DEBATI I PLOTË/ “Janë bandë agresive, s’duhet t’i tolerojmë”- Zbardhen diskutimet prej 9 orësh në Kryesinë e PD! Nga influencat ruse që ndikojnë te Berisha, te akuzat për Policinë që gënjeu ndërkombëtarët

Jan 12, 2022 | 16:30
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Protesta e datës 8 janar e thirrur nga Berisha krijoi nervozizëm të jashtëzakonshëm tek anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike, të cilët e shprehën në rastin më të parë. Ditën e hënë, ata thyen çdo rekord të mëparshëm të orëve të zgjatura të diskutimeve ku nisën në orën 19:00 dhe zgjati deri më 3 e 30 të mëngjesit.

selia e pd protesta alibeaj kryesia e pd

I pari në mbledhje e mori fjalën kreu i PD-së, i cili pasi i lajmëroi se ai kishte marrë vendimet e tij, kërkoi të dëgjonte prej tyre mendimet dhe propozimet në lidhje me masat që duhet të merrnin për organizatorët. Emëruesi i përbashkët i fjalimit të gjithsecilit ishte dënimi i dhunës që u ushtrua ndaj selisë blu. Ndërsa nuk munguan deklaratat bombastike si ajo e deputetit Kreshnik Çollaku, i cili tha se pala tjetër është e nxitur edhe nga influencues rusë dhe kisha ortodokse e ndikuar nga rusët.

Ndërsa Lindita Metalia i quajti protestuesit që ushtruan dhunë një grup antiamerikan, antikombëtar dhe destabilizues që kishin konsumuar elementët e një vepre penale, duke mbajtur armë më vete. Megjithatë, debati u fokusua nëse duhet të përjashtoheshin në bllok apo duhej të vlerësohej kontributi i gjithsecilit që ndodhet tashmë në krahun e Berishës. Të shumtë ishin zërat që masa të ishte drastike, duke i përjashtuar të gjithë, por në fund u miratua propozimi që një pjesë të përjashtoheshin dhe një pjesë tjetër të pezulloheshin dhe të kërkohej distancim nga dhuna.

Lulzim Basha: Të nderuar anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike! Mbledhja e sotme është e një rëndësie të veçantë, vjen pas një ngjarje që turpëron demokratët. Unë kam marr vendimet e mia, por do doja të dëgjoja mendimin e gjithsecilit. Unë vet po e lë telefonin mënjanë dhe po i kushtoj vëmendjen maksimale diskutimit për atë që ndodhi më 8 janar.

Jemin Gjana: Ne e njohim atë (Berishën) mirë. Nuk ka të ngjashëm me asnjë lider botëror në histori, që t’ia bëjë këtë partisë së tij. Grupi i Rithemelimit duhet të përjashtohet i gjithë. Mbaj mend historinë e ‘97-ës dhe grupi ynë mbeti me 17 deputetë, ne bëmë opozitë dhe e mbajtëm PD-në. Shkonim në terren dhe kishim përballë bandat dhe e ngritëm partinë duke komunikuar dhe duke dëgjuar. Kjo nuk është as 1/3-a e asaj që i ndodhi PD-së në ‘97″.

Jonila Godole: Unë mendoj se nuk duhet të ketë të njëjtën masë për të gjithë njësoj. Mendoj se duhet të marrim masë përjashtuese nga Partia Demokratike vetëm për Sali Berishën si iniciator të asaj që ndodhi.

Jorida Tabaku: Edhe unë nuk mendoj se duhet të ketë masë përjashtuese për të gjithë, por vetëm të z. Berishës.

Jemin Gjana: Nuk kemi se përse t’i tolerojmë. Ata janë një grup agresiv. Nuk i bëjmë dot ne të reflektojnë. Nëse ata kanë vendosur që të krijojnë grup tjetër parlamentar ne nuk i ndryshojmë dot mëndje edhe nëse nuk i përjashtojmë.

Kreshnik Çollaku: Këto janë struktura paralele. Janë grupi/komiteti i shpëtimit të ’97-ës si në numër, si në përbërje. Ata kanë dashur të na vrasin. Nuk kanë dashur të vrasin as ty dhe as ty. (Drejton gishtin nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe kryetari i PD-së), por 4 nga ne deputetët. Kjo është e tmerrshme dhe ne s’kemi punë me ta. Atyre 200 vetëve duhet t’u dalë emri dhe unë nuk kam më asnjë lidhje me ata deputetë që kanë dashur të na vrasin. Ne duhet të jemi drastikë. Ata duhet të përjashtohen dhe nuk duhet të jenë në radhët tona. Ka një tendencë destabiliteti. Këto janë inteligjencat ruse me kishën ortodokse. Influencat e kundërshtarëve të Amerikës. Ata që i sollën te dyert e godinës ishin miqtë tanë të një jete, si mund ta lejonin ata këtë dhe aq më tepër si mund ta lejojnë sot pa u distancuar prej saj. Atë ditë, Zoti e bëri që në godinë të mos kishte viktima. Dhuna për mua është një kufi ndarës me këdo. Ndaj, unë mendoj me këdo që nxiti apo përdori dhunë ndaj nesh, kolegeve e ishmiqve të tyre, nuk ka çfarë na mban më bashkë. Në këtë parti dhunuesit dhe të dhunuarit nuk mund të rrinë më bashke.

Lulzim Basha: Për kë e ke fjalën, për inteligjencat lindore?

Kreshnik Çollaku: Po.

Lulzim Basha: Për cilën konkretisht?

Kreshnik Çollaku: Për influencat ruse. Dhe kisha ortodokse. Po vjen në prokuror i Përgjithshëm amerikan në Kroaci dhe do plotësojë dosjet për Ballkanin

Xhelal Mziu: Duhet të mos tolerojmë ata që drejtuan sulmin dhe të bisedojmë me demokratët, që t’i bindim. Edhe ruajtja e selisë ka rëndësinë e vetë, si dhe duhet të takojmë faktorët në bazë.

Agron Gjekmarkaj: Edhe unë kam pasur informacion se do na respektonin në mënyrë të veçantë disave prej deputetëve. Ndërkohë, ne kemi dalë në takime me njerëzit nuk jemi mbyllur, por i pari që e ka këtë detyrim më shumë se kushdo është Lulzim Basha. Ju jeni kryetari i partisë dhe ju u bie detyrimi t’i sqaroni njerëzit i pari, vijmë edhe ne në krahun tuaj. Mbase nuk është e lehtë, do ketë edhe duf, edhe sharje edhe provokime, por duhet t’i përballojmë. Qytetarët duhet t’ju dëgjojnë dhe jam i bindur që komunikimi sjell pozitivitet. Nuk jam dakord me fortifikime të PD-së, për ta parë atë si kështjellë. PD-ja është një institucion. Atë duhet ta mbrojë ligji pa asnjë kompleks. Nëse duhej demonstruar qëndresë deri tani është demonstruar. Për mua është kriminale të përballen njerëzit tani e tutje. Unë nuk mendoj se jam ndonjë trim i madh, por as për frikacak se njoh veten, por nuk jam stërvitur për karate e boks. Dita e 8 janarit ka qenë tragjike. Në pak minuta, gjithçka mund të eskalonte në ferr. Ata njerëz që drejtuan turmën kundër nesh nuk na llogaritën në as për deputet, as për koleg, as për miq e as për njerëz. Nuk patën emocione për këtë. Ishin të qartë pa llogaritur që na kanë “shkarkuar” me 11 dhjetor. Na sulmuan me egërsi, me mjete dhune faqe gjithë botës. Ndonjë e dija për mik, dhe unë kurrë nuk do shkoja ta sulmoja dhe t’i vija në rrezik jetën e integritetin personal e publik. Sado i krishterë që ndihem kulturalisht e kam të vështirë bashkëjetoj me persona të tillë. Ndaj mbështes çdo vendim që kjo kryesi merr sonte për të ndëshkuar dhunën e datës 8 dhjetor, duke shpresuar që dikush do distancohet prej saj.

Ervin Salianji: Dhuna është e papranueshme dhe duhet të distancohet çdo përfaqësues i Partisë Demokratike, kriteri për përjashtim duhet te jete ky kufi, ndarja me dhunën dhe mjete para politike! Ky diferencim duhet te jetë edhe për të mos përjashtuar në bllok. Duhet të japim mundësinë e reflektimit dhe distancimit nga dhuna e pjesëmarrësve që mund të jenë aty dhe jam i bindur që janë aty për shkak të zhgënjimit dhe dëshpërimit të mosfitores në 25 prill! Nxitja për dhunë dhe përkrahja e dhunës duhet të jetë kriteri ndarës për përjashtimin ose bashkëjetesën, nëse ka kolegë që pranojnë rriskimin e jetës dhe eliminimin fizik të drejtuesve të degëve, të Këshillit Kombëtar, deputetëve kjo është vijë ndarëse dhe këtu nuk i kemi përjashtuar ne, por ata! Dalja në terren dhe kontakti me demokratët duhet të ishte i shpeshtë në këto muaj, madje dhe zëvendësimi i kujtdo që nuk ka më peshë elektorale ose është i papranueshëm për demokratët apo qytetarët në zonat që mbulojnë, ne kemi tentuar të imponojmë politikanë të diskredituar që populli i ka refuzuar me votë disa herë! Merita duhet të kthehet në themel të kësaj force….

Lulzim Basha: Ajo që ndodhi më 8 janar me Policinë që u vonua 37 minuta për të ndërhyrë ishte prova më e fortë e bashkëpunimit Rama-Berisha për të marrë godinën me gjakderdhje. Pakica është njoftuar edhe nga Garda e Republikës, përfaqësuesit e së cilës ishin në seli dhe nuk erdhi. Gënjeu partnerët tha se nuk ka njoftim nga PD-ja.

Rolant Bejko: Të gjithë dhunuesit e mijë më dukeshin me fytyrën e Berishës dhe në fakt ajo që mora vesh më vonë ishte se të gjithë ishin kushërinjtë të tij. Ne duhet të shkëputemi një herë e mirë nga këta.

Enkelejd Alibeaj: Mos e marrshim kurrë pushtetin, por një gjë do të mbetet një vlerë: që ti ke përjashtuar Sali Berishën dhe këtë nuk do ta harrojnë njerëzit. Ne sot ke përballë PS-LSI dhe Berishën. Ne do ta kemi të vështirë duhet të përjashtohej e të ikë nga politika.

Endri Hasa: Ata erdhën për të na vrarë dhe ne vazhdojmë të diskutojmë për t’u ulur me të njëjtën tryezë dhe për të ndarë vendimmarrje të përbashkëta? Ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë këtu. Ata erdhën të organizuar për të dhunuar dhe për të vrarë, në të mendohemi? Nuk behet politikë më dhunën, më 8 janar mjetet politike mbaruan! Në 8 janar ishte vetëm një turmë banditësh që erdhi për të dhunuar. PD-ja është parti perëndimore dhe ne duhet të distancohemi përfundimisht nga të gjithë ata që nuk e përfaqësojnë këtë. E kam thënë që në mbledhjet e shkuara, që gjërat nuk zgjidhen duke i ardhur anash e anash. Italianet thonë “duhet këputur koka e demit, po nuk ia këputëm kokën demit, do të kemi pasoja të tjera”. Unë s’mund të pajtohem me njerëz që nxitën dhe frymëzuan dhunë në 8 janar! Ata nuk janë kurrsesi demokrat, rruga jonë me ta është ndarë njëherë e përgjithmonë. Nëse kjo është partia e tyre, kjo nuk është partia ime. Kush ka hyrë në oborr në krah të atyre që mbanin hunj dhe leva ka damkën e kriminelit, jo të demokratit. Vendimet sot duhet të jenë shumë të forta. As Edi Rama, s’ka arritur të shkojë deri këtu. Kush erdhi për gjak, nuk mund të ketë vend në këtë parti, sot dhe kurrë.

Grida Duma: Marrja e vendimeve në kohë është më e rëndësishme se vetë vendimi. Ne marrim vendime me vonesë. Pas 9 shtatorit, kur u mor vendimi mbi “non grata”-n, çdo ditë ju kam thënë e kërkuar të qartësosh njerëzit e demokratët për si dhe pse u mor ky vendim. Nuk do ishim këtu sot, nëse do kishim qartësuar njerëzit për 4 muaj dhe do i kishim marrë këto vendime më parë. Berisha u la të forcohej dhe u forcua, sepse nuk vepruam. Por fatmirësisht, dhe për shkak të Zotit e jo të veprimeve tona, ai në datën 8 janar pas dhunës vandale dhe terrorit, që mund të kishte sakrifikuar jetë njerëzish, gaboi vetë dhe i tregoi shqiptarëve që kishte mbetur ai i ’97-ës, pa asnjë reflektim. Sot, mendoj që gjërat duhen thënë hapur. Po, ne jemi kompleksuar! Kompleks kudo, veprojmë vonë, marrim vendime vonë, jemi të vonuar të flasim troç me njerëzit, e lëmë kundërshtarin të ecë një hap përpara. Sa i përket godinës, nuk mundemi ne ta bëjmë betejën për godinën si luftë guerile. Asnjë kompleks nuk mund të kesh të kërkosh Policinë të veprojë. Si mundet ne të pretendojmë që do mbrohet godina e partisë me hekura blinda dhe hunj dhe të kompleksohemi që të veprojnë institucionet. Po duhet të veprojë Policia dhe sepse ndërhyri Policia u evitua gjakderdhje, t’í themi gjërat siç janë. Për pak minuta mund të kishte gjak, dhe gjakun po presin disa dhe ne e dimë mirë. Godina e PD-së duhet të çmitizohet.

Le të hapet godina dhe për simbolikë të mbrohet zyra juaj, si institucioni i kryetarit. Duhet të bëjmë opozitë e politikë, jo guerilje për të mbrojtur godinën. Siç e patë, nuk hyri njeri brenda të nesërmen kur e kishin të shkatërruar të thyer, as guxuan të hyjnë e të merrnin zyrën kur vinin e bënin “show” te shkallët disa herë. Pas asaj që ndodhi, duhet të shkojmë në terren para demokratëve me urgjencë dhe me një ofertë të re. Duhen ndryshime të tjera në parti. Nëse është e nevojshme, duhen ripozicionuar njerëzit, e kush ka bërë betejë të jetë në krye të punëve dhe të ndjekim vetëm meritën e njerëzve jo më thjesht procedurat.

Greta Bardeli: Ata ishin një bandë dhe ne s’kemi lidhje me bandat. Unë kam kaq njerëz sa për të mbrojtur veten dhe mund t’i dal vetes zot. Ai ishte një sulm mbi PD-në dhe njerëzve brenda. Ajo që kemi përjetuar ne ka qenë e tmerrshme. Aty ka pasur njerëz që i ka përdorur Voltana Ademi, duke i dhënë 230 mijë lekë në muaj në bashki dhe i ka marr për t’i përdorur. Ata kanë qenë një bandë kriminale dhe ne me ta nuk kemi punë. Ne duhet të shkojmë në terren e të flasim me demokratët, ndërkohë që duhet të distancohemi.

Xhemal Gjunkshi: E gjitha kjo ishte një grusht shteti brenda partisë dhe këtë e beri de facto me Kuvendin ilegjitim të 11 dhjetorit dhe de jure me referendumin e 18 dhjetorit. Gjatë gjithë këtyre muajve, atyre u është lënë terren i lirë për të manipuluar demokratët, prandaj kërkohet më tepër se kurrë që çdo drejtues politik, anëtarë kryesie e deputet të ulet dhe të bisedojë me demokratët dhe qytetarët, të dalin në terren me urgjencë dhe të sigurojnë bashkimin, unitetin, të ardhmen. Nuk mundet të ketë bashkëjetesë me individët që në datën 8 janar erdhën të na vrisnin.

Indrit Sefa: Ne s’kemi respektuar tanët. Ne kemi bërë gafa në opozitë. Ne nuk kemi qëndruar në mbrojtje të njerëzve tanë. Ne duhet ta kthejmë partinë, në parti konservatore.

Lindita Metaliaj: Aty ishte një grup antiamerikan, antikombëtar dhe destruktiv që konsumuan të gjitha elementët e një vepre penale. Vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Ata kishin armët dhe të gjitha elementët e veprës penale. Ata donin të na vrisnin, u futën të na vrisnin dhe nuk ia vlen fare që të jemi në një grup

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura