“Konferenca e Tiranës, Beqir Balluku kaloi tanket në gatishmëri”

Sep 9, 2013 | 14:43
SHPËRNDAJE

Niazi Jaho
Flet Niazi Jaho, ish-sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës.

Si e shtypi Enveri revoltën  e delegatëve në Konferencën e Tiranës të prillit 1956.

Prapaskenat e eliminimit të delegatëve që kritikuan udhëheqjen nga lista e pjesëmarrësve në Kongresin e Tretë.

Mbërritja e Enver Hoxhës në sallën e Konferencës së Tiranës do t’i jepte drejtim tjetër punimeve të saj. I njohur me revoltën e shprehur aty, kreu i Partisë ka lënë menjëherë Vlorën, ku ishte duke pushuar dhe ka mbërritur fillimisht në zyrë, për t’u shfaqur  mandej në sallën e Estradës së Shtetit që ziente nga debatet e ashpra për probleme të rëndësishme të vijës së Partisë dhe të rolit të udhëheqjes. “Inkursioni” i Enveri, siç e ka quajtur ai, vlerësohej si shpresa e vetme për të shtypur rebelimin e papritur të delegatëve të shumtë që, si asnjëherë tjetër, protestonin energjikisht kundër kultit të individit, privilegjeve të udhëheqësve të Partisë e të shtetit, ashpërsimit të luftës së klasave, rehabilitimit të disa figurave historike të dënuara padrejtësisht e në rrethana të dyshimta etj. I vëmendshëm ndaj situatave të tilla që atakonin drejtpërdrejt rolin e Partisë e të udhëheqjes, kreu i regjimit është paraqitur në “sheshin e betejës” me një strategji të mirëmenduar. Më parë ka takuar bashkëpunëtorët e afërt dhe është konsultuar me anëtarët e Byrosë Politike dhe pasi ka përpunuar planin e goditjes, ka marrë rrugën drejt sallës së Konferencës për t’u treguar vendin “gangsterëve që tronditën Komitetin Qendror”. “Kam menduar të veproj kështu, shkruan Enveri në ditarin e tij, do të kërkoj fjalën menjëherë dhe me qetësi, pa i atakuar hëpërhë të akuzuarit, do të sqaroj delegatët mbi thelbin e së vërtetës në lidhje me akuzat e poshtra që janë ngritur gjatë punimeve të Konferencës. Sa për ‘trimat’ që duan ‘revizionime’, me ta do të merrem konkretisht në fazën e dytë, kur delegatët të jenë sqaruar mbi të vërtetën. Do të kërkoj me forcë që secili të na e sqarojë se në ç’pozita i ngre akuzat e fëlliqura, në emër të kujt flet dhe kush i ka frymëzuar”. Mënyra si funksionoi kjo skemë, diktoi të tjera zhvillime në Konferencë. Fillimisht Hoxha ndërhyri me një lloj takti djallëzor për ta qetësuar pakënaqësinë e shfaqur. Duke u ndalur në diskutimet e disa delegatëve, u bëri thirrje atyre për një qasje më “konstruktive” ndaj problemeve të ndryshme dhe kërkoi që në shqyrtimin e të metave të mos flitet me një ashpërsi aq të madhe. Apeloi për pjekuri të organizatës së Partisë së Tiranës dhe për traditat e saj, duke theksuar se diskutimet gjatë dy ditëve të mëparshme nuk ishin në nivel të prestigjit të cilin e gëzon ajo. I bindur se ndërhyrja e tij do të ndikonte sadopak në zbehjen e protestës në Konferencë, Hoxha u hodh në fazën e dytë të planit të paravendosur, duke kërkuar reflektimin e delegatëve rebelë. Mirëpo, llogaritë nuk shkuan siç i kishte parashikuar. Kur mendohej se tanimë do të mbyllej kapitulli i vërejtjeve e kritikave në adresë të udhëheqjes dhe KQ, në foltore u ngjitën një nga një delegatët e pabindur, duke përsëritur akuzat që kishin ngritur në seancat e mëparshme. Ishte ky momenti kur Hoxhës do t’i duhej të merrej me çdonjërin prej tyre në përplasje të ashpra dhe debate pa fund. Katër ditët në vijim të Konferencës vazhduan kështu në një atmosferë të acaruar, deri sa të pabindurit e debatit “do të bindeshin” me forcën e dhunës dhe të prangave. Mbi 20 delegatë rebelë u arrestuan menjëherë pas konferencës dhe mjaft syresh u përjashtuan nga Partia dhe u larguan nga Tirana. Në pjesën e fundit të kujtimeve të tij, Niazi Jaho, duke folur për pasojat e Konferencës së Tiranës, rrëfen arsyet e shpërthimit të revoltës dhe mënyrën e trajtimit të saj nga Hoxha dhe propaganda komuniste…

…vijon n ga numrta e kaluar

Në Konferencën e Tiranës është kërkuar me forcë nga shumë delegatë rehabilitimi i Sejfulla Malishovës, Tuk Jakovës, Bedri Spahiut dhe ndonjë tjetri. Cili ishte reagimi i Enverit?
Me sa më kujtohet, përgjigja ishte e prerë: Dënimet e tyre kanë qenë të drejta. Ata e kishin mbushur kupën. Partia ka vepruar drejt.
Si u operua me përjashtimet nga Partia pas Konferencës së Tiranës?

ENVER HOXHA DHE BEQIR BALLUKU
Hollësira e detaje nuk më kujtohen, por atmosfera e krijuar të bën të mendosh se ato ishin të diktuara. E vetmja gjë që kërkohej ishte “të thelloheshe” dhe insistohej “të thelloheshe” madje edhe kur bëje autokritikë. Kjo atmosferë ishte paralajmërim edhe për të tjerët. Po të heshtje, po të reagoje butë, viheshe në pikëpyetje. Pozitive konsideroheshin kritikat e ashpra ndaj atij që do të përjashtohej.
Që nga themelimi i Partisë e deri në vitin 1956 janë bërë edhe eliminime të tjera të grupeve dhe individëve të shpallur si antiparti. Pse Konferenca e Tiranës është vlerësuar nga më të rrezikshmet, kjo e shprehur fillimisht në një letër që i është adresuar organizatave bazë të Partisë fill pas përfundimit të Konferencës?
Analiza të tilla mendoj se u përkasin historianëve, megjithatë kam përshtypjen se deri tani me këtë çështje janë marrë më tepër vetëm gazetarët. Pavarësisht kësaj, desha të shpreh disa konsiderata, pa pretenduar se këto janë shteruese e të pakontestueshme. Së pari: asnjëherë nuk ka ndodhur në një mbledhje apo konferencë partie të jenë bërë kritika aq të shumta dhe masive, aq të hapura dhe të guximshme, sa në Konferencën e Tiranës të vitit 1956. Fryma e saj u përhap edhe në rrethe, madje edhe në Ushtri.
Së dyti: Situata u elektrizua shumë. Para udhëheqjes së Partisë qëndronte dilema a duheshin përmirësuar marrëdhëniet me Titon, sipas rekomandimeve diktuese të Hrushovit. Në pamje të jashtme, por edhe në propagandën që bënte Partia nuk ishte kundra këtij rekomandimi, edhe pse rezervat ishin të mëdha. Në Kongresin XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, veç të tjerave, u godit kulti i Stalinit. Delegatët në Konferencë pyetën nëse ka kult individi në udhëheqjen tonë apo jo. Pavarësisht se me fjalë vlerësoheshin materialet e Kongresit XX, në praktikë udhëheqja nuk pajtohej me goditjen që i ishte bërë atje Stalinit. Në këto kushte, është e kuptueshme pse Konferenca e Tiranës paraqiste rrezikshmëri të veçantë. Së treti: Në emër të mbrojtjes së Partisë dhe të udhëheqjes së saj, duhej bërë goditje e fortë ndaj elementëve “antiparti” që u shfaqën në Konferencë edhe për faktin se në maj të vitit 1956, pra pak ditë pas Konferencës së Tiranës, do të zhvillohej Kongresi i tretë i Partisë dhe nuk duhej të lejohej askush nga “të rrezikshmit” e kësaj konference të përfshihej në të. Kjo në fakt ndodhi. Asnjë nga diskutantët që ngriti probleme nuk “u zgjodh” delegat për në Kongres, kjo falë përkujdesjes së veçantë të grupit të organizatorëve.
Së katërti: Duke marrë shkas nga jehona që bëri Konferenca e Tiranës në atë kohë brenda dhe jashtë vendit, ajo duhej të lidhej me çdo ngjarje tjetër që do të ndodhte më vonë kundër udhëheqësve të Partisë nga individë apo grupe të tjera “antiparti”, “armiqësore”, “revizioniste” etj.
Të them të drejtën, jam çuditur kur jam njohur me akuzat ndaj Fiqrete Shehut dhe Beqir Ballukut si organizatorë të puçit në Konferencën e Tiranës të vitit 1956. U çudita pasi kisha qenë i pranishëm në këtë konferencë. Aty Beqiri ishte i deleguari i Komitetit Qendror. Enver Hoxha evidentoi aty besnikërinë e tij ndaj Partisë. Në fakt, në Konferencë Balluku dhe Fiqreti iu kundërvunë çdo vërejtjeje e kritike ndaj udhëheqjes. Madje, jo vetëm kaq, por edhe ata që u dënuan në Konferencën e Tiranës më vonë u etiketuan edhe si revizionistë jugosllavë (pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë) dhe si revizionistë sovjetikë pas prishjes së marrëdhënieve me BS, por gjithmonë ata mbeteshin “të rrezikshmit” që ngritën krye në Konferencë.

Diçka të fundit për pasojat e Konferencës në gjykimin e një delegati që më vonë u ndëshkua…
Unë po flas si një dëshmitar i ngjarjes. Lidhur me këtë që më pyesni, më mirë mund të flasë një historian që mbështetet në dokumente arkivore dhe që ka parasysh kohën dhe rrethanat në të cilat u zhvillua Konferenca. Megjithatë, unë shpreha disa mendime për atë që pashë, dëgjova dhe përjetova. Për vërtetësinë dhe saktësinë e tyre le të gjykojnë të tjerët. Shpreh keqardhje dhe respekt për gjitha ata delegatë që u goditën dhe u persekutuan pse patën guximin të ngrënë zërin në kushtet kur diheshin pasojat. Ndjej keqardhje edhe për të gjithë ata që nuk ishin komunistë, por nuk u pajtuan me qëndrimet dhe veprimet e atij regjimi dhe që u dogjën në zjarrin e luftës së klasave. Kanë kaluar 23 vjet nga përmbysja e komunizmit dhe punojmë për integrimin në Europë. Edhe pse në kushte dhe rrethana krejt të ndryshme, insistohet për respektimin e fjalës së lirë, sepse ky është elementi i rëndësishëm i demokracisë.

“Balluku urdhëroi kalimin e tankeve në gatishmëri”
Ditari i ish-gjeneralit Panajot Plaku për situatën gjatë Konferencës

Panajot Plaku
I trembur nga situata e papritur në Konferencën e Tiranës, Beqir Balluku, me cilësinë e ministrit të Mbrojtjes dhe të deleguarit të Byrosë Politike, ka urdhëruar ato ditë kalimin e brigadës së tankeve në gatishmëri numër një. Fakti i panjohur bëhet i ditur nga kujtimet e ish-gjeneralit Panajot Plaku, i arratisur në Jugosllavi pas Konferencës së Tiranës. Në ditarin e tij ish-ministri pa portofol, i shpallur armik e tradhtar, bashkë me këtë dëshmi të rrallë sjell pasojat e Konferencës së Tiranës, burgosjen e komunistëve që guxuan të flasin, arsyet e shpërthimit të kësaj revolte etj.

Konferenca partiake e Tiranës krijoi përshtypje jashtëzakonisht të rëndë jo vetëm te komunistët e kryeqytetit, por edhe në mbarë Partinë, përkundër faktit se anëtarët nuk ishin informuar objektivisht për të. Pikërisht për këtë arsye, udhëheqja e PPSH-së nuk mund të heshtte edhe më tutje për këtë ngjarje të rëndësishme. Kah fundi i vitit 1957, udhëheqja e PPSH-së shpalli se Konferenca e Tiranës është “vepër e revizionistëve jugosllavë dhe e agjentit të tyre Panajot Plaku”, e kjo do të thotë edhe vepër imja! Më duhet të them me këtë rast se kam shumë argumente se nuk kam marrë pjesë në organizimin e Konferencës së Partisë së Tiranës. E kam të qartë se duke ma veshur mua rolin e këtillë, në të vërtetë, ka qenë qëllimi që të largohet vëmendja prej motiveve të vërteta të kësaj proteste masive kundër udhëheqjes së Partisë, prej pakënaqësisë së anëtarëve dhe të kuadrove udhëheqëse me politikën e udhëheqjes më të lartë partiake dhe shtetërore. Para se të mbahej Konferenca e Tiranës, unë u nisa nga Shqipëria për në Korenë Veriore. U ndala disa ditë në Moskë. Një ditë më ftuan me ngut në Ambasadën e Shqipërisë. Atje i gjeta tejet të shqetësuar anëtarët e Byrosë Politike të KQ, Spiro Kolekën dhe kandidaten për anëtare të KQ, Vito Kapon. Prej brengosjes së tyre fitova përshtypjen se në vendin tim kishte shpërthyer revolucioni. Më thanë se në Konferencën e Tiranës gati të gjithë delegatët e kishin kritikuar udhëheqjen, se ishin ngritur në mënyrë energjike kundër saj dhe kundër vijës së deriatëhershme të Partisë. Më thanë se i brengos posaçërisht fakti që sulmet kundër udhëheqjes nuk pushuan as atëherë kur erdhën në Konferencë Enver Hoxha e Mehmet Shehu dhe se situata ishte aq e acaruar, sa që Beqir Balluku kishte urdhëruar Adnan Qatipin që të largohej nga Konferenca dhe të mbajë në gatishmëri një batalion të tankeve për të intervenuar sa më parë, në qoftë se do të jetë e nevojshme. Me këtë rast unë dëgjova për herë të parë për ngjarjet në Konferencën e Tiranës. Pas kësaj bisede shkova me aeroplan nga Moska në Pjongjang, në Kongresin e Tretë të Partisë së Punës së Koresë, si shef i delegacionit të PPSH-së. Pas kryerjes së Kongresit, bashkë me të gjithë delegacionet e partive komuniste të Europës, shkova në Pekin.
Sa ishte absurd pohimi se Konferenca e Tiranës ishte “vepër imja”, dëshmon edhe fakti se Kongresi i Tretë i PPSH-së është mbajtur pas hetimeve radikale dhe pas likuidimit të një numri të madh funksionarësh të lartë të Partisë dhe shtetit. Kjo është dëshmi e qartë se ajo, në të vërtetë, ishte shprehje e rezistencës spontane të komunistëve të Shqipërisë kundër burokratizmit dhe terrorit, të cilin e aplikonte grupi udhëheqës më i ngushtë. Në Kongresin e Tretë të PPSH, Enver Hoxha, duke më propozuar anëtar të KQ, foli me superlativa për kualitetet e mia. Madje, tha se unë jam i vetmi njeri në Shqipëri, i cili i ka lexuar të gjitha veprat e Leninit. Pohimin e përmendur e përgënjeshtron edhe fakti se në Kongres, në të cilin kanë votuar të gjithë udhëheqësit më të lartë, e kjo do të thotë edhe të gjithë ata të cilët ishin të informuar mirë për Konferencën e Tiranës dhe për prapavijën e saj, unë kam fituar 100% të votave. Më në fund, e dhëna e fundit që e hedh poshtë pohimin e përmendur, është fakti se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk më kanë dëbuar nga Shqipëria, por vetë, me dëshirën time, kam vendosur të shkoj në Jugosllavi. Këtë ikje e publikuan në shtyp pas më shumë se dhjetë ditëve, e kjo pa dyshim është karakteristike, sepse kur u largova isha ministër i qeverisë së Shqipërisë. E konsiderova të domosdoshme që me këto argumente t’i përgënjeshtroj akuzat për “rolin tim si organizator” në Konferencën e Tiranës, pikërisht për shkak se po shoh se ato kanë për qëllim që, gjoja tradhtinë time, në të vërtetë të maskohet disponimi i vërtetë i bashkëluftëtarëve të mi, i komunistëve dhe i patriotëve të Shqipërisë. Të gjitha arrestimet dhe likuidimet pas Konferencën e Tiranës ishin, sipas mendimit tim, në të vërtetë masa preventive. Sa i përket situatës së brendshme, ato ishin reagim ndaj dukurisë së pakënaqësisë së hapur masive të kuadrove të vjetra të sprovuara dhe të të gjithë njerëzve, të cilët mendojnë me koka të veta. Sa u përket faktorëve të jashtëm, udhëheqjen e Shqipërisë e kishte kapluar që të mos shpërthejë edhe në Shqipëri aksioni i hapët kundër stalinizmit, sikurse kishte ndodhur në disa vende socialiste (në Republikën Demokratike të Gjermanisë, në Poloni dhe në Hungari). Pas vdekjes së Stalinit, në radhët e Partisë dominoi një atmosferë e re. Duke e duruar vite me radhë despotizmin e Enver Hoxhës, anëtarët e Partisë konsideronin se kishte ardhur koha që t’i qërojnë hesapet me dukuritë e rënda të burokratizmit dhe që demokratizmi të aplikohet përsëri si metodë kryesore e jetës dhe e veprimit të PPSH. Mirëpo, një atmosferë e tillë nuk i shkonte për shtat Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Këta druanin me të drejtë se vala e qërimit të hesapeve me burokratizmin dhe me dhunën do t’i fshijë në mënyrë të paevitueshme edhe ata vetë. Pikërisht, për këtë arsye, megjithëse në një varg vendesh socialiste ishin bërë përpjekje për t’i eliminuar pasojat e rënda të stalinizmit, në praktikë ata i demaskonin me këmbëngulje deklaratat e veta dyfytyrëshe se edhe vetë qëndrojnë në vijën e demokratizimit të sërishëm të jetës në parti. Për këtë dëshmojnë një varg shembujsh. Plenumi i KQ të PPSH, që u mbajt në prill 1955, ishte orvatje drastike që t’u bëhej me dije anëtarëve të Partisë se vazhdon kursi i vjetër, se Byroja Politike nuk do të tolerojë kurrfarë rezistence ndaj vijës së njohur të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut. Në Plenum të prillit u likuidua Tuk Jakova, e po këtë fat përjetoi edhe Bedri Spahiu, të vetmet “gabime” të tyre ishin se kishin bërë përpjekje për t’u larguar nga mënyra e stabilizuar dhe e dirigjuar e mendimit nga periudha e stalinizmit.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura