Komunizmi, i dokumentuar përmes fotografish e posterash

Feb 20, 2018 | 11:41
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Fotografi, postera, slogane që sot duken qesharake, por që asokohe përbënin filozofinë mbi të cilën ndërtohej jeta në Shqipëri.

Një ekspozitë në kuadër të 27-vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha më 20 shkurt 1991, u hap dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jo më kot është përzgjedhur pavijoni i diktaturës.

6e2e9b2025225f6a5e40ca366bddcf5a_S

Titullohet “Komunizmi në epokën e tij”, përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore dhe prezantohet për herë të parë në Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC).

Ekspozita përshkruan ngritjen dhe rënien e lëvizjeve komuniste në shekullin XX, kryesisht në Europën Lindore, por pa dyshim fokusuar te Shqipëria dhe shqiptarët, që për 45 vjet me radhë, përjetuan një prej diktaturave më të egra në botë.

Është përgatitur nga historiani Gerd Koenen dhe vjen si një thirrje për të kujtuar një nga periudhat më të errëta në historinë e Europës dhe të Shqipërisë, por edhe si sensibilizim dhe njohje për brezin e ri, që historia të mos përsëritet. Sipas organizatorëve të ekspozitës, “komunizmi si ideologji mobilizoi miliona njerëz anembanë botës, por u bë njëkohësisht edhe makth i mbi 100 milionë viktimave të dhunës komuniste”.

Kuratori i ekspozitës është kujdesur që të përzgjedhë elementet më kyçe që përbënin politikat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë diktatoriale, por edhe elemente që përbënin jetën e shqiptarëve nën regjim, që nga ndalimi i pronës private, tek emancipimi i gruas.

4435390

Aty reflektohet miqësia dhe armiqësia me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik apo Kinën (“Miqësia e thyer me Jugosllavinë”, “Nga miq në armiq Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik”, “Me Kinën e largët”, “Emancipimi dhe erosi-Gruaja dhe socializmi”, “Propaganda mbi emancipimin e gruas”, “Propaganda përmes shtypit”, “Ekonomia e (pa)planifikuar”, “Prona i përket shtetit”, “Me forcat tona”, etj.) Kjo ekspozitë i paraprin një sërë aktivitetesh me rastin e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha, simbol i një prej diktaturave më të egra në Europë, të instaluar në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.

Por shkurti është një muaj kujtese, pasi siç na kujtojnë organizatorët e ekspozitës, gjatë tij kanë ndodhur disa ngjarje, që do të ndryshonin jetën e shqiptarëve gjatë diktaturës: Më 19 shkurt 1951, në Ambasadën Sovjetike u inskenua “bomba” që justifikoi arrestimin dhe më vonë pushkatimin pa gjyq të 22 personave. Gjithashtu, në shkurt 1967, diktatori Hoxha nisi të ashtuquajturën “luftë kundër paragjykimeve dhe zakoneve fetare”, si rezultat i së cilës rreth 2200 vende kulti u prishën, u mbyllën apo u tjetërsuan.

Me luftën ndaj besimeve fetare, regjimi i Hoxhës e cilësoi “të likuiduar funksionin e klerit”, përndoqi dhe burgosi pjesën më të madhe të tyre. Shqipëria u bë i vetmi vend ateist në botë.

Po shkurti do të mbante edhe një datë tejet domethënëse, rrëzimin simbolik të regjimit. Ishte 20 shkurti i vitit 1991, kur studentët dhe qytetarët e Tiranës thyen frikën dhe rrë- zuan shtatoren e Enver Hoxhës. Ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura