Zjarr i qëllimshëm në makinën që përdori Tavo

Oct 7, 2011 | 12:44

TIRANE – Makina që përdorte deputeti i LSI, Vangjel Tavo, njëkohësisht edhe nënkryetar i Parlamentit, rezulton të jetë djegur qëllimisht. Në përfundim të hetimeve, në lidhje me ngjarjen e datës 25 shtator 2011, kur u dogj plotësisht makina tip “Range Rover”, me targë TR 5385 U, te rruga “Qemal Stafa” në Tiranë, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se zjarri është i qëllimshëm. Në konkluzionet përfundimtare të aktit të ekspertimit, thuhet se “nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk u vërejtën djegie nga shkarkesa atmosferike. Në këtë mënyrë, përjashtohet mundësia e një zjarri të shkaktuar nga rrufeja. Gjithashtu, nuk u gjetën prova materiale, por duke arsyetuar se xhamat ishin të djegur dhe të rënë brenda kabinës, mendojmë se zjarri është i qëllimshëm”. Në procesverbalin e përpiluar nga ekspertët kriminalist, thuhet se makina e djegur pranë Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton në pronësi të shtetasit Elton Popa, por përdorej edhe nga deputeti Vangjel Tavo. Për këtë arsye hetimet për zbulimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes, janë shtrirë në dy drejtime, pa u përcaktuar nëse ngjarja kishte lidhje me Tavon apo me pronarin e mjetit, Popa. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 shtator, në rrugën “Qemal Stafa”, pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Burime nga Policia thanë se ka qenë vetë deputeti i Gjirokastrës që ka lajmëruar në sallën operative të Policisë së kryeqytetit, pasi ka konstatuar flakët.

© Panorama.al

Te lidhura