Bukurosh Sejdini, piktori që fiksoi në tablo çlirimin e Tiranës

Jul 18, 2016 | 15:47
SHPËRNDAJE

“Me trup mesatar prej atleti, me duar të fuqishme, me portretin simpatik, me ekspresivitet të theksuar, njeri i thjeshtë, plot humor…”.

bukurosh sejdini fotoKështu do ta kujtojnë gjithnjë miqtë dhe nxënësit e tij piktorin elbasanas, Bukurosh Sejdini, të cilin Këshilli Bashkiak ka vendosur ta nderojë me titullin “Qytetar nderi” me motivacionin “Për kontributin e spikatur si artist i penelit dhe i fjalës së bukur artistike, si mësues i përkushtuar e veprimtar shoqëror, si atdhetar i flaktë e qytetar i dorës së parë”. Ish-nxënësi dhe miku i tij, piktori i njohur Xhemal Lufta, i ka kushtuar një monografi piktorit Bukurosh Sejdini.

Në rreshtat e librit “Bukurosh Sejdini, mësuesi, piktori, qytetari”, Xhemal Lufta thotë: “Njerëz si Bukurosh Sejdini nuk vdesin, ai është i gjallë në mes të të gjallëve, ashtu siç e mbajmë mend: i dashur dhe i çiltër me të gjithë, por në veçanti me kolegët dhe ish-nxënësit e tij.

Kështu ishte ai edhe në familje siç e kujtojnë dhe do ta kujtojnë brezat e ardhshëm jetën dhe krijimtarinë e tij”. Në librin kushtuar piktorit, Xhemal Lufta rrëfen ndër të tjera edhe lidhjet patriotike të Bukurosh Sejdinit me shumë figura në zë të asaj kohe, mes tyre edhe kontaktet që Bukurosh Sejdini kishte me të riun revolucionar (siç e cilëson ai) Qemal Stafën.

“Që në vitet e lëvizjes fashiste në Porto Romano, lidhet ngushtë me elementë atdhetarë me të cilët bashkëpunon për nxjerrjen e buletinit ilegal me titullin ‘Shkopi’. Bukurosh Sejdini ka bërë grafikën e parë të këtij buletini, duke u bërë ndër piktorët e parë të grafikës partizane.

“Ishte kundër servilizmit, ndaj të cilit revoltohej. Shpesh vinte në rrezik veten për të mbrojtur të tjerët dhe shpëtonte falë respektit që gëzonte në popull”.

“AGIMI I 17 NËNTORIT 1944” DHE TË TJERA …

Ajo do të bëhej një nga tablotë më të njohura të tij. “Agimi i 17 nëntorit 1944” u vlerësua edhe me çmimin e dytë në ekspozitën e vitit 1957. “Ishte viti 1957, vit në të cilin autori do të paraqitej me një vepër të papërsëritshme dhe kjo nuk erdhi ashtu thjesht, por si rezultat i një pune këmbëngulëse dhe të pandërprerë për të kristalizuar një ide kaq të madhe, një dëshirë, jo vetëm të piktorit, por edhe të popullit të tij, për të cilën ai kishte luftuar me armë në dorë.

Ideja kishte kohë që e mundonte profesorin tim e kjo duhej bërë pronë e të tjerëve”, tregon Xhemal Lufta. Krahas kompozimeve me karakter historik, Bukurosh Sejdini ka krijuar edhe një varg portretesh të heronjve të luftës, por edhe njerëz të thjeshtë. “Duke pasur një përmbajtje të thellë realiste, krijimet e më- suesit dhe ‘Piktorit të merituar’ kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin atdhetar dhe estetik të njerëzve tanë”.

Ndër punimet e para të piktorit Bukurosh Sejdini janë disa portrete, peizazhe dhe natyra të qeta të realizuara para çlirimit, dhe në ditët e luftës. Pas çlirimit realizoi disa bocete dhe etyde nga jeta, portrete, peizazhe dhe natyra të qeta.

Në vitin 1949 realizon portretin e Kostandin Kristoforidhit, i cili është edhe një nga punimet e para të rëndë- sishme. Seria e portreteve të tij pasurohet më vonë me portretin e Qemal Stafës, duke vijuar me atë të Abdyl Frashërit. Bukurosh Sejdini paraqiste një dorë të sigurt në tablo, por edhe skulpturë. Figurat ishin të realizuara me thellësi dhe karakter.

JETA

Bukurosh Sejdini, i lindur në Elbasan, në vitin 1916, nga një familje avokati, është më- sues i merituar, atdhetar, artist i skenës, si edhe veprimtar shoqëror. Mësimet e para, deri në klasën e pestë dhe tre vjet të shkollës Normale i bëri në qytetin e lindjes. Më pas, falë talentit të tij, shkon në Tiranë dhe vazhdon shkollën e vizatimit ku veçohet nga nxënësit më të talentuar.

I nxitur nga piktori Andrea Kushi, i cili zbuloi talentin e tij për pikturë, bëri që Bukurosh Sejdini të vazhdonte rrugën e artit dhe shkoi në Rumani për studime në Akademinë e Arteve të Bukura, por atje për arsye të kushteve politike që u krijuan i ndërpreu studimet për t’i vazhduar në Akademinë e Arteve në Itali.

Pas diplomimit, në vitin 1942, u kthye në atdhe, duke marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste, deri në çlirimin e vendit. Gjatë kësaj kohe, për veprimtarinë e tij antifashiste, arrestohet disa herë dhe internohet në Porto Romano.

Atje, së bashku me shokë të tij, nxjerrin buletinin ilegal “Shkopi”. Bukurosh Sejdini bën grafikën për faqen e parë të këtij buletini, duke u cilësuar nga kritika se është ndër piktorët e parë të grafikës partizane.

Punoi në disa shkolla si më- sues vizatimi, si në shkollën Normale, “Naim Frashëri”. Ai është dalluar si mësuesi i pasionuar, që ndihmonte talentet e reja dhe nga duart e tij kanë dalë shumë piktorë që kanë përfaqësuar kulturën shqiptare brenda e jashtë vendit. Kohën më të gjatë si më- sues i vizatimit e ka kaluar pranë shkollës Normale, duke qëndruar më shumë se 20 vjet radhazi, deri në daljen e tij në pension.

Në vitin 1949, u emërua në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës si shef i Sektorit të Arteve figurative, por qëndroi pak kohë, pasi me dëshirën e tij u kthye në Elbasan. Ishte në natyrën e tij që, çfarëdo përgjegjësie t’i jepnin, nuk mund të qëndronte larg Elbasanit.

ARTISTI

Bukurosh Sejdini ishte amator i teatrit, ai ka interpretuar me sukses në komedinë “Revizori”, “Prefekti”, “Motori”, në operetat “Vajza e portokajve”, “Trembita”, si edhe në dy filma artistikë. Bukurosh Sejdini në pikturë ka pasqyruar përpjekjet e luftës së popullit shqiptar për liri, pavarësi e përparim shoqëror. Ka kontribuar me sukses në të tria gjinitë e pikturës. Vepra e tij “Agimi i 17 nëntorit 1944” është një nga veprat më dinjitoze të pikturës shqiptare. U krijua në vitin 1957 dhe në vitin 1958 përfaqësoi në Moskë artin shqiptar.

Kjo tablo është prodhuar në kartolinë dhe ka hyrë në Enciklopedinë franceze si përfaqësuese e pikturës shqiptare të viteve ’50. Tabloja kompozicionale “Poshtë fashizmi”, peizazhi “Cërriku”, “Në ekspozitë”, portretet “Naim Frashëri”, “Abdyl Frashëri”, “Tomor Sinani”, tabloja “Festa e çlirimit”, “Skënderbeu”, “Qemal Stafa” e shumë të tjera ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Kombëtar të Armëve në Gjirokastër, në Galerinë e Arteve të Elbasanit dhe në mjedise të tjera socialkulturore.

Ishte pjesëmarrës në takimin e Aleksandrisë, Bukureshtit, Budapestit, Sofjes, Pekinit gjatë viteve 1958-1959. Në vitin 1969 iu dha titulli “Më- sues i merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i merituar”. Bukurosh Sejdini deri në vitin 1991, kur edhe vdiq, asnjëherë nuk e ndau penelin nga dora.

MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura