zor të njohin gabimet. Sidoqoftë, Partia nuk mund ta lërë me kaq punën e tij…

1 nëntor 1966
U çel Kongresi V i Partisë. Në orën 8:00 të gjithë miqtë e huaj (kryetarët e delegacioneve të më se 27 partive) bashkë me Byronë Politike zunë vend në Presidiumin e Kongresit. Deri në orën 20:00 shoku Enver lexoi raportin. Gjatë tërë ditës isha i shqetësuar për shëndetin e tij. Ai lexoi raportin për afro tetë orë pa ndërprerje. Punë e lodhshme. U gëzuam që e ndjente veten mirë. E përqafuam porsa e përfundoi…

7 nëntor 1966
Vazhdojnë diskutimet në Kongresin e Partisë

8 nëntor 1966
Kongresi V i Partisë u mbyll me Internacionalen. Në mbrëmje me Ramizin shkuam për të përshëndetur delegatët e ftuar që ishin në hotel “Dajti”

22 nëntor 1966
Mbasdite, ora 16:00, morëm pjesë si Byro Politike në mbrëmjen akademike që organizoi rinia me rastin e 25-vjetorit të themelimit të organizatës së saj. Në pallatin e sportit “Partizani” ishin 5000 vetë.

23 nëntor 1966
Gjithë paraditen unë dhe Ramizi patëm bisedime me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Marksiste-Leniniste të Brazilit. Ato qenë shumë të dobishme. Mbi të gjitha çështjet kishim unanimitet mendimesh. Partia e Brazilit qëndron në pozita të shëndosha marksiste. Shoku sekretar, kuadër i përgatitur me një logjikë të thellë, revolucionar i sprovuar. Biseduam dhe zgjidhëm shumë çështje që ka mundësi të japë ndihmë Partia jonë partisë motër të Brazilit…

27 nëntor 1966
Në orën 9:00 shkuam në Xhafzotaj, mora pjesë në inaugurimin e nënstacionit të ri. Teknikë e mrekullueshme kjo e RTSH. Tashti zëri i Partisë dhe i popullit tonë do të dëgjohet në të katër anët e botës. Ja këto janë raketat tona me qitje të gjatë veprimi që imperialistët dhe reaksionarët bëjnë aq shumë zhurmë dhe ia kanë frikën Shqipërisë.
Në orë 15:00, bashkë me Viton, u nisëm për në Vlorë. Në vilën numër 3 ishte Gogua (Nushi) me fëmijët. I bëmë vizitë, biseduam gjatë.

3 Dhjetor 1966
Porsa erdhi shoku Enver në zyrë, pas 15 ditë vizitash në rrethet e Jugut, i raportova për punët dhe për bisedimet që patëm me sekretarin e Përgjithshëm të PK të Brazilit, Amazonas. Gjatë ditës pata bisedime me Xhafer Spahiun, me Pipi Mitrojorgjin, Leka Shkurtin për probleme që duhet të kemi parasysh si aparat i KQ. Pasdite u takova përsëri me shokun Enver dhe me Haxhi Lleshin. Nesër do të nisem për në Korçë.

10 dhjetor 1966
Zbrita në Korçë. Ora 10:00. Pas një vizite në fabrikën e qelqit, shkova për t’u takuar me gruan e Themistokli Gërmenjit. U gëzua shumë. Në orën 15:00 u nisa për në Pogradec. Isha shumë i lodhur. Gjumi nuk më zinte. Koka më ka dhembur gjatë gjithë kohës që kam qenë në Korçë. Sheqeri m’u ngrit çuditërisht mbas një periudhe pesëmujore që po përdor insulinë.

15 dhjetor 1966
Punova në zyrë. Fola me rrethet Gjirokastër, Elbasan, Korçë. Më informuan për punët. Më vonë dëgjova Manushin(Myftiun) për plenumin dhe probleme të tjera të Tiranës. Shkuam bashkë te shoku Enver. Manushi raportoi për gjendjen.

17 dhjetor 1966
Mbledhje e Sekretariatit. Të tre sekretarët dëgjuam punonjësit e aparatit mbi zhvillimin e plenumeve në rrethe. Mbledhja zgjati deri në orën 15:00.

26 dhjetor 1966
Bisedova me Ramizin për dërgim ekipesh në fshat të përbërë prej shkrimtarësh, piktorësh e artistësh, që të njihen me jetën dhe luftën e popullit për realizimin e detyrave që shtron Partia.

30 dhjetor 1966
Informata të gëzuara nga zonat malore të Veriut. Kolektivizimi i fshatrave malore shkon mirë. Malësorët e Veriut po i përgjigjen  thirrjes së Partisë. Mirdita e përfundoi kolektivizimin. Peshkopia brenda një muaji bëri 75 fshatra kooperativë bujqësore. Në Pukë po ecet mirë. Sot Tropoja i dha fund kolektivizimit. Vetëm Kukësi është akoma mbrapa.

4 janar 1967
Biseduam me shokun Enver për probleme të metodës së punës të aparatit, mbi planin e problemeve që duhet të marrë në shqyrtim Komiteti Qendror, Byroja Politike, Sekretariati dhe mbi planin e veçantë të aparatit. Shoku Enver më dha mendime shumë të vlefshme.
 
6 janar 1967
Dita e fundit në zyrë para nisjes për në Pekin. Nesër në mëngjes nisem për në Romë me avionin tim. Nxora nga dora çështjet që kishin mbetur. I raportova shokut Enver problemet korente që u lashë shokëve për t’i ndjekur. Ai më dha këshillat e fundit përpara nisjes.
 
Kajro-Egjipt, 10 janar 1967
Vij për herë të parë në Egjipt. Qytet i madh, por duket varfëria dhe kaosi. Vizituam Xhaminë e Mehmet Aliut në kodër që dominonte Kajron, muzeun historik, piramidat, Sfinksin. Vepra madhështore, të çuditshme. Hëngrëm drekë në restorantin grek të Andreas, i dalluar për gatim. Në orën 16:00 bëmë takim me punonjësit e ambasadës dhe gratë e tyre. U folëm mbi Kongresin e Partisë dhe gjendjen në Shqipëri. U ndamë përzemërsisht me ta. Duhet të nisemi për aeroport, ora 18:15, avioni niset për Pakistan.
 
Pekin, 21 janar 1967
Gjithë paraditja kaloi në spital. Pres me padurim ditën kur do të nisem për në Shqipëri. Më duket sikur jam në tokën mëmë kur vete në ambasadë. Ç’mallohem atje, shoh një ambient të vogël, shqiptar. Në orën 15:30 shkova në ambasadë. U takova me shokë, biseduam. Atje piva një kafe vendëse. Kadriu, shoferi i ambasadës nga Petrela është i shkathët dhe bën kafe të mirë. U largova para orës 17:00 sepse më njoftuan se shoku Kan Shen donte të takoheshim. Në fakt, nuk erdhi, kërkoi ndjesë, sepse i kishte dalë një punë urgjente.

vijon nesër …

AFRIM IMAJ

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

3 KOMENTET

Comments are closed.