Zjarret, shkrumbohet kisha ortodokse dhe qindra hektarë pyje e kullota

Jul 21, 2011 | 11:07
Kisha e djegur

GJIROKASTER- Zjarret shkrumbojnë mbi 200 ha pyje e kullota gjatë 24 orëve të fundit në rrethin e Gjirokastrës, ndërkohë që pre e flakëve ka rënë edhe një objekt kulti. Policia e këtij qarku bëri të ditur se ka nisur procedimin për zjarrvënie nga pakujdesia ndaj 56-vjeçarit me inicialet B.A. nga Gjirokastra. Ai ka qenë duke mbledhur bimë medicinale në kodrat midis fshatit Zervat dhe Jorgucat në komunën e Dropullit të Sipërm, por bishti i cigares i hedhur pa kujdes në barin e thatë ka shkaktuar njërën prej vatrave të zjarrit. Ndërkohë që shumë vatra të tjera kanë shkrumbuar hektarë të tërë në mjaft zona, të favorizuara edhe nga temperatura e lartë. Zjarret janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe kullosore duke marrë drejtime të ndryshme në fshatrat Zervat, Jorgucat, si dhe në pjesën fushore e kodrinore. Me marrjen e informacionit, në vendngjarje kanë mbërritur 30 efektiva policorë, si dhe dy automjete të PMNZSH, duke shmangur djegien e një kishe ortodokse në njërin prej fshatrave. Era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar flakët, që në një kohë të shkurtër pushtuan sipërfaqe të madhe kullote në fshatin Zervat, madje duke kërcënuar edhe banorët e lagjes së sipërme të fshatit. Punonjësit e Policisë, për tre orë rresht, kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit duke shpëtuar banesat dhe jetën e banorëve. Blutë nuk kanë mundur të ndërhyjnë në pjesën e poshtme të fshatit Zervat. Flakët kanë mbërthyer një kishë ortodokse në rindërtim, e cila ndodhej në të djathtë të fshatit, duke e djegur atë plotësisht. Pas vënies nën kontroll të zjarrit në fshatin Zervat, një vatër tjetër zjarri është shfaqur në kodrat e Muzinës, në kufi me Sarandën. Dy automjete zjarrfikëse, forca të ushtrisë dhe dhjetëra punonjës policie, kanë arritur të neutralizojnë flakët dhe përhapjen e tyre në drejtim të fshatit Jorgucat. Ky është bilanci më i rëndë i regjistruar ndonjëherë në Gjirokastër, pasi zjarret gjatë të gjithë vitit të kaluar dogjën 213 ha kullota, ndërkohë që kjo hapësirë është shkrumbuar vetëm në një ditë.   p.n

© Panorama.al

Te lidhura