Një proverb frëng thotë: “Il vaut mieux faire envie que pitié”, çka në shqipe mund ta japim me “Më mirë t’i ngjallësh tjetrit zili, sesa mëshirë”. Ky proverb, në vështrim të parë, duket disi i çuditshëm, madje paradoksal: mëshira, në përgjithësi, është një ndjenjë e lartë njerëzore, siç e përkufizon edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe (Tiranë 2006): “…ndjenjë e thellë dhembshurie e keqardhjeje për një fatkeq; dëshira për të ndihmuar një fatkeq…”. Sa e sa vepra arti të të gjitha gjinive i janë kushtuar kësaj ndjenje! Pastaj, pa ndjenjën e mëshirës nuk do të kishte pasur kurrë bamirësi! Sidoqoftë, para shumë dekadash – asokohe isha student në Sorbonë –, njëri prej bashkëkombësve të mi, student edhe ai, e mori vitin “me mëshirën e komisionit”, siç ishte shënuar përbri emrit të tij në procesverbalin e provimit të afishuar në sekretari. E doja atë bashkëkombës dhe, për një çast, përfytyrova sikur edhe unë të kisha marrë të njëjtin vlerësim e thashë me vete që, po të më kishte ndodhur kështu, do të kisha shkuar me vrap në sekretari e do të kisha këmbëngulur që të konsiderohesha si i mbetur në atë provim për të pasur mundësi të vija në sezonin e vjeshtës për të marrë qoftë edhe notën kaluese më të vogël, por pa shënimin e pamëshirshëm “me mëshirën e komisionit”! Në dritën e këtij kujtimi fort të largët, por që nuk më është shqitur asnjëherë, e kuptoj fare mirë proverbin frëng në fjalë. Nga ana tjetër, zilia, ndryshe nga ç’mendohet rëndom, mund të jetë një faktor nxitës për t’ia kaluar tjetrit, për ta bërë diçka më mirë, më bukur se ai. Pikërisht në këtë drejtim rreh edhe kuptimi i parë i fjalës “zili” në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (Tiranë 2006): “…dëshirë e fuqishme për të pasur ose për të arritur diçka…”, pavarësisht kuptimit të saj të dytë si “ndjenja e lakmisë ose e keqdashjes ndaj dikujt”.
Mjerisht, në Shqipërinë e sotme deri diku të rrëmujshme e të koklavitur, sidomos në rrafshin e marrëdhënieve njerëzore, shumë shpesh, në qoftë se ti përparon në profesion, art, kulturë, politikë etj., etj., duke u ngjallur zili të tjerëve, t’i mund rrezikosh deri edhe karrierën, pasurinë e ndoshta familjen tënde, sepse ka njerëz, në të gjitha sferat, që, në vend të gëzohen për sukseset e tua, në vend të ndjekin shembullin tënd që të çajnë edhe ata ndershmërisht përpara, do të bëjnë çmos të të vënë gurë në rrota pikërisht nga zilia në kuptimin e saj të dytë! Në këtë këndvështrim dhe në këtë kuadër problemesh shqiptaro-shqiptare, duhen parë shumë gjëra e dukuri në atdheun tonë të dashur kapitalist. Kështu që, tek ne e midis nesh, dy polet e proverbit frëng duhen përmbysur në mënyrë që shqiptari të mbrohet nga tjetri, të mbrohet, pra, nga vetvetja, duke thënë: “Më mirë t’i ngjallësh tjetrit mëshirë, sesa zili”. Por zbatimi i këtij proverbi të përçudnuar në jetën praktike, në marrëdhëniet njerëzore do të thotë që ne, shqiptarët, të mbetemi një popull mjeran, pa perspektiva zhvillimi, i denjë vetëm për mëshirë, për lëmoshë!
Tregojnë, në trajtë anekdote, por me një domethënie tronditëse, se dikur, para shumë dekadash, në një rrugë të Nju Jorkut po kalonte me veturë Rokfeleri, ky miliarder i njohur. Një këmbësor, amerikan i thjeshtë, i hodhi një vështrim plot zili dhe tha me vete: “Ah, që të bëhem edhe unë si ai, do të më duhet të punoj ditë e natë!”. A e di ti, i dashur lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, se çfarë mund të kishte thënë me vete ndonjë francez i thjeshtë, këmbësor edhe ai, po të kishte qenë në vend të amerikanit të thjeshtë? “Ah sikur t’i prishet për një çast vetura Rokfelerit që edhe ai të ecë pak në këmbë si puna ime! (Këtë ma ka thënë një mik francez në maj të vitit 1968, ju betohem që nuk po fantazoj). Dhe ja, pashmangshëm më lind pyetja: Po një shqiptar, këmbësor i thjeshtë, çfarë do të kishte thënë me vete duke parë Rokfelerin të kalonte me veturë? Për të mos i ngrënë hakun, mendoj që mund të kishte thënë të njëjtën gjë si amerikani, ndoshta edhe si francezi, por një mendje më shtyn të hamendësoj se mund të kishte thënë edhe: “Ishalla përplaset me ndonjë makinë tjetër dhe të hajë kokën!”. E tëra kjo, nga zilia. Prandaj nganjëherë them me vete, madje edhe me zë të lartë: “Të keqen e mëshirës, se nga ajo asnjë e keqe nuk të vjen në Shqipëri!”
© Panorama.al












