“I donte petullat e ngrohta! Episodi i frikshëm kur ishte Ramiz Alia President”- Flasin guvernantet e vilave të Bllokut: Si plotësonim çdo ditë tekat e ish-byroistëve

Mar 26, 2022 | 15:52
SHPËRNDAJE

Guvernantet e bllokut rrefimi-Panorama1Gazeta Panorama.al/ Jo çdokush mund të shkelte në familjet e tyre! Në zonën më të blinduar të kryeqytetit shqiptar, ku shpesh ishte e ndaluar të hidhje vështrimin, e jo më të kapërceje postblloqet apo kontrollet e personave që kujdeseshin për ruajtjen fizike dhe rendit të ishudhëheqësve komunistë.

Aty, ato të dyja kishin përditshmërinë e punës. Prania në mesin e bashkëshorteve, fëmijëve të funksionarëve më të lartë të pushtetit popullor nuk mund të mos të impononte besim, njëherësh edhe trysni nga të katërta anët. Hatixhe Duro dhe Ikbale Gjaçi e kanë nisur punën si guvernante në vilat e ish-Bllokut komunist, duke “shëtitur” thuajse në pjesën dërrmuese të shtëpive të ish-zyrtarëve të atij regjimi, derisa ato dolën në pension. Thonë se nuk ishte një punë e lehtë, edhe pse përpjekjet për të bërë vetëm detyrën e përditshme ishin më shumë se nevojë për të ruajtur “kokën” dhe vendin e punës.

Përvoja e gjatë nëpër shtëpitë e të mëdhenjve të shtetit komunist ka kaluar jo pa tension. T’i shërbeje kafenë e mëngjesit dhe petullat e ngrohta Ramiz Alisë, Beqir Ballukut, Hysni Kapos apo Lenka Çukos ishte më tepër se përgjegjësi. Shpesh ishte ankth se mos një dridhje duarsh apo një lëvizje e nxituar mund të bëhej shkak për ndonjë situatë ose incident të padëshiruar.

Ashtu siç herë të tjera, dy guvernantet e vilave të ish-Bllokut bëheshin pjesë e gëzimeve familjare, festave të fundvitit apo vëmendjes së kujdesshme të bashkëshorteve të politikanëve, të cilat i sajdisnin me dhurata të ndryshme për veten dhe familjet e tyre.

Hatixhe Duro-Ikballe-Gjaçi
Hatixhe Duro dhe Ikballe-Gjaçi

Të punoje në vilat e ish-pushtetarëve të regjimit komunist, nuk ishte një detyrë e lehtë. Përpos përgjegjësisë profesionale, çfarë trysnish të tjera kishte puna juaj?

HATIXHE DURO: Përpara se të më emëronin si punëtore në shtëpinë e Beqir Ballukut, funksionarit të parë komunist në vilën e të cilit kam punuar për gjashtë muaj, biografia ime u kalua në sitë. Asokohe, të gjithë punonjësit e besuar nëpër vilat e udhëheqësve nevojiteshin me biografi të kulluar dhe ajo e imja ka qëndruar gjashtë muaj rresht në zyrat e shtetit, duke kaluar nëpër filtra të kujdesshëm, aq sa kishin arritur të pyesnin për mua dhe familjen, edhe në vendlindjen time në fshat. Ishte vërtet punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse punoja brenda shtëpive të zyrtarëve komunistë, u shërbeja atyre, bashkëshorteve, fëmijëve, sigurisht me gatishmëri të plotë.

Në fillimet e mia kam qenë punëtore vile dhe detyrat që më caktonin kishin të bënin kryesisht me larjen e dyshemesë, oborrit, larjen e rrobave, hekurosjen e shumë punë të tjera shtëpie. Më vonë, pasi u specializova në një kurs për kuzhiniere, u pozicionova në këtë profil, duke gatuar për shumë pushtetarë komunistë ndër vite, njëherësh duke shërbyer në pritjet e delegacioneve të huaja që vizitonin vendin tonë, pritje që organizoheshin kryesisht në Pallatin e Brigadave.

Por, edhe pse njëfarësoj unë dhe koleget e mia ishim të besuarat e shtëpive të këtyre zyrtarëve, siguria dhe kontrolli ishin primare edhe për ne. Çdo mëngjes, përpara se të hynim në vilat e Bllokut, tregonim fletëhyrjen, të cilën e paraqisnim tek postblloku, e pastaj futeshim nëpër shtëpitë respektive nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites.

Çfarë kujtoni nga përvoja juaj e parë e punës?

HATIXHE DURO: Për herë të parë kam nisur punë në vitin 1965. Do të zëvendësoja një kuzhiniere që kish marrë lejen e pushimeve. Atë ditë organizohej një pritje në Pallatin e Brigadave. Unë shërbeva pijet te të ftuarit e pranishëm, ministra të pushtetit popullor dhe disa përfaqësues të një delegacioni të huaj. Menjëherë pas kësaj përvoje, më dërguan të punoja si guvernante në shtëpinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Kam qëndruar për gjashtë muaj atje. Si punëtore kisha një marrëdhënie tepër korrekte me të gjithë familjen, por kryesisht me të shoqen e tij, Saide Ballukun.

Ishim gjithsej tre punëtorë dhe një kuzhiniere që shërbenim në shtëpinë e Ballukut. Puna ime kishte të bënte me pastrimin e shtëpisë, orendive, oborrit etj. Isha vetëm 23 vjeçe dhe fillimi ishte tepër i vështirë, plot emocione.

A ndihej barazia në mënyrën si ata ju trajtonin ju punëtorët e thjeshtë që u shërbenit zyrtarëve komunistë dhe familjeve të tyre?

HATIXHE DURO: Personalisht jam ndier e vlerësuar për punën time. I njihja rreziqet, ndaj gjithnjë mundohesha të bëja detyrat e ditës, kokulur, e bindur dhe pa kurrfarë kurioziteti të tepruar për të mësuar se çfarë ndodhte në vilat ku shërbeja, hyrjet apo daljet e njerëzve të caktuar, situata familjare apo politike të padëshiruara që mund të ndodhnin e që reflektoheshin edhe në shtëpi, të tipit nervozizëm apo ngritje zëri.

Nëse përhapja fjalë apo interesohesha më shumë seç duhej, pasojat do ishin të pashmangshme. Ndaj, duke ruajtur këto parime, respekti nga ana e tyre nuk më ka munguar. Beqiri shpesh ulej me ne punëtorët dhe bashkërisht pinim kafe. Ndërsa, të tjerë pushtetarë shpesh nuk na ndanin nga gëzimet e tyre familjare.Tregoheshin të kujdesshëm duke na bërë dhurata për vete dhe familjarët në rastet e festave të fundvitit.

Hatixhe Duro (e dyta majtas) në shtëpinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra
Hatixhe Duro (e dyta majtas) në shtëpinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra

Pas vilës së Beqir Ballukut, keni lëvizur thuajse në pjesën dërrmuese të vilave të ish-Bllokut apo jo?

HATIXHE DURO: Po. Kam punuar në shumë prej tyre, por këto lëvizje bëheshin jo pa rekomandime apo reputacion të mirë. Pas Beqir Ballukut kam punuar në shtëpinë e Hysni Kapos. Ishin një familje e respektuar, prej nga unë ruaj edhe kujtime shumë të bukura. Vito Kapoja e pëlqente shumë punën time të dorës dhe më kërkoi që t’i qëndisja dy palë çarçafë për të bijën, Verën, kur ajo u martua.

Doli një komplet shumë i këndshëm e për të cilin kam punuar ditë e natë derisa të bëja diçka të vyer. Aq shumë i pëlqeu Vitos puna ime, sa i sugjeroi gruas së Manush Myftiut emrin tim si një punëtore e zonja. Tek vila e këtij të fundit punova edhe më gjatë, sërish si punëtore, deri në çastin që vendosa të ndiqja shkollën e kuzhinës, mora të shtatë kategoritë bashkë me titullin e kuzhinieres profesioniste.

Zonja Hatixhe, cilin kujton si një moment të vështirë ndër vitet e punës suaj nëpër vilat e ish-zyrtarëve komunistë?

HATIXHE DURO: Ka qenë një moment që nuk kam për ta harruar kurrë. Ishte festa e Vitit të Ri dhe në Pallatin e Brigadave organizohej një pritje e një delegacioni portugez. Në krye ishte President Ramiz Alia, ndërsa ne të stafit në mëngjes na kishin thënë se ishte thjesht një koktej. Unë kisha përgatitur disa antipasta të lehta me sallam dhe qofte, djathëra të freskëta, pasi sigurisht për gatimet e kësaj natyre apo edhe të pushtetarëve të asaj kohe furnizimi me produktet dhe lëndën e parë bëhej enkas në magazinën e Bllokut, ku nuk mund të gjeje vetëm edhe qumësht dallëndysheje.

Gjithçka speciale. Mua më lajmërojnë në minutat e fundit se nuk bëhej fjalë për një banket, por për një darkë të mirëfilltë për gjashtë persona. Një tension i jashtëzakonshëm. Frika më pushtoi trupin. Çfarë mund të bëja në aq pak kohë? Ndërsa shoqëruesve të Ramiz Alisë gati sa nuk u kish rënë të fikët, përpara faktit se si duhej t’i shpjegonin atij se darka nuk mund të arrihej. Në ato çaste m’u vërtit çdo pasojë e keqe në kokë, ndaj mblodha veten dhe iu futa punës. Gjatë kohës që shtrohej banketi dhe shërbeheshin pijet, nisa të përgatis darkën që nga supa, mishi, filetot, ëmbëlsirat dhe brenda 45 minutave ia dola mbanë.

Gjithçka ishte gati. Atë tension e frikë që kam përjetuar atëherë, nuk mund ta harroj kurrë. Ju keni shërbyer si kuzhiniere edhe në kohën kur në Shqipëri erdhën disa doktorë kinezë për të parë gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës…. Episod më vete është edhe kjo pjesë në eksperiencën time të gjatë të punës. Mbaj mend që ishin pesë doktorë kinezë që erdhën për të vizituar udhëheqësin Enver Hoxha, në kohën kur gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.

Ata qëndruan 14 ditë në Tiranë dhe thuajse çdo ditë kam gatuar për ta, deri edhe petulla kineze. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje që mund të bëja edhe ushqim kinez, por ja që ia dola mbanë. Realizoja disa mbushje brumi me mish në forma të çuditshme, të cilat i fusja më pas në ujë të vluar për disa minuta. Ato i shërbeja sipas dëshirës, me djathë ose thjesht të marinuara. Kam gatuar shumë receta kineze, ndërsa doktorët mbeteshin gjithnjë të kënaqur nga gjithçka u përgatisja.

Kur keni punuar në shtëpinë e ish-Presidentit Ramiz Alia dhe tek Lenka Çuko?

HATIXHE DURO: Mbaj mend që në kohën kur punoja te Ramiz Alia, çdo mëngjes i shërbeja kafenë, ndërsa petullat e ngrohta ishin të preferuarat e tij. Gjithnjë më falënderonte për gatimet e mia, teksa e shoqja, Semiramisi, ishte një grua e jashtëzakonshme. Në çdo festë ajo nuk harronte të më bënte dhurata për familjen time dhe kjo më bënte të ndihesha mirë dhe e vlerësuar. Nuk ishin aspak njerëz tekanjozë. Edhe në vilën ku jetonte Lenka Çuko kam kaluar shumë mirë. Sa herë që kthehej nga puna, ajo do vinte gjithnjë të na përshëndeste ne stafin e punëtorëve e kuzhinierëve që punonim për të.

Në momente të caktuara gëzimi, familjare, ajo na merrte në valle bashkë me Naunka Bozon. Edhe pse shpesh mund të më provokonin në forma të ndryshme, duke vendosur nëpër sirtarë apo sipër komodinave lekë, bizhuteri apo sende me vlerë, unë i nuhasja kurthet dhe përherë shmangesha. Përditshmëria e punës sime ndër vite, derisa dola në pension, ka pasur sa përgjegjësi aq edhe frikë bashkë.

Por ishte kujdesi, vigjilenca ime dhe nevoja për të mbajtur familjen me atë rrogë, që çdo herë më shtynin të mos përzihesha në situata delikate, duke parë gjithnjë vetëm detyrat që më caktoheshin.

***

IKBALE GJAÇI: Adil Çarçani thyente këshillat e infermieres

Fillimisht ju keni punuar në magazinën ushqimore të ish-Bllokut që posedonte gjithçka kërkohej nga furnitorët për shtëpitë e pushtetarëve të lartë komunistë. Çfarë keni vërejtur gjatë viteve që punuat atje?

IKBALE GJAÇI: Në magazinën ushqimore të ish-Bllokut kam punuar për gati tre vjet. Çfarë nuk kam kaluar nëpër duar, mallra dhe produkte që nuk i kisha parë kurrë më parë. Çdo asortiment gjendej në atë magazinë, por sigurisht që ishte i destinuar vetëm për familjet e ngritura të funksionarëve komunistë, apo për Pallatin e Brigadave ku organizoheshin pritje shtetërore nga më të ndryshmet. Vetëm qumësht dallëndysheje nuk gjeje në magazinën tonë, se çdo produkt tjetër deri tek frutat e thata, filetot e peshkut ishin aty. Ne plotësonim kërkesat që na sillnin të shkruara enkas furnitorët e vilave të udhëheqjes, por çdo kalim bëhej me shumë kujdes. Tregohej shumë vigjilencë në peshën e ushqimeve, kontrollohej sërish cilësia, pasi çdo gabim ishte i pafalshëm.

Si kaluat më pas në pozicionin e guvernantes në vilën e Adil Çarçanit?

IKBALE GJAÇI: Tek vila e Adil Çarçanit kam punuar nga viti 1986 deri në fillim të demokracisë. Fillimisht më dërguan si punëtore në shtëpinë e tij, duke më thënë se do të qëndroja vetëm dy javë, por qëndrimi zgjati më shumë nga sa e kisha parashikuar. Me sa duket, atyre u pëlqeu metoda ime e punës, marrëdhënia korrekte që kisha me stafin e punëtorëve atje, por edhe vetë familjen Çarçani. Punët që bëja ishin nga të ndryshmet, nga pastrimi, larja e rrobave në lavatriçe, shpesh edhe gatuaja në kuzhinën e familjes, e cila ishte e pozicionuar në bodrum.

Ikbale Gjaçi me kolektivin e punës në Vilën 31, në zonën e ish-Bllokut
Ikbale Gjaçi me kolektivin e punës në Vilën 31, në zonën e ish-Bllokut


Kujtoni ndonjë moment veç të tjerëve në atë shtëpi?

IKBALE GJAÇI: Punova në shtëpinë e Adil Çarçanit gjatë kohës kur ai u diagnostikua me diabet. Çdo ditë vinte infermierja në shtëpi që i peshonte gjithfarë ai do të konsumonte gjatë vakteve të ditës. Shpesh përcaktonte edhe menynë, sepse e tillë ishte sëmundja. Duke respektuar atë regjim ushqimor bëhej e mundur që të ruhej niveli i sheqerit në gjak. Por, shpesh e kujtoj faktin që sapo infermierja mbaronte orarin e punës dhe largohej, Adili vinte në kuzhinë, na përshëndeste dhe kërkonte të hante sërish, ndonjë gatim të shijshëm që atij i pëlqente shumë.

Të nesërmen që i bëhej matja e glicemisë esëll nga infermierja, niveli i sheqerit i dilte mjaft i lartë, çka shpesh rrezikonte edhe shëndetin e Adilit. Bëhej zhurmë e madhe. Infermierja bënte kritika ndaj stafit, por gjërat përsëriteshin. Adili përsëriste të njëjtën gjë sa herë largohej ndihmësmjekja. Ndofta ngaqë ishte shijues i mirë i ushqimit. Të shoqen e tij, Havanë, e kanë treguar grua të sertë.

Ç’marrëdhënie kishe me të?

IKBALE GJAÇI: Për vetë pozicionin që ajo kishte, si prokurore, mund të dukej edhe e sertë, por me ne stafin e punëtorëve të shtëpisë ajo ishte korrekte, dhe kaq na mjaftonte. Tregohesha shumë e kujdesshme në punën time që të mos i lija shkas për kontradikta. Madje, edhe kur merrja pluhurat, çdo orendi e lëvizja me kujdes dhe e rivendosja sërish në po të njëjtin vend. Shumë kolegeve të mia u ka ndodhur që të kenë probleme pikërisht për faktin se pse lëvizen gjërat nga vendi nëpër shtëpi. Mua njëherë më ka ndodhur që teksa kisha vendosur rrobat për t’u larë në lavatriçe, një çorape me ngjyrë ishte përzier me to dhe të gjithë rrobat u bënë të zeza.

Kam qarë gjithë ditën. U mbylla në bodrum poshtë, sepse kisha frikën e pasojave. Përveç rrobave, kisha hallin se mos e merrte vesh e shoqja e Adilit, se do ishte bërë nami. Falë Zotit, një kolege ime aty u tregua e gatshme të më ndihmonte. I futi në klor, më pas në një ilaç zbardhues dhe ato u bënë si të reja. Asnjëherë nuk kam për ta harruar tensionin që përjetova atë ditë.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura