“Finalja” ndaj Orikumit, trajneri Merxha: Lojtarët e Elbasanit janë heronj, po luajnë edhe pa para

Mar 30, 2018 | 18:23
SHPËRNDAJE

Elbasani luan sezonin të dielën në Orikum dhe këtë gjë e pranon vetë tekniku elbasanas, Eriol Merxha, duke e konsideruar si tepër të rëndësishme për sa i përket arritjes së objektivave. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Merxha i bën një përmbledhje sezonit të deritanishëm, por prek edhe një temë të vjetër në klubin elbasanas, “thembrën e Akilit”, siç janë financat.

Merxha2

“Përballja me Orikumin mund të them se është ndeshja e sezonit për ne, ku do të shkojmë për të fituar ndeshjen. Deri më tani është meritë e lojtarëve që kemi në skuadër që qëndrojmë në krye dhe seancave stërvitore serioze që kemi bërë, pavarësisht halleve që kemi pasur.

Si në çdo përballje të këtij sezoni do synojmë tri pikët duke nderuar fanellën që mbajmë veshur, por do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Me atë që ka bërë Elbasani, Orikumi dhe Albpetroli këtë sezon, e meritojnë të jenë në të Parën dhe me kontingjentin që kanë, do rivalizonin edhe aty”.

FINANCAT

Prej disa muajsh, në klub ka probleme me pagat, të cilën Merxha e pohon vetë dhe kërkon mbështetje në këto momente. “Ana financiare na ka munguar këtë periudhë, edhe pse kemi bërë një sezon shumë të mirë, sidomos vitin 2018. Presim të shpërblehen djemtë për mundin dhe djersën që kanë hedhur, pasi e meritojnë plotësisht me atë që kanë bërë. E kanë treguar në fushë se cilët janë me rezultatet dhe lojërat që kanë zhvilluar.

elbasani-470x353

Problemet tona janë të njëjtat me ato të viteve të fundit për fat të keq. Kërkojmë një mbështetje këtë periudhë, edhe pse ne do të vazhdojmë të përfaqësohemi denjësisht deri në fund dhe të realizojmë objektivat për ngjitjen e skuadrës në Kategorinë e Parë”, përfundoi Merxha.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura