“Deti i bardhë”, 21 shkrimtarë përballë lexuesit

Oct 29, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE

Lexime nëpër bare-librari, debate për letërsinë, këtej dhe andej detit. “Deti i bardhë” në edicionin e tij të dytë sjell në Tiranë shkrimtarë nga Austria, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe Zvicra. Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, prej ditës së sotme deri në datën 31, thërret rreth vetes lexuesin shqiptar. Janë 21 autorë të pranishëm në aktivitet ose përmes veprës së tyre, që do të shtrojnë temën e “Letërsisë në Tranzit”. Do të jenë në panel përpara lexuesve Ornela Vorpsi, Ben Blushi, Carmine Abate, Kim Mehmeti, Vladimir Arsenijevic etj.

jonila1

Për drejtoreshën e festivalit, Jonila Godole, “autorët tregojnë përmes motos së sivjetshme të festivalit “Letërsi në Tranzit” rrugëtimin e tyre letrar dhe reflektojnë me njëritjetrin mbi letërsinë dhe artin bashkëkohor në tranzicion, si atë politik e shoqëror, ashtu edhe në procesin e tyre letrar përmes gjuhës. Një pjesë e shkrimtarëve të ftuar shkruajnë në gjuhën e vendeve pritëse. Shembujt e autorëve shqiptarë që shkruajnë në gjuhët e vendeve ku jetojnë do t’i ndjekim në diskutimet nga afër me: Ilir Ferra, Arben Dedja, Ornela Vorpsi.

Në konferencën për shtyp, për prezantimin e festivalit, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se aktivitetet me përmasa ndërkombëtare në fushën e librit “nxisin librin si kulturë dhe integrojnë letrat shqipe në arenën ndërkombëtare. Ky festival është në vijim të politikave të Ministrisë së Kulturës, duke e vlerësuar librin jo thjesht si mall, por duke i dhënë një rëndësi të veçantë kulturës së leximit. Si institucion politikbërës interesi dhe prioriteti ynë është lexuesi. Libri që konsumohet mes përkthyesit, autorit, shtëpisë botuese është i destinuar të vdesë”.

“Detit të bardhë” i shtohet këtë vit edhe “Tirana Lexon”, që, sipas koordinatores Belfjore Qose, interesimi nga ana e qytetarëve për të marrë pjesë në maratonën e sotme të leximit, që nis sot që në orën 08:00, ka qenë i madh. Leximet do të mbahen në kafe-libraritë e Tiranës: “Hemingway Bar”, “Tirana Friend”s Book House”, “E7E”, “Ejona”, “Zenit”, “Tirana Times”, “Woodstok”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura