Në ditën e 11-të të protestës qytetare, mes pjesëmarrësve ishin edhe banorë të kompleksit Arlis, Farmacia 10, i cili u dëmtua rëndë nga zjarri masiv që përfshiu godinën rreth dy muaj më parë.
Me pankarta dhe slogane revolte në duar, ata ngritën zërin kundër asaj që e cilësojnë si indiferencë dhe arrogancë të institucioneve shtetërore ndaj situatës së tyre. Sipas banorëve, ngjarja la pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, duke lënë rreth 40 familje pa banesa, ndërsa dhjetëra familje të tjera dhe një numër biznesesh pësuan dëme të konsiderueshme.
Një nga kërkesat kryesore të banorëve mbetet heqja e fasadave të dëmtuara të kompleksit, të cilat sipas tyre përbëjnë ende rrezik për mbi 200 familje dhe shumë biznese që ndodhen në zonë. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, duke paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në marrjen e një zgjidhjeje konkrete për problemet e ngritura.
© Panorama.al














