Loja me 100 milionë USD uniforma për Ushtrinë, si vazhdoi skema nga Imami te Kodheli e Xhaçka

Aug 5, 2020 | 14:34

Tenderi i fundit i uniformave të Policisë së Shtetit ka zbuluar një skemë të mirëfilltë përfitimi të parave publike me gara fiktive mes kompanive. Skemë e cila që nga viti 2012 u ka kushtuar mbi 100 milionë dollarë taksapaguesve shqiptarë.

pjimage (2)

Kompani të ndryshme, por me numra telefoni të njëjtë, të deklaruara nga ato vetë kur janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që garojnë për të qepur uniformat e Policisë dhe Ushtrisë Shqiptare. Në kallëzimin që kanë bërë në SPAK deputetët e opozitës parlamentare hidhet dritë mbi funksionimin e këtij mekanizmi.

Në mes të korrikut të këtij viti, firma D&E shpk, e lidhur me disa kompani të huaja, ka fituar tenderin për pajisjen e Policisë së Shtetit me uniforma me një vlerë prej afro 26 milionë dollarë, 5 milionë USD më shumë se operatori turk “Genç Taahhüt Giyim Tekstil Ýnþaat”, i klasifikuar në vend të parë duke ofruar rreth 20 milionë dollarë.

Për të arritur në këtë rezultat, tenderi është zvarritur për më shumë se një vit në procedurat e Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara. Fillimisht, në lojë ka hyrë një kompani kroate e lidhur me operatorë shqiptarë, e cila ka kërkuar ndryshime teknike, dhe këtu bëhet shkelja e parë duke ulur numrin e uniformave që duhen prodhuar, ndërkohë që vlera e tenderit mbetet e njëjtë. Procedura e tenderit pezullohet dhe hapet pas disa muajsh. Më pas, kompania kroate skualifikohet. Në garë mbeten dy operatorë, “D&E shpk” dhe kompania turke “Genç Taahhüt Giyim Tekstil Ýnþaat”, që arrijnë parakualifikimin.

MANOVRA Për të vazhduar më tej, këto subjekte duhet të prodhojnë brenda 20 ditësh kampionet, por afati është i shkurtër dhe për të fituar kohë në lojë futet kompania “Marsi&Al”, që kërkon rishikimin të procedurave. Kërkesa rrëzohet, por koha e shqyrtimi u vjen në ndihmë dy kompanive të tjera që të realizojnë kampionet.

Në përfundim të këtij procesi tenderimi, Ministria e Brendshme shpall fituese kompaninë me vlerën më të lartë të ofruar, “D&E shpk”, 5 milionë dollarë më shumë se kompania turke, ndërkohë që hapësirat janë për të përfituar edhe 2 milionë dollarë të tjerë, për shkak të shtesave të uniformave që mund të vijnë gjatë zbatimit të kontratës.

NJË KOMPANI

Në dokumentet zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Marsi&al” rezulton me të njëjtin numër telefoni me “D&E shpk”, çka tregon hapur se këto dy kompani kanë një administrim, edhe pse kanë pronarë të ndryshëm në letra.

“D&E shpk” është një kompani e themeluar në 2007 me objekt kryesor gërmime dherash dhe punime inxhinerike, vetëm rreth 6 vite më vonë ka shtuar si veprimtari prodhimin e uniformave, ndërkohë që nuk ka në pronësi asnjë rrobaqepësi veshjesh dhe nuk ka listë të tyre të deklaruara në organet tatimore.

Por kjo gjë, në fakt, nuk e ka penguar aspak, që së bashku me kompaninë rivale nëpër gara “Marsi&AL”, nga 2012 të fitojë tendera miliona dollarësh në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes, e cila drejtohej nga Arben Imami i qeverisë Berisha. “D&E shpk” ka marrë gati 19 milionë dollarë që nga viti 2012 kur ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Arben Imami, ndërsa “Marsi&AL”, firma tjetër që del disa herë në skemë, lidhi po gjatë kësaj periudhe një kontratë tjetër pa tender dhe pa konkurrencë, prej rreth 12 milionë dollarësh.

Deputetët opozitarë në kallëzim thonë ish-ministrja Mimi Kodheli dhe më pas ministrja aktuale Olta Xhaçka, qetësisht vazhdojë punën me dykontraktorët, “D&E shpk” dhe “Marsi&AL shpk”, konkretisht duke u dhënë këtyre dy firmave “fantazma” afro 50 milionë dollarë që nga viti 2014.

Fatura në total vetëm nga Ministria e Mbrojtjes është 80 milionë dollarë. Firmat “D&E” shpk dhe “Marsi&Al” shpk kanë përfituar gjithsej nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, 8, 371,396,894 lekë me TVSH, përkatësisht secila: “D&E” sh.p.k., 5,261,506,591 lekë me TVSH, ndërsa “Marsi&Al” shpk, 3,109,890,303 lekë me TVSH.

© Panorama.al

Te lidhura