Juliana Pasha: “Odessa, emri i vajzës 15-vjeçare të tim shoqi”

May 26, 2014 | 14:48
SHPËRNDAJE

E vërteta e emrit të restorantit të këngëtares

Vetëm pak ditë më parë, ajo festoi 34-vjetorin e lindjes, e rrethuar mes miqsh dhe shumë buqetave më lule, në një festë surprizë që i shoqi i kish përgatitur enkas për rastin në fjalë. Ambienti i përzgjedhur ishte pikërisht vendi, që vetë këngëtarja e njohur, Juliana Pasha, e promovoi përmes fotosh në rrjetet sociale, restoranti me emrin ‘Odessa”, duke e kthyer kështu ëndrrën në realitet, pasi pasioni i saj për kuzhinën dhe të gatuarit është një fakt i njohur deri më tash. Por, ajo që nuk dinim në lidhje me Julianën, e cila është e lidhur në martesë me kitaristin Altin Llakaj prej më shumë se tetë vitesh, është fakti se ky i fundit është babai i një vajze 15-vjeçare e cila jeton për momentin në Greqi. Dhe emri i restorantit “Odessa” pra është emri i bijës së Altinit. Këtë të vërtetë Juliana e ka rrëfyer përballë Rudina Magjistarit, në emisionin “Takimi i Pasdites” në TvKlan. “Odessa është emri i vajzës së Altinit, me të cilën unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Ajo ishte e pranishme në festën e inaugurimit të restorantit tonë, madje herë pas here shkëmbejmë me celular foto nga gatime të ndryshme që përgatisim në kuzhinën e restorantit dhe ia dërgojmë asaj për kënaqësi. Është një raport i shkëlqyer mes nesh, ne takohemi shpesh, unë shkoj shpesh në Greqi dhe jam e lumtur për faktin që biznesi ynë familjar do të mbajë emrin e saj, Odessa”, ka thënë kështu Juliana Pasha. Është hera e parë që këngëtarja ka pranuar të flasë për këto detaje të jetës së saj private, duke ditur që ajo ka qenë diskrete sa i takon marrëdhënies në çift e asaj familjare. Ky diskutim ka ngjallur jo pak kuriozitet, madje dhe habi te personat që e kanë dëgjuar për herë të parë këtë realitet, praninë e një vajze në jetën e çiftit, që me sa duket është ruajtur me fanatizëm ndër vite, pasi edhe në rrethin e ngushtë miqësor të këngëtares sidomos, nuk është përfolur ndonjëherë prania e një vajze në moshën adoleshente, që i shoqi e ka nga martesa e tij e parë. Nuk kanë qenë të rralla rastet kur pyetjes dhe interesit të fansave të këngëtares për mungesën ende të një fëmije në çiftin e tyre, pas një lidhjeje të zgjatur në kohë, çifti i është përgjigjur me fjalët se nuk e përjashtojnë mundësinë, duhet vetëm të trokasë çasti i duhur. Shpresojmë që emri i Odessës të jetë një ogur i mbarë për biznesin familjar të çiftit, të cilët e kanë një ndër angazhimet kryesore të momentit anën menaxheriale të restorantit të tyre kryesisht me  specialitete të peshkut e prodhimeve të detit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura