Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sërish protestat masive të qytetarëve kundër qeverisë së Edi Ramës por edhe opozitës, në të cilat protestuesit kanë thirrur vazhdimisht “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”.
Kryedemokrati, në një takim me Departamentin e Arsimit në PD, theksoi se protestuesit me të drejtë e akuzojnë kryeministrin si “tradhtar”, pasi ka shpopulluar Shqipërinë dhe ka tradhëtuar Kosovën.
Berisha përmendi emigracionin, të cilin e cilësoi si “gjenocid demografik”, ndërsa e akuzoi qeverinë për korrupsion dhe abuzime. Sipas Berishës, Rama është sjellë më keq se Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës.
“Ata i thonë Edi Ramës: ‘O tradhtar’. Po në qoftë se ka njeri që ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët sa Edi Rama, nuk ka. Dhe thonë, pse e quajnë tradhtar. Ai është sjellë me shqiptarët në Kosovë më i zi se Vuçiçi. Ai është njeriu që vuri i pari sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, që s’duhet t’i vinte. “, tha Berisha.
Pjese nga fjala e Berishes:
Kështu që është protestë e qytetarëve, është protestë e fibrës qytetare. Dhe nuk ka gjë më të bukur dhe më të çmuar se kjo. Qytetarët vendosin të ngrihen për interesat e tyre dhe të vendit të tyre. Ata i thonë Edi Ramës: ‘O tradhtar’. Po në qoftë se ka njeri që ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët sa Edi Rama, nuk ka. Dhe thonë, pse e quajnë tradhtar.
Ai është sjellë me shqiptarët në Kosovë më i zi se Vuçiçi. Ai është njeriu që vuri i pari sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, që s’duhet t’i vinte. Dhe këtej i thoshte Evropës që mos i kërkoni Vuçiçit të respektojë sanksionet ndaj Rusisë.
Ky bëhet avokat i Aleksandër Vuçiçit nga samiti në samit, duke u mburrur që nuk i duhet kërkuar këtij të respektojë sanksionet e ‘Big Brother’-it të tij, dhe vetë i vendoste sanksione Kosovës. Pse? Sepse udhëheqja e Kosovës, me gjithë respektin, i tha që këtu vendimin e marrin qytetarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre, dhe jo ti me Vuçiçin edhe me të tjerë. Ndaj dhe jo tradhtar, por super-tradhtar.
Hynin në pazare… Ç’punë kishte Shqipëria të ndërmjetësonte, të bëhej shkesi për pazaret në kurriz të Kosovës? Kurrën e kurrës.
Kërkonte tërheqjen patjetër të Rusisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë–Serbi. Dhe kërkonte, bashkë me Vuçiçin, konferencë ndërkombëtare, në një kohë kur ndërkombëtarët pro-shqiptarë e kishin përzënë Rusinë.
E kishin përzënë me qëllim Rusinë. Dhe kishin marrë vetë, kishin caktuar një ndërmjetës të Bashkimit Europian, i cili bashkëpunonte ngushtë me ndërmjetësin e Departamentit të Shtetit për të ndërmjetësuar. Ky thoshte të bëhet një konferencë ndërkombëtare tani, sepse kështu i thoshte Vuçiçi.
Por tradhtia më e madhe e tij ndaj shqiptarëve është gjenocidi që ai ka bërë me përzënien e 1.1 milion shqiptarëve, sipas të dhënave të Eurostat-it, vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në vende të tjera të Europës dhe të botës. Kështu që është tradhtar i shkallës më të lartë.
Është plaçkitësi më i madh i shqiptarëve. 4 miliardë euro është plaçka e Portit të Durrësit. 4 miliardë euro, absolutisht! Dhe tani pallatet e Dubait të ‘1001 netëve’ të tij po futen në rërë, po fundosen në rërë.
© Panorama.al












