Protesta e ditës së sotme u shoqërua me disa incidente dhe përplasje të forta mes policisë dhe aktivistëve të cilët kanë patur si ‘misionin’ e tyre të qëllonin me vezë ndaj deputetëve dhe ministrave të qeverisë Rama.
Policia në mesditë ka shoqëruar disa nga aktivistët, mes tyre edhe Edison Likën dhe disa te tjere të cilet që hodhën vezë ndaj makinave të zyrtarëve.
Një rast i paprecedent ka qenë dhe ai i shoqërimit të një gazetareje, e cila ishte në krye të detyrës për median Citizens.al.
Vetë drejtuesit e medias kanë raportuar shoqërimin në komisariat të gazetares, Vjolanda Peca, duke theksuar se kjo e fundit ishte në krye të detyrës.
Ndërkaq edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pas shoqërimit në Komisariatin nr. 1 të gazetares, duke e cilësuar rastin si një akt të papranueshëm dhe një precedent shqetësues për lirinë e medias.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë për shoqërimin në Komisariatin nr. 1 të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca.
Shoqërimi i një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës përbën një ndërhyrje serioze në lirinë e medias dhe krijon një precedent të papranueshëm për raportimin e ngjarjeve me interes publik”, thuhet në reagimin e AGSH.
Asociacioni i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të sqarojë rrethanat e shoqërimit dhe të garantojë që gazetarët të mund të kryejnë detyrën e tyre pa intimidim, pengesa apo presion.
Gazetarja Vjolanda Peca është liruar më pas nga ambientet e Komisariatit nr. 1. AGSH deklaron se mbajtja e saj për më shumë se dy orë në komisariat, kundër vullnetit të saj, është e papranueshme dhe përbën një shkelje të rëndë të lirisë së ushtrimit të profesionit.
© Panorama.al












