Një sulm ushtarak rus ndaj vendeve të NATO-s mund të ndodhë në një të ardhme “relativisht të afërt” nëse Kremlini e konsideron kohën e duhur, paralajmëroi sot komisioni parlamentar i mbrojtjes i Suedisë.
“Një sulm i armatosur kundër Suedisë ose aleatëve të saj nuk mund të përjashtohet“, shkroi komisioni në një raport.
“Sulmet ushtarake ruse, për të testuar koherencën dhe besueshmërinë e Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, mund të ndodhin në një të ardhme relativisht të afërt, nëse situata politike konsiderohet e favorshme nga Kremlini”, shtoi ajo.
Neni 5 përcakton se një sulm i armatosur kundër një anëtari të Aleancës konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve të NATO-s.
Sipas raportit të Komitetit Suedez, Moska mund të ndërmarrë veprime edhe nëse nuk ka burime të mjaftueshme ushtarake për të kryer një sulm të tillë.
“Mund të vërejmë se situata e sigurisë mbetet serioze dhe karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme e paparashikueshmërisë. Ekziston rreziku i përkeqësimit të shpejtë me pasoja serioze për sigurinë e Suedisë dhe Evropës”, tha Jörgen Berglund, kryetar i komitetit parlamentar, në një konferencë për shtyp.
Në maj, Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura Suedeze, Mikael Clausson, paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e veprimeve ushtarake ruse.
“Ata e dinë se e gjithë bota perëndimore po riarmatoset. Kështu që unë pyes: pse duhet të presin dhe të mos shfrytëzojnë atë që e shohin si dobësi tona?” i tha ai transmetuesit publik SVT.
Komiteti i Mbrojtjes përbëhet nga deputetë nga të gjitha partitë e përfaqësuara në parlamentin suedez. Puna e tij shërben si bazë për planifikimin afatgjatë të mbrojtjes së vendit.
Suedia i dha fund dy shekujve të mosangazhimit ushtarak dhe iu bashkua NATO-s në vitin 2024, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
© Panorama.al












