Veç parave, autorët morën edhe telefonat celularë të klientëve të kazinosë.
Ngjarja në Vorë, policia ndoqi telefonin e vjedhur klientit.
Gjurmimi i celularëve që u janë marrë klientëve ka orientuar Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës drejt të dyshuarve për grabitjen e një kazinoje, ngjarje e ndodhur në Vorë të Tiranës, në tetor 2011.
Më datë 11.10.2011, rreth orës 03:30, policia është njoftuar se në vendin e quajtur qyteza e Vorës, është vjedhur me armë pika e lojërave elektronike të fatit “Admiral”. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes në gjithë ambientin në të cilin ishte vendosur kjo pikë lojërash fati, e cila gjendej në katin e parë të pallatit 8-katësh në qendër të qytetit të Vorës, janë gjetur disa gjurmë papilare, të cilat janë dërguar për vlerësim në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë. Policia ka thënë se janë pyetur shtetasit A. Veliu (punonjës i sallës së këtyre lojërave), Gentian Sh. Tori K. dhe Alked P., të cilët kanë qenë klientë dhe të pranishëm gjatë vjedhjes. Sipas tyre, fillimisht në këtë pikë ka hyrë një person i armatosur me një armë shotgun dhe pas tij kanë hyrë edhe dy persona të tjerë, të armatosur edhe këta me pistoleta. Pasi kanë hyrë brenda kësaj pike, fillimisht këta persona u kanë bërë thirrje të pranishmeve të mos lëviznin dhe i kanë lidhur ata me fasheta plastike me ngjyrë të bardhë, të cilat i kishin me vete.
Pas kësaj, këta persona kanë kontrolluar sirtarët e banakut në të cilët kanë marrë një shumë prej rreth 150.000 lekësh dhe më pas kanë vijuar t’i kërkojnë punonjësit të sallës çelësat e kasafortës, por punonjësi i sallës nuk ua ka dhënë me pretendimin se nuk i kishte. Pas kryerjes së këtyre veprimeve dhe pasi u kanë marrë shtetasve Alked P. dhe Gentian Sh. celularët që këta persona kishin me vete, tre autorët kanë lënë shtetasit e sipërpërmendur të shtrirë dhe të lidhur dhe janë larguar pa u identifikuar. Sipas të dëmtuarve, këta dy persona kanë përdorur fjalë kërcënuese dhe fyese ndaj tyre, tre personat janë rreth 165-175 cm, dhe nga dialekti, njëri duhet të jetë i zonës përreth Vorës dhe tjetri duhet të jetë banor i zonave jugore të vendit. Duke qenë se gjatë vjedhjes autorët kanë vjedhur edhe 2 aparatë celularë, të cilët u përkisnin shtetasve Alked P. dhe Arian V., gjatë hetimit u është kërkuar informacion kompanive respektive celulare për numrat telefonikë që janë përdorur në celularët që u ishin vjedhur me dhunë klientëve të kazinosë së grabitur.
Ndjekja e celularit
Marrja e të dhënave mbi numrat e telefonave që janë vendosur në celularët e grabitur në kazino i ka shërbyer Policisë dhe Prokurorisë deri te mbërritja në emrat e personave të dyshuar për grabitjen e kazinosë. Kështu Arian V., i cili ndodhej në kazino në momentin e grabitjes, ka vënë në dispozicion të hetuesve një kopje të faturës së blerjes në dyqan në Angli dhe një kopje kuponi tatimor (në gjuhën angleze) në të cilën jepeshin karakteristikat e aparatit telefonik celular, të cilin shtetasi Arian V. e ka pasur me vete natën e ngjarjes. Nisur nga ky fakt u është dërguar shkresa kompanive të telefonisë celulare nëse ky aparat celulari i markës “Rio-Orange”, me numër Imei – 352….., ishte përdorur ose jo nga ndonjë abonent i ndonjërës prej katër kompanive të telefonisë celulare që operojnë në Shqipëri. Në mars 2012 është marrë përgjigje se celulari në fjalë, gjate periudhës se kërkuar, ishte përdorur nga disa abonentë. Ka rezultuar se përdorimi i këtij numri sipas rendit kronologjik rezultonte se fillimisht pas datës së vjedhjes ishte përdorur nga numri telefonik celular i regjistruar në emër të shtetasit R.D., banor i qytetit të Durrësit dhe se personi i fundit që e kishte në përdorim këtë aparat celulari ishte shtetasja L.Ç. Kjo e fundit është pyetur nga hetuesit dhe ka pohuar se telefonin ia kishte dhënë një kushërira e saj e quajtur E.S., e cila punon si mjeke në një klinikë private në Tiranë. Dëshmitarja E.S. ka dhënë shpjegime, duke pohuar se telefonin ia ka dhuruar një pacient i saj nga qyteti i Vorës, të cilin e ka pasur për trajtim mjekësor në klinikën e saj. Nga të dhënat e marra gjatë hetimit, pranë klinikës private, ka rezultuar se shtetasi i trajtuar quhet E.M., nga qyteti i Vorës, i cili aktualisht ka ndryshuar mbiemrin. Ai ka rezultuar kushëri me personin e parë që kishte përdorur telefonin e vjedhur në kazino, ndaj për këtë arsye, policia ka bërë kontroll në banesën e tij pasi dyshohet se është autor i ngjarjes.











