Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e zgjerimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit, përfshirë intensifikimin e sulmeve ajrore, operacione me trupa tokësore dhe goditje ndaj objektivave strategjikë, raportojnë zyrtarë amerikanë të cituar nga “Wall Street Journal”.
Sipas gazetës WSJ, në diskutimet e Shtëpisë së Bardhë janë përfshirë disa skenarë, mes tyre pushtimi i mundshëm i Ishullit Kharg, një pikë kyçe për eksportet e naftës iraniane, si dhe bombardimi i kompleksit nëntokësor në Malin Pickaxe, i lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Trump zhvilloi një takim në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë ku u diskutuan këto opsione, ndërsa në bisedime morën pjesë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe gjeneralin Dan Kaine.
Ushtria amerikane ka deklaruar se ka kryer sulme ajrore ndaj Iranit, duke synuar aftësitë e Teheranit për të kërcënuar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, SHBA po zbaton edhe masa bllokuese ndaj porteve iraniane.
Pavarësisht presionit ushtarak, sipas zyrtarëve amerikanë, Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për hapat e ardhshëm dhe ka deklaruar se preferon një zgjidhje diplomatike. Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje me Iranin ka bërë që administrata amerikane të shqyrtojë alternativa të reja për përshkallëzim.
Një ndër skenarët më të rrezikshëm është një operacion ndaj Malit Pickaxe, një strukturë e fortifikuar nëntokësore që besohet se lidhet me aktivitetet bërthamore të Iranit. Sipas analizave të cituara nga “Wall Street Journal”, thellësia dhe ndërtimi i kompleksit mund ta bëjnë atë një objektiv të vështirë për t’u goditur.
Një tjetër objektiv i mundshëm është Ishulli Kharg, qendra kryesore e eksporteve të naftës së Iranit. Kontrolli i këtij ishulli do të dëmtonte rëndë industrinë energjetike iraniane, por do të ekspozonte forcat amerikane ndaj sulmeve me raketa dhe dronë.
Ekspertët paralajmërojnë se një zgjerim i konfliktit mund të sjellë pasoja të mëdha, përfshirë rritjen e çmimeve të energjisë dhe përfshirjen më të thellë të Shteteve të Bashkuara në një konflikt të gjatë në Lindjen e Mesme.
© Panorama.al












