VIDEO/ “Krimi zgjedhor fenomen shqetësues, ka vite”- Braho në Kuvend: Çështjet përfundojnë në akuza kur ka prova, nuk nisemi me perceptime! Nëse ka prova, mbajmë përgjegjësi

Jul 15, 2026 | 11:05

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka qenë sot i pranishëm në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Tematika ishte shqyrtimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025.

Braho u pyet nga deputetët e pranishëm kryesisht nga ata të opozitës, për disa nga çështjet më të nxehta të aktualitetit në Shqipëri, dosjet e bujshme. deputeti Ivi Kaso e pyeti veçanërisht  për krimin zgjedhor.

braho

Ai tha se kur dosjet kanë prova, SPAK mban përgjegjësi për të gjitha veprimet proceduriale dhe vepron në bazë të tyre, pavarësisht se të cilës anë janë personat e hetuar. Ai i cilësoi një perceptim deklaratat politike për krimin zgjedhor dhe theksoi se “dosjet ngrihen mbi akuza”.

Braho nënvizoi se krimi zgjedhor nuk lindi dy vitet e fundit, por ekziston prej vitesh si shqetësim.

“Krimi zgjedhor është fenomen shqetësues, edhe ne si Prokurori na shqetëson, edhe ne nuk pajtohemi me të. Nuk është fenomen që ka dalë brenda një viti apo dy vitesh, por prej një periudhe të gjatë kohore. Çështjet përfundojnë në akuza kur gjenden provat, pa prova nuk mund të ngrihen as akuza dhe as të ndërtohen çështjet. Unë nuk shoh standarde të dyfishta të njërës palë apo të tjetrës”, u shpreh ai.

Dhe ndërsa theksoi se organi i akuzës ndjek provat dhe jo perceptimet, ai shpjegoi:

“Ju përmendët disa raste por unë nuk shoh lidhje të rasteve me reagimin e SPAK për krimet zgjedhore. Mendoj se ky është perceptim, është edhe politik, mund të jetë edhe më gjerë, por nga ana jonë ne nuk nisemi me perceptime por me atë që ka dosja”.

Në fund Braho siguroi ligjvënësit se SPAK nuk vepronte mbi baza politike dhe nëse dosjet kishin prova, ata si prokurorë mbanin përgjegjësi për çdo veprim të kryer ose jo.

“Ju siguroj që nëse dosjet kanë provat e nevojshme, kushdo që të jetë, nga cilado anë që të jetë, unë mbaj përgjegjësi për atë veprim që kam kryer”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura