Iu rikthye shtangës me premtime të mëdha, tha se përmes Botërorit të Francës do të tentonte të kapte normat edhe për “Londër 2012”, por dëshmoi se nuk I mbajnë më këllqet, nuk është më Iliri I dikurshëm, që na bënte të ndiheshim krenarë për të. Mosha mbi 35-vjecare, por edhe ndërprerja për disa kohë e marrjes me sportin e shtangës, kanë ndikuar negativisht në performancën e Sulit, i cili e përfundoi garimin e tij në vendin e 12-të në botë, në dygarësh, në peshën 85 kilogramë, duke i dhënë kështu fund shpresës së Shqipërisë për një tjetër medalje në këtë Botëror. Në shkëputje, në tri provat e tij, Ilir Suli mundi të kryente me sukses vetëm të dytën, duke ngritur lart 163 kg, të mjaftueshme për vendin e 12-të në botë. Në stilin e shtytjes, Suli sërish nuk ishte në formën e tij më të mirë, duke dështuar në dy provat e para, me 193 kilogramë, por gjithsesi arriti të mbajë lart shtangën në provën e tretë, duke e mbyllur Botërorin e Francës në vendin e 12-të, në dygarësh, duke fituar gjithsesi pikë të rëndësishme për skuadrën shqiptare në kualifikimin e katër shtangistëve direkt për Olimpiadën e “Londër 2012”. Në renditjen e përgjithshme, peshëngritësi shqiptar u rendit në vendin e 15-të, me 356 kg. Suli pret edhe baterinë A ditën e shtunë, për të mësuar pozicionin e tij përfundimtar në dygaresh.











