“Betejën për çlirimin e Tiranës e udhëhoqi Mehmet Shehu”

Nov 18, 2015 | 11:06
SHPËRNDAJE

Lufta për Tiranën ka qenë beteja e parë e madhe, e cila mbeti e vetmja e UNÇSH si e tillë, ndërsa u bë ç’është e mundur që misionet e huaja të mbaheshin larg ditën kur po luftohej për çlirimin e kryeqytetit. Në vijim është një përmbledhje e ngjarjeve në Shqipëri, në muajin nëntor 1944, nga burime të FO, WO dhe SOE britanike, si dhe nga një raport i OSS amerikane, i sjellë për lexuesit shqiptarë nga gazetari shqiptaro-amerikan, Peter Lucas.

Romeo Gurakuqi
Romeo Gurakuqi

Në qoftë se do të bënim një përpjekje për ta rindërtuar skenën shqiptare të çlirimit të Tiranës dhe tërheqjes finale gjermane nga Shkodra dhe Veriu i Shqipërisë, sipas këtyre burimeve të pavarura joshqiptare, të marra nga ushtarakët e tyre në terren, skena do të ishte si më poshtë…

Rindërtimi i skenës për çlirimin e Tiranës e Shqipërisë, nëntor ’44

Enver Hoxha nga Berati urdhëroi Mehmet Shehun për çlirimin e Tiranës. Ky i fundit e mori urdhrin në datën 15 shtator 1944, në shtabin e Divizionit të Parë të tij partizan jashtë Tiranës dhe e priti me kënaqësi urdhrin. Lufta për Tiranën ka qenë beteja e parë e madhe, e cila mbeti e vetmja e UNÇSH si e tillë. Ajo ndodhi në kohën kur numri i partizanëve kishte arritur diku te 30000 (sipas burimeve britanike) dhe 40000 (sipas burimeve amerikane). Pjesa më e madhe e kësaj ushtrie, që qëndronte jashtë Tiranës, ishin burra dhe djem fshatarë, të paarsimuar, që pak merrnin vesh nga çështjet politike dhe ushtarake, dhe aq më pak nga komunizmi.

Ajo që i bashkonte ata ishte urrejtja ndaj gjermanëve si pushtues, që kishte shkatërruar masivisht Shqipërinë e Jugut. Shehu e kishte përgatitur Divizionin e Parë partizan, ashtu sikurse ai dinte. Ajo nuk i ngjante një ushtrie të mirëfilltë. Ushtria, në kuptimin që ka kjo fjalë në botën moderne, nuk kishte rëndësi për këta burra të ashpër, mjekroshë dhe rakipirës, shkruhet në raportin e OSS të shtatorit 1944. Lufta u drejtua nga Shehu, pavarësisht se Hoxha ka qenë komandant i përgjithshëm i UNÇSH, mbasi ky i fundit nuk kishte përvojë në luftime. Ai kishte marrë pjesë vetëm në ndonjë ndeshje të kufizuar guerile, sikurse ajo që ndodhi kur u kap brigadieri Davies. Nuk ka asnjë dëshmi për trupa të udhëhequra nga Hoxha kundër italianëve, gjermanëve dhe kundërshtarëve të tij të Ballit Kombëtar.

Ai nuk çliroi ndonjë fshat apo qytet. Ai personalisht nuk vrau armiq në betejë, por ndërkohë ka urdhëruar ekzekutimin e armiqve, robërve të luftës dhe ata që ai i ka etiketuar si tradhtarë dhe spiunë, dhe këtë e ka bërë pa gjyq. Hoxha kishte kuptuar që në fillim se kush do të kontrollonte PKSH, do të kontrollonte ushtrinë, dhe njeriu që do të kontrollonte ushtrinë, do të kontrollonte vendin. Ai e nisi dhe e përfundoi jetën si një udhëheqës terrorist radikal. Ballafaqimi i radikalëve të rinj të Enver Hoxhës me konservatorët e vjetër liberalë të BK përfundoi me fitoren e radikalëve të rinj, sepse ata nuk ngurruan të bënin sakrifica.

BK i mungoi një udhëheqje e krahasueshme, i mungonin parimet themelore, i mungonte kuraja për të sakrifikuar, shkruan Piter Lucas. Ndërsa Mehmet Shehu ndodhej jashtë Tiranës duke bërë planin e sulmit, Hoxha, udhëheqësi dhe komandanti i tij, ndodhej 160 km larg në Berat, duke diskutuar paradën e fitores. Patrullat partizane që para sulmit mbi kryeqytet, në mënyrë të shpeshtë depërtuan drejt qendrës së kryeqytetit, ndërkohë që prej disa ditësh, para datës 26 tetor 1944, rezulton se Radio Tirana nuk transmetonte më programe. Situatën dhe qëndrimin e udhëheqësve ushtarakë shqiptarë para betejës së Tiranës, ndër të tjera, e shpjegon edhe majori britanik Oliver, në raportin e tij final për llogari të SOE.

 

Enver Hoxha ne diten e Clirimit te Tiranes
Enver Hoxha ne diten e Clirimit te Tiranes

Ai ka qenë i atashuar pranë Divizionit të Parë të UNÇSH, si BLO, që në shtator 1944. Divizioni komandohej nga Mehmet Shehu dhe e kishte të vendosur shtabin në Shëngjergj, ndërkohë që shtabi i BLO ndodhej në Bizë, gjatë muajit tetor 1944. Pas datës 22 tetor 1944, Divizioni i Parë filloi të lëvizë në drejtim të perëndimit. Ai shkruan se përshtypja e parë, që unë formova për qëndrimin e këtyre udhëheqësve, ishte se ata i konsideronin Misionet Ushtarake Operacionale Aleate, si një gjë e nevojshme prej hallit. Oficeri ideal i ndërlidhjes në sytë e tyre ishte ai, i cili pranonte kërkesat e tyre, raportet e tyre dhe politikat e tyre. Ai zbuloi se ishin komisarët ato që e inkurajonin një atmosferë të tillë dyshimesh dhe frymë antibritanike në mes radhëve të partizanëve shqiptarë.

Dyshimet ndaj britanikëve përfshinin edhe mungesën e dhënies së informacioneve për çështje shumë të rëndë- sishme, sikurse ishte edhe operacioni i lëvizjes së trupave dhe shtabit të Korparmatës së parë nga baza e Shëngjergjit drejt rrethinave të Tiranës para fillimit të operacioneve. Mehmet Shehu, për shembull, e lëvizi shtabin e tij pa informuar BLO. Shehu bëri çmos të ndalonte deri edhe hyrjen e Oliver në Tiranë gjatë zhvillimit të operacioneve dhe ushtroi presion mbi atë. Hyrja e misionit britanik të drejtuar nga Oliver në Tiranë gjatë kohës së betejës për Tiranën, u konsiderua e papranueshme, e palejueshme dhe u bë presion i madh mbi Oliver për të dalë jashtë kryeqytetit. Misionet e tjera u mbajtën të gjitha në një distancë larg qytetit dhe kush u përpoq të lëvizte nga zona jashtë fshatit ku ndodhej, u ndesh me rojet partizanë, që nuk lejuan lëvizjen.

Vetë shtëpia e bazës së Oliver u ruajt nga partizanët dhe lëvizjet e tij kontrolloheshin, duke krijuar përshtypjen së bëhej fjalë për një njeri nën arrest shtëpiak. Anëtarët italianë në stafit të Oliver u arrestuan, civilët shqiptarë ishin urdhëruar me qëndrue larg britanikëve edhe në rrugë. Ata që komandonin çdo gjë në këtë sjellje ishin komisarët Hysni Kapo dhe Kristo Themelko, pa konsultimin e të cilëve komandantët Ndreu dhe Shehu nuk bënin asgjë. Qëllimi i një qëndrimi të tillë ndaj BLO ishte një përpjekje për me i ndalue oficerët britanikë nga marrja e opinioneve të publikut, të siguronin që britanikët të dëgjonin vetëm njërën anë të çështjeve politike, me i mbajtë të painformuar mbi personalitetet e arrestuara në shkallë të gjerë gjatë këtyre ditëve, dhe me mbajtë të fshehtë qëndrimin e tyre ndaj luftimeve.

Oliver, pa rekomandimin e partizanëve, arriti që të hynte në rrethinat e Tiranës në mbrëmjen e datës 29 tetor dhe të bënte rikonicion të situatës. Ai zbuloi se trupat e Brigadës 1, kishin infiltruar tashmë në lagjet lindore të kryeqytetit pa ndeshur në ndonjë rezistencë…. …Sulmi mbi Tiranën filloi ë datën 29 tetor, në orën 18:00 pasdreke. Shehu llogariste që forcave të tij do t’i duheshin 19 ditë për ta çliruar, ngaqë ai nuk kishte artileri, por vetëm mortaja. Ushtria gjermane ishte në tërheqje gjithandej dhe ajo në Shqipëri, sikurse edhe gjetkë në Ballkan, mbështetej në rekrutë të huaj, si armenë dhe turkmenë dhe bullgarë. Forcat e Brigadës 1 sulmuan nga veriu.

Plani ishte që Brigada 1 të luftonte në rrugën e saj drejt qendrës së qytetit dhe t’i bashkonte forcat me Brigadën 4 të kolonel Myslym Pezës, që vinte nga jugperëndimi. Gjermanët ndërmorën disa herë kundërofensivë, por u detyruan të zmbrapseshin. Në luftën për çlirimin e Tiranës kanë marrë pjesë edhe avionët britanikë nga baza e Foggia-s, të cilët bombarduan fillimisht, duke shkatërruar pozicionet gjermane në kodrat hyrëse të qytetit nga lindja dhe veriu. Ndërkohë, Brigadat 8 dhe 9 erdhën nga Peza në pjesë jugperëndimore për t’u bashkuar në rrethinat e qytetit. Lëvizja u bë ngaqë gjermanët tërhoqën trupat nga Greqia dhe i drejtuan në veri, në drejtim të Tiranës, me objektiv lënien e Shqipërisë dhe përqendrimin në Malin e Zi.

Lëvizja e trupave gjermane nga Greqia u bë përgjatë rrugës bregdetare nga Greqia në Durrës, dhe nga Durrësi mendohej të drejtoheshin drejt Tiranës dhe të përforconin garnizonin atje, ose të ndiqnin rrugën veriore drejt Malit të Zi. Megjithatë, ata nuk u kthyen në Tiranë dhe vazhduan rrugën drejt Veriut, Shkodrës për në Malin e Zi. Ndërkohë, gjermanët që tërhiqeshin nga Kosova, Korpusi 22 gjerman, udhëtoi për në jugperëndim drejt Elbasanit, u përpoq të marshonte në veriperëndim drejt Tiranës për të ndihmuar garnizonin atje. Në betejën e Tiranës një rol të rëndë- sishëm luajtën bombardimet aleate, duke qenë se gjermanët nuk kishin avionë.

Vetëm në një ditë Forcat Ajrore Mbretërore britanike dërguan 28 avionë gjuajtës me raketa për të sulmuar pozicionet e artilerisë gjermane dhe trupat e përqendruara në qytet. Sulmet ajrore britanike që mbështeten sulmin tokësore të divizionit partizan, shkaktuan dëme të mëdha dhe tronditje të pozicioneve gjermane në qytet, aq sa qindra prej tyre kërkuan të dorëzoheshin tek amerikanët dhe anglezët… … Para fillimit të sulmit final në datën 11 nëntor, së paku 125 gjermanë u dorëzuan në duart e misionit amerikan në rrethinat e Tiranës dhe më pas iu kaluan partizanëve, dhe fati i tyre mbrapa asnjëherë nuk u mor vesh. Partizanët vazhdonin politikën e tyre të filluar me kohë të ekzekutimit të robërve të luftës, një veprimtari e mirëfilltë terroriste.

Më 11 nëntor 1944, Mehmet Shehu urdhëroi fillimin e sulmit final mbi Tiranë, pikërisht në momentin kur morali i trupave gjermane dhe mbështetësve të tyre shqiptarë kishte rënë dhe një pjesë kishin filluar lëvizjen drejt Shkodrës për në Mal të Zi. Por, ndërkohë që në qytet zhvilloheshin luftime të mëdha, një zhvillim i papritur për të gjithë rrethuesit u zhvillua në periferi të Tiranës, në rrugën Elbasan-Tiranë, kur Korpusi 22 gjerman, me rreth tre mijë ushtarë me tanke dhe artileri, që vinte nga Kosova në Strugë, Elbasan, vendosi të ndiqte rrugën e Qafë-Kërrabës për në Tiranë, me dy objektiva kryesore: shpëtimin e të rrethuarve në Tiranë dhe pastaj evakuimin drejt Shkodrës.

Pra, 25 milje në jug të Tiranës, forca të mëdha gjermane të përbëra nga 5000 trupa dhe më shumë se 300 tanke, kishin mbërritur në Elbasan dhe të ndara në dy kolona. Gjysma lëvizi drejt veriut në një përpjekje për të lehtësuar rrethimin e kryeqytetit dhe gjysma tjetër lëvizi drejt perëndimit në përpjekje për të arritur Durrësin përmes Peqinit. Para se të mbërrinin në Tiranë, kolona e gjatë gjermane u godit nga avionët gjuajtës të Aleatëve sapo kaluan kthesat malore të rrugës së Qafë- Kërrabës dhe u shkatërruan në betejën e Mushqetas, ku u pritën edhe nga forcat partizane që bënë krehjen përfundimtare në terren. Sikur mos të ishte ndërhyrja e avionëve aleatë, që bënë kërdinë dhe e shkatërruan pa hapësirë shpëtimi autokolonën gjermane, sulmi mbi pjesën e mbetur të gjermanëve nga ana e partizanëve nuk do të hapej si mundësi.

Bëhej fjalë për një njësi të fuqishme dhe mjaft mirë të motorizuar, e cila mund të kishte bërë kërdinë mbi partizanët dhe mbi popullsinë e Tiranës. Njësitë e trupave britanike të Long Range Desert Group, një njësi sulmi e trupave elitë britanike, në një sulm të koordinuar arritën të kryenin procesin e shkatërrimit të rrugës kryesore Elbasan-Tiranë. Këtij procesi iu bashkëngjitën forcat e UNÇSH, që bashkërisht ndalën dhe i detyruan të ktheheshin mbrapsht trupat gjermane, ndërsa aeroplanët e “Balkan Air Force”, përmes zbritjeve dhe bombardimeve nga kuota të ulëta, e shkatërruan transportin gjerman, duke i shkaktuar një përqindje të lartë humbjesh.

Forcat e UNÇSH me sulmet e tyre arritën që të kapin pothuajse të gjithë tanket armike në drejtim të ElbasanTiranë. Ato gjermane që mbijetuan, arritën në rrethinat e Tiranës, vetëm kur Tirana ra në duart e partizanëve. Kolona e dytë u ndal prej partizanëve të tjerë në Peqin, ku u zhvilluan luftime të ashpra që rezultuan me viktima të reja nga ana e personelit gjerman. Si rezultat e këtyre aksioneve diversive, forcat kryesore partizane të Divizionit të Parë, të përforcuara nga njësi të reja, qenë në gjendje të hynin në fazën finale, atë të likuidimit të pikave së përforcuara strategjike gjermane dhe çlirimin e qytetit. Llogaritet që 1500 gjermanë u vranë, 150 u kapën rob dhe pjesa tjetër ia mbathi kodrave për të shpëtuar.

Karvani nga Elbasani për në Tiranë u shkatërrua plotësisht, por ajo çfarë ka ndodhur, ka qenë një masakër e vërtetë, një kurth pa shpëtim për ushtrinë gjermane dhe kjo falë avionëve britanikë të thirrur nga oficerët anglezë të LRDG. Fati i betejës së Tiranës u vendos në Mushqeta. Partizanët humbën 20 ushtarë dhe 30 u plagosën. Shehu i vetëm nuk do të mund të shkaktonte një dëm kaq shkatërrimtar kolonës gjermane, mbasi nuk kishte as forca ajrore dhe as artileri. Ka qenë forca ajrore Aleate që shkatërroi kolonën gjermane, ndërsa partizanët kryen ç’kishte mbetur, për t’u bërë në këtë operacion… … Prej datë 12 nëntor, Elbasani u çlirua, duke detyruar trupat e mbetura të merrnin rrugën drejt Tiranës. Më 13 nëntor, partizanët pushtuan pozicionet veriore të Sheshit Skënderbej dhe në pjesë jugore të qytetit, partizanët e Brigadës 4 arritën në Stadiumin e Sporteve të Tiranës.

Armiku pësoi humbje të mëdha, për shkak të përhapjes së luftimeve dhe mungesës së një fronti të qartë, dhe kështu gjermanët nuk arritën të merrnin avantazhet që kishin në artileri. Në datën 17 nëntor, Tirana u zu plotësisht nga forcat e UNÇSH dhe rezistenca gjermane kishte marrë fund në të gjithë trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan. Megjithëse një vlerësim i përgjithshëm i humbjeve nuk qe i mundur të bëhej për humbjet gjermane, llogaritet që humbjet gjermane, të vrarë dhe të zënë rob, i kalojnë 2000 veta (Mushqeta-Tiranë). Një raport i OSS tregon se disa prej gjermanëve të vdekur ishin gjermanë të plagosur, që u vranë nga partizanët.

“Politika e UNÇSH ndaj gjermanëve të plagosur ishte të mos kishte të tillë. Kështu, shumica e gjermanëve që u gjetën të plagosur, u vranë pamëshirshëm, pa një, pa dy. Burimi thotë se nuk ka parë të jetojë ndonjë gjerman i plagosur. Shumë pak robër u mbajtën nga UNÇSH” (Peter Lucas)…. … Më 19 nëntor, partizanët e Brigadës 18 u vunë në zotërim të Kukësit. Partizanët e Brigadës së 3-të dhe 5-të çliruan Pejën dhe Prizrenin, në Kosovë, dhe nga fundi i muajit, Shkodra ishte bastioni i fundit gjerman që ra, dhe kështu e gjithë Shqipëria ishte tani e lirë nga gjermanët. Përreth Shkodrës operonin Brigada e 7-të, e cila e kishte të vendosur Shtabin në Laç të Vaut të Dejës, ndërsa zonën verilindore të Shkodrës, në Drisht, ishte vendosur Shtabi i Brigadës 22. Krahas trupave partizane, vepronin edhe patrullat britanike të LRDG.

Në datën 22 nëntor zbarkoi me parashutë kapiteni britanik Dickinson, me cilësinë e përfaqësuesit të nënmarshallit Elliot dhe për mbërritjen e tij në zonën e Lezhës dhe Shkodrës në këtë moment të rëndësishëm të evakuimit të trupave gjermane nga Shqipëria Veriperëndimore, ishte informuar edhe Enver Hoxha. Dickinson jep disa informacione të vlefshme rreth situatës në Shkodër dhe rreth saj: Së pari, nga raporti i tij kuptohet se trupat gjermane të Regjimentit 522 ishin të gatshme të dorëzoheshin pranë trupave britanike të LRDG, por ato refuzonin kategorikisht të dorë- zoheshin pranë partizanëve shqiptarë, për shkak se deri më tash përvoja kishte treguar se UNÇSH kishte thyer ligjet e luftës dhe DOSSIER Î kishte ekzekutuar robërit, duke krye në këtë mënyrë një krim të paramenduar lufte.

Së dyti, Dickinson raporton se brigadat partizane rreth qytetit të Shkodrës qëndruan në pritje të procesit të evakuimit të gjermanëve, pa zhvilluar ndonjë betejë me këtë rast; së treti, partizanët e konsideronin në total popullsinë e Shkodrës një popullsi kolaboracioniste dhe kjo është përgatitja psikologjike armiqësore, që ata kanë pasur kur kanë hyrë në qytet, gjë që shpjegon sjelljen pushtuese të partizanëve, ndaj popullsisë qytetare shkodrane dhe reprezaljet, që kanë vijuar që nga dita e parë e asaj çfarë do të duhej të ishte liri. Së katërti, partizanët janë përpjekur të izolojnë ushtarakët britanikë nga marrja e informacionit mbi qytetin e Shkodrës, raportet informative të marra nga robërit gjermanë dhe janë përpjekur të ndalojnë Dickinson nga marrja e drejtpërdrejtë e informacioneve në qytetin, tashmë të evakuuar nga gjermanët dhe të pushtuar nga partizanët komunistë, raporton se gjermanët e evakuuan qytetin e Shkodrës në datën 29 nëntor 1944.

Sipas analistëve ushtarakë britanikë, partizanët hynë në Shkodër në datën 29 nëntor 1944, kur forcat gjermane u tërhoqën në Mal të Zi. Partizanët hynë në Shkodrën e evakuuar nga gjermanët, në një qytet që përherë kishte qenë qendra e një opozite të brendshme të fuqishme kundër komunizmit dhe do mbetej përherë e tillë. Siç duket, tërheqja gjermanë nga Shkodra ka ndodhë në datën 28 nëntor 1944 dhe kjo gjendet e shënuar në një dokument tjetër, dhe hyrja e partizanëve në datën 29 nëntor 1944. Në një fjalim të mbajtur në Tiranë, në datën 28 nëntor 1944, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Enver Hoxha përgëzoi forcat partizane për arritjet e tyre, por theksoi se detyra të mëdha të administrimit dhe rindërtimit qëndronin përpara.

Për me i realizue këto detyra do të ishte e nevojshme me transformue forcën e tyre ushtarake në një forcë politike. Ai deklaroi gjithashtu se trupat shqiptare do të ndihmonin ato jugosllave në pastrimin e Malit të Zi nga gjermanët. Është koha kur propaganda komuniste në Tiranë i përmbahej linjës së Shqipëria ishte çliruar prej shqiptarëve me forcat e veta dhe se partizanët shihnin nga Bashkimi Sovjetik për mbështetje, më tepër sesa tek aleatët perëndimorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura