Zgjedhjet, Venecia: S’merremi me 8 majin

Oct 25, 2011 | 13:26
Haxhinasto e Markert, dje gjatë takimit

Komisioni i Venecias ka nisur turin e takimeve dyditore në Tiranë, përpara se të hartojë një raport me rekomandime konkrete për Kodin Zgjedhor. Delegacioni i kryesuar nga sekretari i këtij Komisioni, Thomas Markert, u takua me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ku dhanë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Në komunikimin me mediat, Markert u shpreh se qëllimi i vizitës në vendin tonë është hartimi i rekomandimeve për të ardhmen dhe jo diskutimi i çështjeve të shkuara, çka duket se mbyll përfundimisht kapitullin e zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri. “Unë konfirmoj plotësisht atë që tha ministri. Komisioni i Venecias është këtu, pasi kemi marrë një detyrë nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, për të parë se çfarë përmirësimesh mund të bëhen në të ardhmen në lidhje me reformën zgjedhore, në mënyrë që të shmangim krizën politike në të ardhmen. Detyra jonë është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën”, u shpreh Markert. Ai tha gjithashtu se opinioni formal i Komisionit të Venecias do të adaptohet në takimin e ardhshëm të këtij Komisioni, më 16-17 dhjetor, ku do të ketë edhe përfaqësues nga Shqipëria. “Është e rëndësishme të kemi këtë dialog tani, para adaptimit të këtij opinioni dhe pastaj për të vazhduar më tej”, theksoi sekretari i Komisionit të Venecias. Mesditën e djeshme përpara takimit me Kryeministrin Berisha, përfaqësuesit e delegacionit të këtij institucioni u takuan me negociatorët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në një drekë në hotel “Rogner”. Në këtë takim kanë marrë pjesë deputetët Viktor Gumi, Ilir Rusmali dhe shefi i kabinetit i Berishës, Oerd Bylykbashi nga PD-ja, Kastriot Islami, Vasilika Hysi e Damian Gjiknuri nga PS-ja, si dhe Ylli Manjani nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në drekën që ka zgjatur rreth 40 minuta, është diskutuar për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore me qëllim përgatitjen e amendamenteve për ndryshimin e Kodit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën se përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë kërkuar që në punën e komisionit të reformës zgjedhore që do të ngrihet nga Parlamenti, të jetë i pranishëm gjatë gjithë punës një përfaqësues i Komisionit të Venecias. Nga ana e tyre deputetët e PD-së kanë shprehur edhe një herë angazhimin e bërë publik nga Kryeministri Berisha se janë dakord nëse rekomandimet marrin më parë OK e Venecias. Në përgjigje të kërkesës së PS-së, përfaqësuesit nga Komisioni i Venecias janë shprehur se nuk mund të lënë një njeri fizikisht në Tiranë për të asistuar të gjitha mbledhjet e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, por janë shprehur të gatshëm të japin mendimin e tyre për çdo draft që do t’u vijë nga Tirana.

Letra e KiE
Në fund të muajit gusht, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, i ka dërguar një letër presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio, ku i kërkon që të ndihmojë Shqipërinë për të kaluar krizën politike. “Do të isha mirënjohës nëse Komisioni i Venecias do të jepte një opinion lidhur me ato që duhen përmirësuar në legjislacionin dhe praktikën elektorale në Shqipëri, në dritën e eksperiencës më të fundit”, thuhet në letrën e Jagland.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura