Gjykata Kushtetuese pezullon gjykimin për ‘30 Qershorin’, i drejtohet Komisionit të Venecias

Jun 23, 2021 | 20:50
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar gjykimin për padinë e Voltana Ademit në lidhje me zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, duke iu drejtuar Komisionit të Venecias për marrjen e një vendimi.

gjykata kushtetuese-ademi-daci

Pas me shume se 10 orë debat, trupa e Kushtetueses mori këtë vendim, ndërsa mesohet se palët në çështje kanë të drejtë të paraqesin nga një pyetje për Komisionin e Venecias.

Ndërkohë pas vendimit, reagoi edhe Kryetarja e Bashkise Shkoder, Voltana Ademi, e cila u shpreh e bindur se në fund Gjykata Kushtetuese do të japë drejtësi.

“Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.

Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën”, shprehet Ademi.

Ndërsa avokati Jordan Daci u shpreh pas vendimit se tentativa politike për të penguar gjykimin e padisë dështoi.  Ai u shpreh se e Gjykata Kushtetuese tashmë funksionon dhe kjo çështje nuk do të ketë asnjë devijim.

Më herë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e qeverisë për pezullim të gjykimit deri në pritje të përfundimit të gjykimit të çështjes në gjykatën e Tiranës që lidhet me statusin e Voltana Ademit si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Qeveria kërkoi më herët përmes juristes Elira Kokona shqyrtimin e statusit dhe legjitimitetit të Voltana Ademit, e cila u shkarkua nga Shoqata e Bashkive.

CFARE U DISKUTUA SOT

Panorama” ka zbardhur një pjesë të diskutimeve në Gjykatën Kushtetuese lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive (Voltana Ademi) për rrëzimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Në seancë përfaqësuesja e qeverisë Elira Kokona ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos e pranojë shqyrtimin e padisë për rrëzimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, me pretendimin se është bërë jashtë afatit. Kokona kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes derisa të merret një vendim për organet drejtuese të shoqatës, ku Pjerin Ndreu i mori vendin Voltana Ademit.

DISKUTIMET 

Elira Kokona nga Këshilli i Ministrave shprehet se: “Nuk na është vënë në dispozicion statuti i shoqatës së bashkive. Kërkojmë kopjen e prokurës për zonjën Ademi si përfaqësuese e shoqatës. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuesve te shoqatës. Kërkojmë pushimin e gjykimit për shkak të juridiksionit të gjykatës kushtetuese. Për aq kohë sa është pranuar shoqata e bashkive, duhet të pranohet edhe shoqata e autonomisë vendore”.

Ndërsa, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishi tha: “Pretendimi i shoqatës së Bashkive, është prej 2019. Shoqata tjetër e Bashkive ka pasur tendencë jo vetëm të ushtrojë funksionin e saj, por edhe të largojë nga drejtimi përfaqësuesit e kësaj shoqate. Qëllimi ka qenë që të uzurpojnë këtë shoqatë. Unë kërkoj që të rrëzohet kërkesa që ajo shoqatë të bëhet pjesë e këtij procesi. Këshilli i Ministrave kërkon pezullim të çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet sa i takon organeve drejtuese të shoqatës. Gjithashtu kërkojnë pushim të gjykimit, pasi nuk ka kompetencë për këtë çështje. Të dy shoqatat kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij procesi”.

Jordan Daci, përfaqësuesi i shoqatës së bashkive (Voltana Ademi) deklaron se “nuk duhet të marrë pjesë si subjekt i interesuar, pasi janë në konflikt interesi. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që mos ta pranojë pasi është jashtë afateve. Këshilli i Minstrave nuk mund të jetë palë e interesuar, pasi pushteti lokal është i pavarur. Edhe avokatura e shtetit, nuk mund të jetë palë në këtë proces, pasi i shërben gjithë shtetit dhe nuk mund të përfshihet.  Gjykata kushtetuese: pozicionimet e palëve janë në diskrecionin e tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura