Kryebashkiaku inspekton punimet në bllokun “Enver Preza”, rikonstruktohen 7 rrugë

May 22, 2020 | 16:24
SHPËRNDAJE

 

veliaj SaukuKryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po realizohen në këtë projekt, ku përfshihet rikonstruksioni i shtatë rrugëve te Saukut.

Kryebashkaiku tha se ky është një tjetër xhevahir që del në dritë në këtë zonë, ndërkohë që siguroi se investimet do të vijojnë edhe me blloqet e tjera. “Ka qenë një punë e jashtëzakonshme, kemi filluar parvjet me Rr. “Hermann Gmeinner”, vazhduam vjet me Rr. “Danish Jukniu” dhe rikthehemi sivjet me bllokun “Enver Preza”, i cili ka filluar me sheshin para xhamisë, ku është bërë një kënd lodrash. Një tjetër xhevahir. Më vjen mirë që xhamia, e cila dikur ishte rrethuar me dhera dhe plehra, në këtë muaj të Ramazanit ka dalë në dritë. Fëmijët luajnë te sheshi përpara, teksa besimtarët do të kryejnë ritet e tyre pas pandemisë”, tha Veliaj.

Ndonëse shumë pranë qytetit, kjo do të jetë vera e parë për banorët e këtij blloku banimi në Sauk, që nuk do të kenë më rrugë me pluhur, ndërkohë që merr zgjidhje edhe çështja e kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza.

“Jam i lumtur që një prej blloqeve të vendosura në Tiranë që në fillim të viteve ’90, me një miks familjesh autoktone dhe familjeve që i janë bashkuar më vonë, ka dalë sot në dritë. Besoj për 4-5 javë do të fillojmë me asfaltin dhe do jetë vera e parë pas 30 vitesh ku s’do ketë më pluhur në këtë lagje”, u shpreh kryetari i Bashkisë.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për mirëmbajtjen e këtij investimi, në mënyrë që puna të shtrihet edhe në blloqet e tjera. Ndërkaq, në këtë zonë do të vendosen edhe koshat e rinj për mbetjet. “Kërkesat për banorët janë këto: Nëse do i përgjigjemi siç i jemi përgjigjur me kanalizime, ujëra të bardha, ujëra të zeza, me trotuar, me gjelbërim, me asfalt, me ndriçimin LED, ata duhet të na përgjigjen vetëm për një gjë: ta mirëmbajnë! Do vendosim edhe koshat e rinj. Një qytet i cili është zgjedhur Qyteti Evropian i Rinisë në 2022 dhe që po del në lajme ndërkombëtare për risitë që sjell, qoftë për korsitë e biçikletave, qoftë si qytet miqësor ndaj fëmijëve, për shkollat e reja, ndërtimet pas tërmetit, por për ndërtimet ikonë siç do të jetë Teatri i Ri apo Piramida, duhet të jetë edhe një qytet i pastër. Nuk mund të jetë qytet i pastër vetëm në qendër, ndaj duhet të jetë qytet i pastër edhe në periferi”, theksoi kryebashkiaku.

 

Bashkia e Tiranës po vijon me një sërë investimesh të rëndësishme në kryeqytet, ku një vëmendje të posaçme ka edhe projekti i “100 lagjeve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura