Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në zonën naftëmbajtëse të Belinës në komunën Zharrës të rrethit Fier.Mesditën e djeshme flakët përfshinë një masë të madhe sere, e cila rezulton të jetë mbetje nga një pus i fondit të ndalur.
Flakët kanë rrezikuar edhe pusin në fjalë, i cili ndodhej pak metra më larg, çka mund të sillte pasoja të paparashikueshme për zonën. Zjarri është përhapur me shpejtësi, duke pushtuar gjithë zonën naftëmbajtëse, e cila është kryesisht një zonë e banuar, ndërsa ndotja ka qenë e përmasave alarmante. Fatmirësisht, nuk ka pasur dëme materiale, por ndotja mjedisore ka qenë në nivele të larta. “Jemi rrezikuar shumë dhe nuk e dimë se si ra zjarri. Vetëm kur pamë flakët, deshëm të lajmërojmë kompaninë “Albpetrol”. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por sot dita ishte e nxehtë dhe mundet që zjarri të jetë nxitur si pasojë e bashkëveprimit të nxehtësisë dhe serës”, ka deklaruar Fatmir Malaj, një banor i zonës, i cili ka arritur të shkojë pranë vatrës së zjarrit dhe bashkë me të tjerë të tentojë të shuajë flakët. Ajo që është vënë re në vendin e ngjarjes, ka qenë fakti, që megjithëse bëhej fjalë për një prag katastrofe të mundshme, asnjë nga instancat përkatëse nuk ka qenë e pranishme me përfaqësuesit e tyre. Në vendngjarje nuk ka pasur as përfaqësues të kompanive të naftës që kanë nën juridiksion këto puse dhe as forca të zjarrfikëseve, të cilat do të mund të ulnin nivelin e rrezikut të zonës. Gjatë momenteve të zjarrit është rrezikuar përfshirja nga flakët e puseve të naftës përreth si dhe frika e përhapjes së zjarrit tek banesat, të cilat janë rreth 100 metër larg. Për më shumë se dy orë kanë vijuar flakët, ndërsa, sipas banorëve, askush nuk ka ardhur në ndihmë për të bllokuar vatrën e flakëve. Ky nuk është rasti i parë që puset rrezikojnë të përfshihen nga flakët, ndërsa po aq shumë rreziqe u janë kanosur banorëve nga fontana të ndryshme. Ndërkohë që, as uniformat blu nuk kanë qenë në vendngjarje për të nisur hetime rreth shkaqeve të rënies së zjarrit në këtë zonë. Zona e Belinës është një zonë në të cilën ka një numër të madh pusesh që i përkasin fondit të ndalur.
FIER/MAJLINDA RAMA











