ANALIZA/ “Drejtësia që duket në çështjen THAÇI”- Ish-prokurori zbërthen akt-akuzat e Gjykatës Speciale. Çfarë fshihet pas provave të…

Jun 26, 2020 | 13:23

Besnik Muci-Thaci-veseliNga Besnik Muçi*

“Not only must Justice be done; it must also be seen to be done.”

Lord Hewart, Chief Justice (1924)

Çështja R v Sussex Justices, ex parte McCarthy (1924), në Britaninë e Madhe është themelore dhe pikë referimi për paanshmërinë e gjyqësorit në dhënien e drejtësisë. Ajo vendosi postulatin e njohur dhe të referuar mjaft nga gjykatat ndërkombëtare sipas të cilës “Drejtësia nuk duhet vetëm të bëhet por edhe duhet të duket që bëhet”.

Të njëjtin parim dhe postulat e ka theksuar edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjet Poppe v. The Netherland 32271/04, Dorozhko and Pozharskiy v. Estonia, 14659/04 and 16855/04, § 52, 2 2008; Micallef v. Malta, 17056/06, §5, 2008; dhe De Cubber v. Belgium, 1984, §26.

Gjykata në të gjitha këto raste ka konstatuar shkelje të këtij parimi për shkak se nga veprimet e aktorëve të drejtësisë kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshime se zgjidhja e çështjes është paragjykuar dhe ndikuar nga faktorë jashtë gjyqësore.  Dhe cenimi i këtij parimi përbën shkelje flagrante të nenit 6 të Konventës Europianë të të Drejtave të Njeriut për një proces të rregullt gjyqësor.

E shpjeguar më thjesht ky parim dhe postulat i rëndësishëm për drejtësinë nënkupton faktin që çdo qytetar që ndjek një çështje të drejtësie të shohë, kuptojë dhe ndjejë që jo vetëm sjelljet e ngushta profesionale dhe zgjidhja e çështjes janë të paanshme por edhe veprimet publike të aktorëve të dhënies së drejtësisë të tregojnë në mënyrë të qartë dhe te thjeshtë paanshmërinë e tyre.

Po cila është Drejtësia që çdo qytetar shqiptar dhe euro-amerikan shikon se po bëhet në çështjen THAÇI? A tregon dukja e kësaj çështje se aktorët profesionalë të saj po veprojnë me paanshmëri?  

Ajo çfarë ka parë një qytetar është fakti që disa Prokurorë Ndërkombëtarë prej 20 vjetësh vazhdojnë të shprehen publikisht dhe të ngrenë akuza për Ish-drejtuesit Ushtarake dhe Politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të krime të kryera gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Ka filluar Kryeprokurorja e Gjykatës për Krimet e Luftës në Ish-Jugoslavi dhe Ruanda Karla Del Ponte në periudhën 1999-2007. Në vitin 2003 Prokurorja u shkarkua nga detyra e Prokurores per krimet ne Ruanda për arsye politike prej Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.  Sipas një shkrimi të gazetës prestigjioze “The Economist” të datës 21 gusht 2003 me titull “A bëri Carla del Ponte shumë pak apo shumë në Ruanda? Të dyja”,  (“Did Carla del Ponte do too little or too much in Rwanda? Both”), pasqyron faktin e shkarkimit të saj pasi kishte qëndruar vetëm 35 ditë ne vit në detyrë. Në vitin 2007 u largua përfundimisht nga ky funksion.

Vetëm një vit pas dorëheqjes së saj si Kryeprokurore e Gjykatës për Krimet e Luftës në Ish-Jugoslavi ne vitin 2008, Del Ponte publikoi librin e titulluar “Gjueti” në të cilin ajo pretendoi se shqiptarët e Kosovës kishin kontrabanduar organe njerëzore të serbëve të rrëmbyer pas përfundimit të luftës në Kosovë në 1999. Libri i saj kontrovers krijoi polemika ndërkombëtare. Këto aludime më pas u përfshinë edhe në raportin që Dick Marti, Anëtar  Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, paraqiti në dhjetor 2010 para Këshillit të Evropës.

Këto ditë janë dy Prokurorë që kryejnë apo kanë kryer funksione hetimi në Kosovë, që kanë bërë deklarata për krime të kryera nga ish pjesëtare të UÇK-së.

Së pari Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale të Kosovës njoftoi publikisht faktin se në muajin prill të këtij viti kishte paraqitur para Gjyqtarit të hetimit të kësaj gjykatë një draft akuzë ku ai pretendon se Drejtues të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Së dyti Clint Williamson, ish- Kryeprokuror i Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Europian 2011-2014 që hetoi krimet e luftës të supozuara nga shqiptarët e Kosovës.  Ish Prokurori këto ditë është shprehur i kënaqur për ekzistencën e draft-aktakuzës kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Kosovës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte duke reklamuar meritat e tij “…ky është një zhvillim domethënës në një hetim që filloi në vitin 2011 me emërimin tim si Kryeprokuror…”, sikurse shprehet. Ky ish prokuror bën akuza të rënda duke i quajtur veprimet e UÇK-së pas luftës “…kriminalitet i shfrenuar…” ndërsa ato gjatë luftës thjesht “…veprime me qëllime të mira…”.  Ato që ky ish prokuror ka parë në Kosovë “… zhvarrosjet e varreve masive që ndodhën në verën e vitit 1999, ku u gjetën trupat e mijëra viktimave shqiptare të Kosovës…”, sipas tij janë thjesht “…krimet e drejtuara kundër viktimave shqiptare të Kosovës…”. Ndërsa dyshimet e tij dhe të Prokurorisë Speciale për veprimet e disa antarëve të UÇK-së janë kriminalitet i shfrenuar dhe krime lufte e kundër njerëzimit??!!

Unë, për shkak dhe të profesionit që kam ushtruar për 20 vjet, nuk marr përsipër të analizoj elementët profesionalë të këtyre akuzave apo draft-akatkuzave.  Së pari nuk jam në dijeni të fakteve konkrete me natyre penale që u atribuohen ish-Drejtuesve të UÇK-së, të dhënat, provat dhe burimet e provave që janë grumbulluar gjatë hetimit etj. dhe së dyti çështja është thjesht në fazën e hetimeve dhe vetëm në përfundim të gjykimit mund të flasim ose jo për krime të kryera.  Natyrisht nuk marr përsipër të zgjidh dhe çështjen nëse janë kryer ose jo krime gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë, pavarësisht se besoj plotësisht se shqiptarët dhe UÇK-ja zhvilluan luftën më të drejtë në histori duke iu përgjigjur me patriotizëm, trimëri dhe heroizëm sulmit barbar dhe gjenocidit të makinërisë, jo vetëm ushtarake, Serbe.

Por kjo nuk na ndalon ne që të bëjmë një vlerësim të sjelljeve dhe qëndrimeve publike të Prokurorëve Ndërkombëtare lidhur me këto çështje. Ata janë aktorë shumë të rëndësishëm në hetimin dhe dhënien e drejtësisë për këto krime të pretenduara.  Veprimet dhe sjelljet e tyre ndihmojnë qytetarin e thjeshtë të kuptojë nëse drejtësia në këtë rast po jepet në mënyrë të paanshme apo është e orkestruar dhe i shërben qëllime të tjera.

Së pari botimi i një libri me kujtime nga Zonja Del Ponte, vetëm disa muaj pasi u largua nga detyra, me objekt faktet e mësuara për shkak të punës dhe aludimet për krime vlerësoj se është një mungesë e theksuar përgjegjësie profesionale dhe shkelje e etikës së një prokurori.  Mungesë e përgjegjësisë profesionale sepse si Prokurore e Gjykatës për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi ajo kishte jo vetëm të drejtë por edhe detyrë njëkohësisht që të hetonte të gjitha krimet e kryera në teritorin e Ish-Jugosllavisë, përfshi dhe Kosovën, dhe dërgonte para gjykatës të gjithë autorët.  Nëse kjo Prokurore ka pasur dijeni dhe nuk i ka hetuar këto krime nuk ka kryer detyrën e saj. Nëse ka pasur dijeni dhe ka kryer hetime dhe njëkohësisht kur është larguar bën deklarata publike rreth fakteve penale që ka rënë në dijeni për shkak të funksionit ka jo vetëm ka shkelje ektike por edhe të natyrës disiplinore deri dhe penale. Në këtë mënyrë ajo gjithashtu ka dëmtuar hetimet drejtpërdrejt.

Gjykata për Ish-Jugosllavinë ka kryer disa hapa në këtë drejtim duke akuzuar disa ish komandantë të UÇK, si Fatmir Limaj, Isak Musliu, Haradin Bala, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Me përjashtim të zotit Haradin Bala të gjithë të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata.  Ndërkohë që për krimet monstruoze të luftës, kundër Njerëzimit dhe Genocidin që Serbia kreu në Kosovë u proceduan dhe dënuan një numër shumë i vogël personash me shtetësi Serbe rreth 60 persona.

Ndërkohë që ka dyshime se numri i shtetasve serbë ose jo që kanë kryer krime te tilla në territorin e ish-Jugosllavisë është disa mijëra. Gjatë 24 viteve të punës, 1993-2017,  para kësaj Gjykate janë gjykuar 161 të akuzuar, 90 janë dënuar, 19 janë liruar, 13 janë dërguar para gjykatave në Serbi, Bosnje dhe Kroaci dhe për 37 akuzat janë tërhequr

Madje Carla del Ponte, kryeprokurorja e Gjykatës, pretendoi zyrtarisht gjatë kohës që ka qene në detyrë se nuk mund të hetonte pjesëtarë të UÇK-së pasi kishin kryer krime edhe jashtë territorit të ish-Jugosllavisë, në territorin shqiptar, ku nuk kishte juridiksion.  Për këtë arsye zyrtarisht kërkoi ndryshimin e statusit të Gjykatës për ish-Jugosllavinë dhe zgjerimin e juridiksionit të saj edhe në Shqipëri.  Një paragjykim i pastër me natyrë nacionale dhe politike dhe një nonsens juridik.  Shqipëria ishte dhe është anëtare e të gjitha organizatave dhe instrumenteve juridiko-penale ndërkombëtare që mundësojnë bashkëpunimin të menjëhershëm, të drejtpërdrejte dhe plotësisht efektiv për hetimin e çdo vepre penale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë përfshi krime lufte, kundër njerëzimit apo gjenocid. Po ashtu ka shfaqur qartësisht vullnetin për çdo hetim në territorin e saj.  Nuk ka asnjë informacion publik që Zonja Del Ponte, si ish-Kryeprokurore, të këtë kërkuar bashkëpunimin e autoriteteteve gjyqësore shqiptare.

Në fakt nuk janë të rralla rastet e dështimit të plotë të zonjës Del Ponte në detyrën e saj si Prokurore ndërkombëtare por edhe Zvicër. Në 1999, Del Ponte pësoi një dështim total kur Gjykata e Lartë e Zvicrës rrëzoi konfiskimin e kryer prej saj të shumës 90 milion dollarë nga llogaritë zvicerane që i përkisnin një shtetasi të huaj. Gjykata konkludoi që Prokurorja nuk mund të konfiskonte 90 milion dollarët vetëm me dyshimin se mund të ishin  para nga trafiku i drogës.  Dyshime të njëjta janë ato të Zonjë Del Ponte lidhur me kondrabandimin e organeve nga UÇK-së.

Pastaj marrja e këtyre aludimeve nga një koleg i zonjës Del Ponte, ish Prokurori Dick Marty tashmë Anëtar  Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe  vendosja e tyre në një raport serioz të këtij Institucioni ka dyshime më vete. Fakti që të tilla aludime e pretendime kalojë midis dy kolegësh, pa një filtër objektiv dhe të paanshëm vlerësimi, dhe kthehen në qëndrim politik të Këshillit të Europës, duke e analizuar nga ajo që duket, krijon dyshime serioze për saktësinë dhe vërtetësinë e aludimeve të ish-Kryprokurores.

Megjithatë duhet theksuar fakti se krimet e ashtuquajtura të UÇK-së janë hetuar disa here para Gjykatës Speciale.  Si fillim me to është marrë Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me seli po në Hagë të Holandës, e themeluar nga Kombet e Bashkuara ku ka punuar si prokurore zonja Del Ponte. Më pas me hetimin e tyre është marrë administrata e Kombeve të Bashkuara e vendosur në Kosovë pas çlirimit, UNMIK, e cila kishte edhe sistemin e saj të drejtësisë në Kosovë.  Këto raste u trajtuan edhe nga drejtësia e Bashkimit Evropian, përmes misionit të EULEX-it. Veç rasteve të Gjykatës për Ish-Jugosllavinë edhe Gjykata në Kosovë kanë dhënë 11 vendime penale për krime të kryera gjatë kohës së luftës.

Këto çështje prej vitit 2015 i kanë marrë përsipër Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura ndryshe edhe si Gjykata Speciale. Ndryshe quhet Gjykata Speciale në Kosovë dhe është krijuar me një ndryshim kushtetues dhe një ligj të adoptuar nga Parlamenti i saj. Financimi dhe administrimi i Gjykatës u mor përsipër nga Bashkimi Europian dhe disa vende te tjera si SHBA, Kanada, Turqi etj..  Krijimi i kësaj Gjykate bazohet në një marrëveshje midis Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës në vitin 2014, ku theksohet se baza ligjore për krijimin e saj duhet krijuar nga qeveria e Kosovës me ligji. Kështu parlamenti aprovoi më gusht të 2015 një ndryshim kushtetute për ti hapur rrugë krijimit të saj.

Ndërkohë që Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi u krijua në vitin 1993 me vendim të Këshillit të Sigurimit të KB bazuar rezolutën 808 të saj. Në këtë vështrim Gjykata për ish-Jugosllavinë ishte organ i Kombeve të Bashkuara. Ndërsa Gjykata për Krimet e Kosovës është organ i bashkangjitur sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ndërsa deklaratat publike të ish Prokurorëve dhe Prokurorëve të Gjykatës Speciale janë edhe më të pashpjegueshme dhe të pakuptueshme.

Në vlerësimi tim dalje dhe protagonizma të tilla publike nga çdo prokuror jo vetëm nuk e ndihmojnë hetimin por i vënë në dyshim akuzat apo draft-akuzat e ngritura.  Aq më shumë, jo vetëm e pajustifikuar por shumë e dyshimtë, është deklarata e ish-Prokurorut Clint Williamson se ai gjatë hetime që ka kryer paska mbledhur prova lidhur me krimet e kryera nga anëtaret e UÇK-së që në vitin 2011.  Madje është plotësisht paragjykues kur i quan thjesht “krime kundër shtetasve shqiptare në Kosovë”  dhjetëra e qindra varre me mijëra të vrarë që i ka zbuluar dhe hapur vetë në Kosovë ndërsa dyshimet për krimet e drejtuesve të UÇK-së i deklaron me gojën plotë si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit?!

Një pyetje natyrshëm lind: kur provat na i paska zbuluar ky prokuror që në vitin 2011 pse duhej pritur edhe 9 vjet për të dërguar një draft-akuzë në Gjykatë?!

Dhe së fundi lind një pyetje për çdo qytetar që i ndjek këto zhvillime: Pse duhej që Prokurori Special të bënte një deklaratë të tillë tre ditë para një aktiviteti politik në Shtëpinë e Bardhë lidhur me një nga çështjet politike dhe të sigurisë më të rëndësishme në Evropë sot?

Së pari mendoj se nxitime për deklarata të tilla nga prokurorët fshehin frikën e tyre se akuzat e ngritura janë hipotetike, nuk janë të mbështetura në prova dhe nuk do të pranohen nga Gjykata.  Një Prokuror nuk ka nevojë të bëjë deklarata publike për punën e tij të mirë  por në momentin që e ka çuar aktet dhe draft-aktakuzën në gjykatë duhet të heshtë dhe të presë Gjykatën të shprehet me vendim.

Së dyti mendoj se nxjerrja e këtij informacioni sekret gjatë periudhës 6-mujore kur gjykata është duke shqyrtuar besueshmërinë në prova dhe në ligj të këtyre draft-aktakuzave është shkelje e sekretit të hetimit dhe ndërhyrje e presion i drejtpërdrejt mbi gjykatën që të pranojë kërkimet e prokurorëve.  Gjyqtari i Hetimit mund të konkludojë që hetimet nuk janë të plota dhe mund ta kthejë materialin për hetime të tjera ose në rastin më të keq për prokurorin mund të rrezojë akuzën.

Së fundi duke konsideruar momentin është një protagonizëm i pastër politik i prokurorëve në një prej çështjeve më të rëndësishme të axhendës aktuale politike botërore dhe tentativë e tyre që të bindin opinionin publik ndërkombëtar për besueshmërinë e aludimeve 20 vjeçare të Zonjës Del Ponte ende pa u shprehur Gjyqtari i Hetimeve. Nëse Prokurori nuk e dëshironte funksionin dhe protagonizmin politik te Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe mendonte se ai në këtë mënyrë mund të dëmtojë hetimet, kishte të drejtën dhe detyrimin njëkohësisht që ti kërkonte Gjyqtarit të Hetimit caktimin e një mase shtrënguese ose edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike. Përvoja ime më thotë që nuk është kryer një veprim i tillë, nëse nuk është kryer, se do të hidhej poshtë menjëherë nga Gjykata.

Pra të gjitha këto konstatime, shkelje dhe analiza na bëjnë të shohim ndjejmë e kuptojmë se veprimet publike të Prokurorëve në çështjen THAHÇI, si aktorë shumë të rëndësishëm në dhënies së drejtësisë, tregojnë në mënyrë të qartë dhe te thjeshtë paanshmërinë e tyre.  Po ashtu krijojnë dyshime serioze se zgjidhja e çëshjes është paragjykuar dhe ndikohet nga faktorë të tjerë jashtë gjyqësore.  Në këtë mënyrë këta Prokurrorë kanë shkelur postulatin dhe parimin 100 vjeçar të dhënies së drejtësisë që “Drejtesia nuk duhet vetëm të bëhet por edhe duhet të duket që bëhet”.

*Besnik MUÇI
Ish-Prokuror dhe ish-Anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë

 

© Panorama.al

Te lidhura