Aktori i njohur nga Kosova, Çun Lajçi, ka ndarë një reflektim emocionues pas pjesëmarrjes së tij në protestën qytetare të zhvilluar në Tiranë kundër projektit në Zvërnec dhe politikave të qeverisë.
Me anë të një postimi në Facebook, Lajçi përshkruan atmosferën e protestës, ku mijëra qytetarë, të rinj e të moshuar u mblodhën për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj asaj që ai e cilëson si “pazare me atdheun”.
Lajçi shprehet kritik edhe ndaj klasës politike, duke nënvizuar se debatet për pushtetin po zënë vendin e çështjeve që lidhen me interesin kombëtar dhe mbrojtjen e territorit.
“Nji gjeneratë rinore asht çue n’kambë. Nji dallgë e ngrohtë prej Sazanit e Karaburunit, e nji fllad prej Dajtit, ka zbritë n’Tiranë me shkundë pluhunin e viteve, me ua kujtue njerëzve se atdheu nuk asht plaçkë tregu”, shkruan aktori.
Reagimi i plotë i aktorit Çun Lajçi:
Ata brohorasin. Unë eci e eci, e vargu s’ka të sosun.
Ata nuk ndalen. Unë po. Ulem n’rranzën e nji pishe shtathedhun, si me dashtë me ia marrë frymën tokës e me e ndigjue çka po flet nën kambët e mij.
Pankartat n’duert e vajzave e djemve sikur m’thonë:
— Lexo ti që shkruen, e mos hezito me shkrue nesër kur të kthehesh n’Prishtinë.
Nji gjeneratë rinore asht çue n’kambë. Nji dallgë e ngrohtë prej Sazanit e Karaburunit, e nji fllad prej Dajtit, ka zbritë n’Tiranë me shkundë pluhunin e viteve, me ua kujtue njerëzve se atdheu nuk asht plaçkë tregu.
Unë, mbi rranzën e pishës shumëvjeçare, përballë Kuvendit, shikoj pankartat e lexoj:
“Rama n’burg!”
Disa i mbajnë nalt me zemërim, disa me shpresë, e disa veç për mos me u dorëzue.
Ajo nanë e re, mbështjellun me flamurin e kuq e me plis mbi flokë, që e mban foshnjën n’grykë, buçet e thërret:
— Shqipnia nuk shitet!
Mua më përloten sytë. Më lagen faqet.
Fëmija në krahët e saj më shikon e qeshet.
E ajo buzëqeshje ma kthen shpresën. Sikur ma kthen jetën mbrapsht. Sikur vitet bien prej supeve e unë bahem prap çun i ri.
Ngrihem.
Eci me turmën, tue e shikue fëmijën n’krahët e nanës e tue lexue sllogane të ndryshme, e ndër mend më vjen nji pyetje që më ther si gjemb:
— Ç’na duhen fëmijët, nëse ua shesim tokat?
Jo!
“Shqipnia nuk shitet!”, bërtas edhe unë.
Por prap ulem n’trotuar.
Dikush më pyet:
— Je mirë, xhaxh?
Po pse t’mos jem mirë? – ia dredhi. A s’thoshte Isa Begu:
— Unë jam mirë kur Shqipnia asht mirë!
Ai buzëqeshi.
— Aha, nga Kosova qenke!
— Po, nga ajo Kosovë që vazhdon me e dashtë këtë tokë ma shumë se Edi, ma shumë se Salihu, por jo sa ky fëmijë e kjo nanë e re.
E kur i thashë këto fjalë, dola prej turmës së dalldisun.
Por jo prej mendimit.
Sepse turma mbeti pas meje, ndërsa zani i asaj nanës e e qeshuna e atij fëmije vazhduen me ecë me mua rrugëve të Tiranës, si nji amanet që s’duhet harrue:
— Shqipnia nuk asht e jona me e shitë.
Asht e fëmijëve që ende s’dinë me folë, por që nesër kanë me na pyetë çka bamë me tokat.
N’Prishtinë kur zbrita, askush nuk më pyeti për lumin e njerëzve që kishte mbushë Tiranën, tue brohoritë:
— Mos bani pazare me atdheun!
Ata kishin hall tjetër.
Jo Shqipninë, por fituesin e nesërm.
Jo atdheun, por pushtetin.
© Panorama.al












