NIKOLETA KOVAÇI/ Prej më shumë se tri javësh në zonën kufitare të Qafë Morinë-Gjakovë është zhdukur pa gjurmë një djalë vetëm 26 vjeç me emrin Florjan Tabaku.
Ai ka qenë me nënën e tij duke mbledhur gështenja kur ka humbur kontaktet me të dhe që prej atij momenti e deri më tani askush nuk ka asnjë të dhënë për të. Familja, të afërmit dhe policia e Kosovës vijojnë kërkimet për gjetjen e tij, por sipas të dhënave në këtë operacion të vazhdueshëm ka munguar dhe mungon policia jonë. Referuar të dhënave më të fundit që vijnë për këtë ngjarje bëhet me dije se në fakt, Policia e Kosovës thuaje e ka bërë krehjen e të gjithë zonës, ka realizuar me qindra kontrolle nëpër banesa dhe nëpër vende ku pretendohej fillimisht që është parë, por një person me të dhënat e tij fizike dhe me veshjen e identifikuar prej nënës së tij, në fakt nuk rezulton të jetë parë në asnjë stacion autobusi e aq më pak të ketë marrë ndonjë mjet të rastësishëm në drejtim të Prishtinës.
Policia e Kosovës, e kryesisht ajo e Gjakovës ka shpallur disa herë thirrjen për ndihmë në lidhje me identifikimin e djalit në foto, kushdo që ta shohë dhe të ketë informacion, ndërkohë që dy ditët e para, grupet e kërkim-shpëtimit nga Kosova iu bashkuan familjes dhe punonjësve të policisë së Tropojës për të kërkuar në zonën ku edhe pretendohej nga e ëma se ishte vendi ku u shkëput prej tij. mirëpo që prej atyre ditëve, policia e Kukësit dhe e Tropojës kanë ndërprenë kërkimet duke e lënë familjen të vetme në kërkim të djalit, ndërsa duket se tashmë është dorëzuar edhe policia e Kosovës pas një mori operacionesh kërkimi të realizuar për të.
BRAKTISJA E KËRKIMEVE NGA POLICIA E KUKËSIT
Florjan Tabaku u zhduk më 21 tetor. Ishte në pyll me nënën e tij duke mbledhur gështenja. Gruaja njoftoi familjen dhe më pas u njoftua policia. Nisën kërkimet dhe në ndihmë u thirr edhe policia e Kosovës. Por pas më shumë se 24 orë kërkimesh, një informacion erdhi nga Kosova se një person me të dhëna të ngjashme ishte parë duke udhëtuar me një mikrobus në drejtim të Prishtinës. Ose të paktën kështu bëri me dije policia jonë. Duke qenë se në anën tonë të kufirit nuk u rezultuan shenja të djalit, policia jonë ndërpreu kërkimet duke e lënë policinë e Kosovës të vetme në këto kërkime.
Ata publikuan të dhënat e djalit si dhe veshjen me të cilën nëna tha se ishte në ato momente i biri, lanë një numër telefoni dhe i bënë thirrje gjithë opinionit publik që kushdo që ta shihte të njoftonte në polici. Por prej asaj dite e deri më sot nuk ka më asnjë të dhënë për djalin. Policia e Kosovës nga ana e saj ka bërë me dije se ka kërkuar në të gjithë pjesën malore të Gjakovës, ndërkohë që është bërë e mundur të kërkohet në disa qytete dhe zona nga ku pretendohej që është para Tabaku. Por që në fakt dyshohet se ka qenë informacion i pasaktë.
Policia e Kosovës prej ditëve ka përcjellë të dhënat e mosgjetjes së asnjë gjurme të Tabakut në anën e tyre për policinë e Kukësit, por kjo e fundit nuk ka bërë më asnjë veprim, madje sipas të dhënave nuk është kontaktuar as familja për t’u rikthyer në kërkimet e të riut. Familja ka dyshime që djali nuk ka kaluar në zonën e Kosovës, ndërkohë që askush nuk është në gjendje të thotë se çfarë ka ndodhur me fatin e tij. Rasti i Florjanit në fakt nuk është i vemti. I zhdukur prej më shumë se një viti është një djalë edhe nga Kukësi. Edhe ai ka qenë në mal duke mbledhur gështenja dhe prej asaj kohe e deri më sot familja nuk ka asnjë të dhënë për të, e po ashtu janë edhe disa raste të tjera ku rezultojnë njerëz të zhdukur në vendin tonë dhe që policia nuk ka asnjë të dhënë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të familjarëve të tyre.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











