VIDEO/ “Edi Rama kujton se ne hamë bar”- Qytetari i revoltuar: Kanë hequr Dritëro Agollin e Gramos Pashkon dhe kemi përfunduar te Zegjine Çaushi! Të mos e lëmë këtë vend

Jun 10, 2026 | 20:19

Mes folësve në protestën e sotme ishte edhe një qytetar i revoltuar që tha se qeveria ka hequr të gjithë të aftit dhe intelektualët, duke i zëvendësuar me të paaftë dhe injorantë.

Ai kujtoi se edhe parlamenti shqiptar ka përfunduar aktualisht te Zegjinë Çaushi, teksa më parë ka pasur figura intelektuale.

“Keni zgju zemrat çdo shqiptari në krejt planetin. Sot është dita më e bukur e jetës time. Hera e parë që dal në mitingje, jam 41 vjeç, vij nga Mamurrasi dhe jam patriot. Arsyeja kryesore është se sot kanë bërë presione, ca rilindas të PS, ca të PD-së dhe ata janë antikombëtarë, sepse kush nuk e do këtë protestë nuk është shqiptar. Jam lind e rrit në Shqipëri, kam investu në Shqipëri. Kam ardhur në protestë me gjithë familjen. Sepse kam parë Shqipërinë duke u shkatërruar nga 1991 e sot. Ne kemi përfunduar duke hequr Dritro Agollat e Gramos Pashkot nga Parlamenti për të futur Zegjine Çaushin!”, u shpreh ai, duke marrë ovacionet e mijëra protestuesve.

Ai vijoi duke vënë në dukje se kryeministri kujtonte se ata nuk i shohin ato që ndodhin në Shqipëri, por vendin dhe rininë nuk e përfaqësonte krimi.

“Edi Rama kujton se ham bar ne. Ne këna parë botën, çfarë kujtojnë këta. Ne nuk na përfaqëson krimi, nuk na mund krimi, ta dijë dhe Edi Rama, i ka zëvendësu të aftit me injorantët. Edhe Krenar Ahmetin e kanë bërë shofer kamioni, e kanë hequr nga Policia, më qan zemra”, vijoi ai.

Në fund i bëri thirrje të gjithëve për rezistencë e bashkim.

“Ju lutem të rrimë së bashku, të qëndrojmë krejt, të mos e lëmë këtë vend”, përfundoi i riu nga Mamurrasi.

© Panorama.al

Te lidhura