Topi-Sequi: Zgjedhjet, me rëndësi për integrimin

Apr 26, 2011 | 14:01

TIRANË- Situata në prag të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe rëndësia e një procesi të qetë e të ndershëm ka qenë në qendër të takimit mes presidentit të vendit Bamir Topi dhe kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.

Burimet zyrtare nga presidenca bëjnë me dije se gjatë këtij takimi, ku u diskutua situata në vend në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit, Presidenti Topi theksoi nevojën e zhvillimit të një fushate sa më të qetë e të civilizuar si dhe mbajtjen me sukses të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe sipas standardeve demokratike.

Nga ana e tij, Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadori Sekui vuri në pah rëndësinë jetike që zgjedhjet vendore të 8 majit kanë për ecurinë integruese evropiane të vendit tonë.

Ai e informoi Kreu e Shtetit shqiptar për vizitën e ardhshme në Tiranë më 21 maj 2011 të Presidentit të Komisionit Evropian, Manuel Barrozo, i shoqëruar nga një delegacion zyrtar i nivelit të lartë.

© Panorama.al

Te lidhura