Podiumi i folësve mbrëmjen e sotme, në ditën e 11-të të protestës, para mijëra shqiptarëve që mbushën bulevardin para Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Ramës dhe qeverisë, kishte nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Mes tyre edhe një i ri që u shpreh se ky sistem politik dhe kjo qeveri ua kishin sjellë shqiptarëve “në majë të hundës” dhe se duhet të largoheshin një orë e më parë. Ai denoncoi grabitjen e pasurive natyrore shqiptare, në male, fusha e bregdet.
“Jemi në protestë se na e kanë sjellë në majë të hundës. Na e kanë sjellë në majë të hundës se po na marrin malet, tokat dhe detet, pasuri që na i ka falur natyra”, tha ai mes të tjerash.
Dhe ndërsa i bëri thirrje të gjithëve në shesh të rrinin të bashkuar deri në fund, apeloi që rezistenca të finalizohej me rrëzimin e qeverisë.
“T’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit sot dhe t’i japim besën derisa ta largojmë këtë qeveri, sepse Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e tradhtarëve”, përfundoi ai.
© Panorama.al














