Allmuça firmos te Skënderbeu

SHPËRNDAJE

Igli Allmuça

Skënderbeu godet sërish në merkato, teksa dje ka arritur akordin me mesfushorin e Dinamos, Igli Allmuça. Lajmi konfirmohet për “Panorama” nga presidenti i kampionëve në fuqi, Agim Zeqo.Agim Zeqo është takuar dje paradite me lojtarin dhe ka mbyllur gjithçka në pak minuta. Allmuça është joshur nga oferta e Zeqos dhe nuk ka hezituar për të nënshkruar. Kontrata është për një sezon, ndërkohë që për shërbimet e Allmuçës, klubi korçar ka fituar edhe garën me Vllazninë e Flamurtarit, të cilët gjithashtu kishin një interesim konkret për mesfushorin. Me sa duket, te Skënderbeu janë të fiksuar pas lojtarëve të Dinamos. Duke përfituar nga momenti kaotik që po kalon klubi blu, Skënderbeu po merr lojtarët më të spikatur, duke futur këtu edhe Emiljano Vilën e Nuredin Orelesin, të cilët gjithashtu kanë pranuar ofertën.
Konfirmimi – “Kemi mbyllur gjithçka me lojtarin e Dinamos, Igli Allmuça, i cili për sezonin e ardhshëm do t’i shërbejë Skënderbeut. Merkatoja do të vijojë me të tjera afrime cilësore. Kaq mund të them për momentin, teksa duhet të shtojë gjithashtu se planet tona për Skënderbeun e sezonit të ri janë edhe më të mëdha se kampionati që lamë pas. Presim me ankth shortin e Ligës së Kampioneve dhe shpresojmë që të kemi një kundërshtar të favorshëm, duke besuar te kalimi i turit,”, ka thënë presidenti Zeqo, i cili, pasi konfirmoi Allmuçën, u tregua i rezervuar për të përmendur emra të tjerë lojtarësh, që janë pranë Skënderbeut.
Të tjerët – Me një tjetër lojtar të Dinamos, si Nuredin Orelesi, është arritur marrëveshja disa ditë më parë, por, gjithashtu, edhe me Emiljano Vilën. Megjithatë, për këtë të fundit, problem është kontrata që ka me Dinamon e Zagrebit. Klubi kroat nuk po hap rrugë, por gjasat janë që në ditët në vijim presidenca e Skënderbeut të derdhë 30 mijë euro për të blerë kartonin e Vilës. Në fakt, shuma që kroatët kanë kërkuar është gati e papërballueshme nga klubi bardhekuq. Gjithsesi, Vila do të nisë stërvitjen me Skënderbeun dhe në ditët në vijim do të mësohet nëse kroatët mund t’i hapin përfundimisht rrugën transferimit. “Ne vazhdojmë të punojmë, por duhet t’ju bëj të ditur se hap pas hapi do të bëjmë publikë edhe emrat e lojtarëve që do të jenë pjesë e Skënderbeut të ri. Shumë zëra qarkullojnë në treg dhe bisedime të shumta ka ngado, por vetëm kur gjërat bëhen zyrtare, atëherë ne mund të flasim konkretisht”, ka përfunduar presidenti Zeqo. Në klubin korçar, sot do të jenë të preokupuar për të mbyllur marrëveshjen edhe me lojtarin kroat, Toni Pezo, emri i të cilit është përmendur nga “Panorama” disa ditë më parë.

Pritet edhe Toni Pezo

Toni Pezo mbërrin sot në Tiranë për të firmosur kontratën me Skënderbeun. Burime pranë klubit bardhekuq konfirmojnë se lojtari kroat do të zhvillojë bisedën e fundit me presidentin Agim Zeqo. Mesfushori që ka luajtur edhe me Tiranën në sezonin 2008-2009, ku u shpall kampion, vjen te Skënderbeu për të bërë rolin e qendërmbrojtësit. Megjithatë, kjo do të mësohet pas bisedës që vetë futbollisti do të bëjë me trajnerin Shpëtim Duro.

Soza u çon dëm korçarëve 1500 dollarë

Rafael Soza duhej të kthehej më 7 qershor në Shqipëri, por argjentinasi nuk e ka bërë këtë, duke djegur kështu biletën e parapaguar nga drejtuesit e klubit korçar. Mesfushori ka çuar dëm 1500 dollarë të udhëtimit, të cilat ishin vënë në dispozicion për biletën e tij. Për moskthimin në kohën e duhur dhe djegien e biletës, lojtari nuk ka njoftuar asnjë nga përfaqësuesit e Skënderbeut. Pak ditë më parë, vetë presidenti Agim Zeqo doli garant për kthimin e Sozës te Skënderbeu, por ndodhi e kundërta. Tashmë, e ardhmja e argjentinasit duket më shumë larg se sa afër Skënderbeut. Në fakt, Sozës i ka përfunduar kontrata me klubin, por marrëveshja mes palëve ishte që ai të luante edhe në Europë.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.