Dash Peza kundër Blushit: Rama është shoku im, jo i Tom Doshit

Mar 4, 2015 | 9:03
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist Dash Peza tha dje se Tom Doshi nuk është shok i Edi Ramës, por një bashkëpunëtor i tij për çështjet zgjedhore në zonën e Shkodrës.

Deputeti i PS, Dash Peza

Sipas tij, debati i Blushit me Ramën në mbledhjen e Grupit ishte i panevojshëm, ndërsa shprehet se nuk ka arsye të qenësishme që Ilir Meta të japë dorëheqjen.

Përse nuk u ndoq procedura statutore për përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga Grupi Parlamentar socialist?
Ajo që ndodhi dje ishte një rrjedhim i logjikshëm i ngjarjeve. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar ka pasur një debat që unë mendoj se është një nga debatet më të shëndetshme dhe me transparente, pasi të gjitha mediat e kishin të raportuar me detaje. Pas fjalës së zotit Rama, që propozoi përjashtimin nga Grupi të zotit Doshi, ishte deputeti që u ngrit dhe tha ato që ju tashmë i dini. Pasi mbaroi, ai u ngrit dhe iku dhe besoj se kjo pikë e mbledhjes, kur nuk kishte asnjë mendim kundër apo pro Doshit, konsiderohet një unanimitet në qëndrim. Nuk besoj se ka vend që të hyjmë në teknikalitete statutore, ndërkohë që, nisur nga fakti se ku kishin mbërritur gjërat, nuk kishte kundërshti për largimin nga Grupi Parlamentar i zotit Doshi.

Ju jeni kundër deklaratave të zotit Blushi në mbledhjen e Grupit?
Jo, unë nuk jam as me zotin Blushi, as kundër zotit Blushi. Individët shprehin pikëpamjet e tyre. Por, unë mendoj se ajo që ndodhi pas largimit të zotit Doshi nga Grupi ishte një diskutim që në gjykimin tim ishte i panevojshëm, sepse ishte rënë dakord që për të diskutuar dhe për të thelluar në mënyrë institucionale çdo shqetësim apo preokupim të deputetëve për qeverinë do lihej një herë tjetër dhe për këtë ra dakord dhe Kryeministri. Prandaj them se ishte i panevojshëm debati i zotit Blushi.

Zoti Blushi është shprehur se përplasja mes zotit Rama dhe deputetit Doshi është një histori mes shokësh. Ndani dhe ju këtë mendim?
Unë kam 20 vjet që e kam shok Edi Ramën, po nuk kam pas ndonjë shoqëri të veçantë me Tom Doshin dhe nuk kam qenë kaq shpesh, domethënë jeta e ka ndarë që me Ramën të kemi ndenjur shumë, ndërsa me Tomën mund të them që mund të kem ndenjur pesë a gjashtë herë. Nuk më duket që Rama dhe Doshi kanë qenë kaq shumë shokë, kanë qenë bashkëpunëtorë po, Toma ka pas një rol shumë të rëndësishëm elektoral në zonën e Shkodrës dhe ka qenë një bashkëpunëtor pa diskutim i Kryeministrit dhe një nga anëtarët e Grupit Parlamentar. Por shok… nuk do ta quaja.

A duhet të japë dorëheqjen kryetari i Kuvendit, Ilir Meta?
Jo vetëm si politikan, por dhe si qytetar, nuk shoh asnjë arsye të qenësishme dhe substanciale që kryetari i Kuvendit të japë dorëheqjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura