(Dokument) Zbardhet marrëveshja e PD-së me aleatët/ Basha autorizohet të paraqesë në KQZ listat e kandidatëve për deputetë, ja si do të bëhet renditja e tyre

Feb 24, 2021 | 16:08
SHPËRNDAJE

Të tjera detaje janë zbuluar nga marrëveshja e koalicionit opozitar të nënshkruar mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe aleatëve, ku “Panorama” ka zbardhur dokumentin dhe përmbajtjen e tij. 

basha-me-aleatet-1

Në marrëveshje përcaktohet emri i koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, shkronjat nistore të koalicionit “PD-AN” dhe sigla e koalicionit. Ndërkaq, partia udhëheqëse e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë.

Në marrëveshje thuhet se “ne po bashkohemi, si parti dhe si qytetarë, për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë”. “Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë.

Në dokumentin që do të dorëzohet në KQZ nuk do të ketë të përcaktuar me numër se sa mandate apo në çfarë niveli përfaqësimi do të jenë partitë aleate në listat e kandidatëve që do të hartohen në 5 mars.

Në marrëveshje thuhet se aleatët do të përfaqësohen me emra kandidatësh në listë, në bazë të rezultateve të mëparshme zgjedhore. Poshtë emrit të koalicionit opozitar do të shkruhen emrat e partive që janë pjesë e koalicionit. Kandidatët në listë duhet të jenë kandidatë të koalicionit dhe jo të partive, njësoj siç u veprua në 2017-ën.

Në dokument shkruhet: “Vendosëm që të formojmë një koalicion për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021. Partia udhëheqëse është Partia Demokratike. Të autorizojmë z. Lulzim Basha që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor”.

 “Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitmit të listët shumëemërore të kandidatëve të koalicionit, sipas modelit ë përcaktuar në aneksin e Udhëzimit nr. 1 dt. 23.12.2020 të KQZ. Në listën shumëemërore të koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale që rezulton për secilën parti. Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësve partiake”, vijon dokumenti.

WhatsApp Image 2021-02-24 at 3.51.52 PM

WhatsApp Image 2021-02-24 at 3.51.53 PM

Këtë të mërkurë është afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve në KQZ. Agron Duka do të ketë 12 përfaqësues në 12 qarqet e vendit, dhe do të ketë një vend në listën e sigurte për deputetë.

Marrëveshjen e ka arritur më herët edhe kreu i PR-së Fatmir Mediu, i cili ishte i fundit që negocioi me kryedemokratin Basha. Surpriza e koalicionit opozitar ishte rikthimi në një front me PD-në i Bamir Topit, ku partia e tij FRD ishte rreshtuar në aleancë me PS-në në zgjedhjet e shkuara. Gjithashtu risi është edhe kreu i Ballit Kombëtar Artur Roshi që pranoi mandatin e deputetit pas djegies së mandateve nga PD dhe LSI.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura