Dëshmia në Prokurori, Frroku tradhton Doshin: S’dija gjë për plan vrasjeje ndaj Tomës. S’e njoh Durim Bamin

Mar 7, 2015 | 16:48
SHPËRNDAJE

Deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku, duket se ka mohuar dje të ketë qenë në dijeni për ndonjë atentat apo komplot për vrasje ndaj kolegut të tij, Tom Doshi. 

Deputeti Mark Frroku duke folur per gazetaret

Një ditë pas deklaratave të Doshit, që tha se ishte njoftuar nga kolegu i tij i Partisë Kristiandemokrate për “planin e vrasjes”, Prokuroria e Krimeve të Rënda mori në pyetje dje deputetin Mark Frroku. Ai ishte në listën e shtatë zyrtarëve të parë, që organi i akuzës kërkoi për t’i marrë në pyetje për hetimin e hapur mbi akuzat e Tom Doshit.

Burimet jozyrtare nga Prokuroria konfirmuan dje vetëm faktin se gjatë dëshmisë së tij, Mark Frroku, ka thënë se nuk e njihte dhe nuk e dinte kush është shtetasi Durim Bami. Të njëjtat burime nga organi i akuzës, refuzuan të bëjnë komente të mëtejshme në lidhje me çështjen, për shkak të sekretit hetimor.

Nga ana tjetër, vetë deputeti Mark Frroku, në dalje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dëshmoi për më se një orë e gjysmë aty, ka thënë para kamerave se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë komploti ndaj kolegut të tij Tom Doshi.

Mark Frroku ishte zyrtari i katërt në listën me shtatë emra të personaliteteve të thirrura nga Prokuroria për të dhënë deklarime në lidhje me hetimin që po zhvillohet për akuzat e Tom Doshit. Një ditë pas publikimit të listës me personat e thirrur, Mark Frroku i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë.

Pak pas mesditës, ai ka hyrë në ambientet e Prokurorisë dhe është paraqitur para grupit të hetimit. Për më tepër se një orë ai ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa në fund, ka firmosur procesverbalin e dëshmisë.

DEKLARATA E FRROKUT
Pasi është pyetur në dalje të Prokurorisë nëse ka pasur një tentativë komploti për atentat ndaj deputetit Tom Doshi, Mark Frroku u përgjigj dje duke thënë se “nuk kam dijeni, ju thashë që çdo gjë është dokumentuar në thëniet e mia para prokurorëve”. Pyetja e përsëritur për deputetin ishte “A është tentuar të vritet deputeti Tom Doshi?”, por kësaj radhe Mark Frroku u përgjigj duke thënë “nuk kam asnjë koment”.

Ai është pyetur edhe në lidhje me dyshimet për një lidhje mes tij apo deputetit Tom Doshi me Durim Bamin, personin e arrestuar pas publikimit të akuzave për “planin e vrasjes”. I pyetur nëse ka punuar ndonjëherë Durim Bami për familjen Frroku apo Tom Doshin, Mark Frroku u përgjigj duke thënë: “Asnjëherë, asnjëherë”. Ai shtoi se mesa dijeni kishte, personi në fjalë nuk ka punuar ndonjëherë as për deputetin Tom Doshi. Pas insistimit të medias me pyetje rreth dëshmisë së tij në organin e akuzës, Mark Frroku është përgjigjur duke thënë se nuk mund të fliste më shumë.

“Unë si ligjvënës nuk mund të shkel ligjin duke deklaruar thëniet e mia në publik. Gjithçka kam thënë janë në Prokurori”, tha deputeti i Partisë Kristiandemokrate. Pak orë pas dëshmisë së dhënë në Prokurori, Mark Frroku citohet të ketë thënë se “nuk e di pse Tom Doshi më ka përfshirë në këtë histori me të cilën nuk kam asnjë lidhje”.

Referuar dëshmisë së Mark Frrokut, ai mësohet të ketë pohuar se nuk ka qenë në dijeni dhe nuk e kishte njoftuar ndonjëherë deputetin Tom Doshi në lidhje me çështjen e përfolur të planit për vrasjen e dy deputetëve. 

Deklarata e Frrokut para gazetarëve, pas dhenies se deshmise: 

“Kreva detyrën time para organit të akuzës duke u deklaruar para prokurorëve dhe nuk kam asnjë koment për këtë çështje. Të gjitha ia thashë prokurorisë”, deklaroi per mediat deputeti Frroku pas marrjes në pyetje. 

Gazetarja: Zoti Doshi ka deklaruar se ju jeni personi i parë që e keni sinjalizuar se keni zbuluar një komplot ndaj tij, a mund të na thoni të paktën vetëm momentin e parë se si ju ratë në dijeni të këtij fakti dhe përse nuk ju drejtuat policisë por personalisht zotit Doshi?

Frroku: Unë si ligjvënës nuk mund të shkel ligjin duke deklaruar këtu thëniet e mia apo të dikujt tjetër në prokurori. Kështu që të gjitha cfarë kam thënë janë në prokurori.

Gazetarja: Në Top Story, zoti Balla e pyeti zotin Doshi nëse Durim Bami ka qenë duke hedhur hije dyshimi se ka qenë shoferi juaj, në fakt a ka punuar ndonjëherë aio për familjen Frroku dhe për Tom Doshin?

Frroku: Asnjëherë, asnjëherë. Mesa kam dijeni unë as për Tom Doshin, për mua jo e jo.

Gazetarja: Sipas jush a është tentuar një komplot ndaj zotit Doshi, zoti Frroku?

Nuk kam dijeni dhe ju thashë, ju thashë, që cdo gjë është e dokumentuar në thëniet e mia pranë prokurorëve.

Gazetarja: Është tentuar të vritet zoti Doshi, po apo jo?

Nuk kam asnjë koment, të gjitha komentet e mija, thëniet e mija, dëshmia ime, ndodhet në Prokurori. Nuk më lejohet më tepër.

Një ditë më parë, ne emisionin Top Story, deputeti i shkarkuar nga PS-, Tom Doshi, tha se Frroku ishte i pari që i tregoi për planin për ekzekutimin e tij.

“Unë kam qenë në Budva me familjen, më mori në telefon Mark Frroku dhe më tha që ku je se dua të të takoj, se është një problem urgjent. I thashë që për dy ditë kthehem. Kur u ktheva, më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguajtur lekë për të të eleminuar ty dhe Mhill Fufin. Më erdhi shumë papritur dhe e çuditshme, sepse me Ilir Metën kemi ndenjur disa herë për dreka e darka. Kemi shkuar në Dukagjin bashkë, më 30 korrik festuam edhe ditëlindjen e Taulant Ballës”,- tha Doshi dje. 

Pas deklarimit nga deputeti Doshi, Prokuroria ftoi dje zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre: kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, deputetin Mark Frroku, deputetin e PD-së Mhill Fufi, Eugen Beçin, ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht i komanduar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura