
Gjithkush që kalon nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjellas, pas kontrollit në pikat e kalimit kufitar në Vërmicë dhe Morin, duhet të kalojë urën që lidh dy pikat dhe dy vendet, me një gjuhë, një gjak dhe histori të përbashkët. Por kjo urë e betontë në shkatërrim e sipër, duket se nuk ka këmbë të mbajë gjithë atë peshë që historia i vuri. Bashkimi i autostradave në kufi do t’i vërë ruspën urës së ndarë përgjysmë mes dy shteteve. Më shumë se urë ajo ka qenë mur për shqiptarët. Kthimi i saj në një muze askujt nuk i ka shkuar ndërmend, por miliona njerëz do ta kujtojnë urën e ngushtë me dy kalime.
Zanafilla e urës
Ka qenë viti 1978 kur ura zuri të vihej në punë. Liqeni i Fierzës përmbyti gjithë luginën e Drinit të Bardhë e të Zi. Rrugës së paasfaltuar, por shumë piktoreske, nga Kukësi i vjetër në Prizren, përbri rrjedhës së Drinit, kur ndër shekuj ishte udha e kuajve dhe karvanëve, po i vinte fundi. Koka e liqenit do të derdhej përtej kufirit në Vërmicë. Tashmë duhej rrugë e re dhe dy dogana të reja. Shqipëria dhe Jugosllavia duhet ta kishin këtë urë që nuk u hynte dhe shumë në punë. Selim Domi, tani 80 vjeç, në atë kohë drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit në Kukës, kujton: “U krijua një komision dypalësh, ne dhe jugosllavët. Erdhi vetë ministri i Ndërtimit i asaj kohe, Rrahman Hanku. Bëmë një takim më jugosllavët. Ata u treguan “koprracë” dhe ministri mori përsipër bërjen e gjithë urës me financimet tona. Ishte me dy kalime, afro 50 metër e gjatë. Gjysma e jona, gjysma e atyre”.
Ura me tri epoka

E para është nga viti 1978, deri në fillim të viteve ‘90, kur në vendet u bënë ndryshimet politike dhe ranë regjimet e hekurta. Jugosllavë e shqiptarë e ndanë urën në mes me vijë të kuqe. Ende ajo vijë ka mbetur në skajet e urës. Ajo vizë ishte kufi që ndante dy botë të largëta, që ishin kaq afër njëra-tjetrës. Me ditë apo javë të tëra nuk prishej qetësia dhe heshtja e urës. Kufitarët ruanin më automatikë në dorë edhe lëvizjet e shpendëve. Morini dhe Vërmica ishin kaq afër sa lindjet e vdekjet në dy fshatrat anës e kufirit merreshin vesh, ku këndohej më zë të lartë apo vajtohej. Poshtë urës nuk kalon as lumë dhe as përrua, por brigjet janë me hendek mes tyre. Cenë Fana, i cili u arratis nga Vërmica në vitin 1969, kur ishte vetëm 20 vjeç, e quan “Ura e lotëve”. Në fakt, ekzistojnë dhe “Lëndina e Lotëve”, “Deti i lotëve”… “Për 30 vite me radhë kam ardhur tek ura. Kam parë familjarët e mi edhe ata më kanë parë. Nuk kemi guxuar të takohemi. Kemi qarë e lotuar pa fund, duke u parë vetëm me sy, 4 metra larg njëri-tjetrit. Në bazë të rregullit duhet të afroheshim dy metra larg vijës dhe nuk duhet të komunikonim. Çdo aventurë kishte të vetmin fund, vdekjen”. Fana që u bë mësues i njohur në Kukës dhe krijoi familjen, shkeli shumë vonë në fshatin e tij, një kilometër larg kufirit. Ai nuk gjeti shumicën e njerëzve të tij. Por ai gjeti lirinë e Kosovës dhe tashmë është dhe anëtar i Kuvendit Komunal të Prizrenit. Historitë nuk kanë fund në këtë periudhë. Shkëlzen Kovaçi kujton se në fillim të viteve ‘80 shumë studentë ikën nga RSFJ-ja dhe u strehuan te të afërmit e tyre në Kukës. “Në shtëpinë time erdhi një student, B.Shala. Sigurimi i Shtetit bëri një marrëveshje me UDB-në, dhe Shalën do ta këmbente me një tjetër që ishte arratisur nga Shqipëria për në Jugosllavi. Dy metra para se të mbërrinin te vija e kuqe “robërit” duhet të ecnin vetë dhe të këmbeheshin në urë dhe të dorëzoheshin te policitë respektive. Dihej se të dy i priste ferri. Shala për të mos rënë sërish në duart e serbëve, te vija kaloi parmakët e urës dhe u hodh. U plagos rëndë dhe sot është në Gjermani më këmbën e gjymtuar. Ai ra në pjesën poshtë urës nga toka jonë me qëllim që sërish ta merrnin policët shqiptarë dhe kështu u bë. Shkëmbimi dështoi”.
Pas ’90
Kufijtë ranë, por jo për shqiptarët. Ura sërish do të ishte mur, deri në vitin 1999. Në këto vite rinisën kalimet e kufirit, por jo për të gjithë. Nga ana jonë, kush dinte një sllavishte të pashkruar (gorançe) merrte një vizë dhe kthehej në tregtar ambulant në kohën e embargos mbi ish-Jugosllavi. Sërish vija e kuqe, ose më mirë vija e keqe, ndante njerëzit të lidhur historikisht mes tyre. Por, shumë “të përvëluar” për Shqipëri dhe Kosovë për urë ishin shtigjet malore, shpeshherë mes plumbave serbë, ku nuk munguan dhe viktimat. Ura u bë e famshme në vitin 1999. Në këtë pranverë, mbi 530 mijë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga serbët, përmes kësaj urë, që ishte tanimë “ura e shpëtimit”, u futën në Kukës. Këtu mund të flasim për një rekord Gines, se vetëm vinin dhe askush nuk hyri për në Kosovë për tre muaj. Llava gjigante e njerëzve u rikthye sërish në qershor, por këtë herë e dyfishuar nga shqiptarët e Shqipërisë, që u futën në Kosovë bashkë me kosovarët e dëbuar. Piramidat e betonta të serbëve në urë u përmbysën bashkë me simbolet. Bajrami nga Kosova sa herë që tani kalon në urë ndalet dhe kujton ato ditë tmerri kur mbërriti në urë, dhe kur pa flamurin dhe policinë shqiptare u ul dhe puthi tokën. “Kam ndjerë gëzimin dhe ëndrrën time më të madhe në jetë. Më 13 qershor, KFOR-i hyri në Kosovë. Unë bashkë me shumë shokë të mi që kishim hyrë nëpër mal në Kosovë duke ndihmuar UÇK-në, u gjendëm në urë. Kam rrëmbyer flamurin serb dhe i kemi vënë flakën, duke ngritur flamurin kuq e zi. Ushtarët serbë po ia mbathnin më në fund të mundur e të përbuzur. Kemi shkulur tabelën që lexonte RSFJ, me simbolet e ish-Jugosllavisë së mbetur dhe e kemi hedhur poshtë urës. Tashmë ajo nuk ekzistonte”, kujton Fidaim Dida, nga Përbregu i Kukësit, i njohur si sozia e Adem Jasharit.
Ura e Morinit, “Muri i Berlinit” shqiptar
Për shqiptarët urat janë dhe “mure berlini”, siç ishte për shumë kohë ura në fjalë. Madje, urat edhe sot ndajnë shqiptarë diku në Veri të Kosovës. Tani në vend të tabelës ku ishte sigla e ish-Jugosllavisë, është një tjetër emërtim, me mbishkrimin “Republika e Kosovës”. Në vend të flamurit serb, valëvitet flamuri i ri i Kosovës. Në doganën e Vërmicës nuk ka asnjë relike apo simbol trishtues të kohës së serbëve. Policët shqiptarë të ofrojnë mirësjellje dhe në ballinë të doganës thuhet “Mirësevini në Atdheun Tuaj”. Por ura që lidh ende dy pjesë të Shqipërisë me një kalim formal të kufirit, pas vitit 1999, duket se po i afron shqiptarët. “Do t’i bashkonte sikur të mos ishte fare”, thonë njerëzit këndej dhe andej kufirit, që ende aspirojnë në ëndrrën e bashkimit të kombit. Autostrada e bashkuar pritet t’i bashkojë dhe më shumë shqiptarët. Një urë po bie, një autostradë po ndërtohet. Mes shpirtrave të shqiptarëve këndej e andej kufirit nuk pati kurrë ura, megjithatë njerëzit i ndërtuan. Por vetë ata dhe koha po i shembin. Dy gjysma ure shumë shpejt do bien e nuk do jenë më. Në projektin e ri nuk ka më urë.
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
© Panorama.al











